"Parullat me gurë" ribotohet në Francë
Një mbrëmje kushtuar promovimit të ribotimit të librit "Parullat me gurë" të shkrimtarit Ylljet Aliçka është organizuar në Paris nga "Shtëpia e Kulturave botërore". Në vazhdim të këtij aktiviteti është projektuar gjithashtu edhe filmi "Kronikë provinciale", po me skenar të Aliçkës. "Les slogans de pierres" është tashmë i njohur për publikun francez dhe është ribotuar nga shtëpia botuese franko-britanike "Piramidion". Aktivitetin e ka pasuar një diskutim i drejtpërdrejtë i shkrimtarit shqiptar me publikun e pranishëm, diskutim i udhëhequr nga drejtoresha e "Maisons des Culture du Monde", zonja Arëward Esber. Personalitete të jetës intelektuale franceze, përfaqësues të trupit diplomatik dhe të medias, të shoqatave kulturore në Francë kanë qenë të pranishëm në këtë takim. Temat e debatit u përqendruan në fusha që lidhen me kulturën shqiptare, fenë, letërsinë, zhvillimet politike. Në mbyllje të aktivitetit shtëpia botuese "Piramidion" paralajmëroi botimin në Francë të librit të ri të Aliçkës "Histori njerëzish të zakontë" në nëntor të këtij viti. Kanali televiziv francez "France 3", i pranishëm në debat, ka programuar javën e ardhshme një edicion special në lidhje me këtë veprimtari, drejtuar nga gazetari i njohur, Pier Wermuss.