Nderohet gazetari i vjetër, Alush Çeno
Ambasada e Republikës së Kosovës në Tiranë organizoi këto ditë një ceremoni të posaçme në nderim të gazetarit të vjetër dhe ish-drejtorit të Radio Shkodrës, Alush Çeno. Në këtë ceremoni në të cilën morën pjesë funksionarët më të lartë të ambasadës, u shpreh mirënjohje dhe respekt për kontributin e dhënë nga Alush Çeno në ndihmë të zhvillimit të mediave dhe kulturës në Kosovë. Në frymën e krijuar pas vitit 1974 dhe autonomisë së Kosovës në Jugosllavi, Radio Televizioni Shqiptar dha një ndihmesë të veçantë në ngritjen dhe zhvillimin e Radio Televizionit të Kosovës. Alush Çeno ishte kryetar i Delegacionit të Radio Televizionit Shqiptar që zhvilloi një vizitë të zgjeruar në Kosovë në vitin 1979. Një vit më pas, në 1980, me iniciativën e Alush Çenos, grupi artistik i Radio Shkodrës, i drejtuar nga ai dhe i përbërë nga këngëtarët dhe artistët më të mirë shkodranë të kohës e që përfaqësonte ndër traditat më të mira të kulturës shqiptare, organizoi një turne njëmujor me koncerte dhe shfaqje në të gjitha qytetet kryesore të Kosovës. Vala e patriotizmit që shoqëroi suksesin e bujshëm të këtij turneu ishte një ndër shtysat që u parapriu demonstratave të marsit 1981. Fatkeqësisht, këto lidhje të krijuara u ndërprenë plotësisht nga represioni serb mbi Kosovën që u intensifikua pas ngjarjeve të vitit 1981. Alush Çeno, pas një karriere të gjatë si gazetar në organet e shtypit, ka drejtuar për rreth 30 vjet Radio Shkodrën. Gjatë kësaj kohe, në arkivin e tij numërohen me qindra artikuj publicistikë, radiofonikë, si dhe disa radiodrama të transmetuara nga Radio Shkodra.