Arkitektura, konkursi do jepet në fund të gushtit
Maturantët që duan të konkurrojnë për degën e Arkitekturës, do të japin konkursin në fund të muajit gusht. Sipas Rektorit të Universitetit, Jorgaq Kacani, provimi do të bëhet në kushte të forta sigurie. Ai theksoi, në një prononcim për mediat, se rezultatet do të dalin në fillit të shtatorit pas bashkimit të pikëve të konkursit dhe atyre që maturantët kanë marrë në provimin e maturës shtetërore. Arkitektura hyn në degët ku fituesit duhet t’i nënshtrohen konkursit dhe jo vetëm provimeve me zgjedhje. Pikët e konkursit janë 65, ndërsa ato të provimeve me zgjedhje 35. “Konkursi është në datat 27, 28 dhe 29 gusht, tezat do të jenë me sekretimin e tyre, me numër identifikimi per të gjithë personat dhe pas vlerësimit do te bëhet identifikimi i personit. Pra, vlerësimi mos të ketë ndikime subjektive, ose ndikime të tjera të cilat në një shoqëri shqiptare sot janë të pranishëm”. Por duket se problemi do të jetë pritja që duhet bërë për rezultatet e maturës shtetërore. Këto lista, me pikët e provimeve me zgjedhje, pjesë e librit të transparencës, zakonisht gjatë viteve të kaluara kanë dalë në javët e para të shtatorit. Ndërkohë përsa i përket fituesve të konkursit të Arkitekturës, ata do t’i marrin rezultatet që në ditën e parë të muajit shtator.
“Përpara se të zhvillohet konkursi, lista vjen nga MASH dhe lejohen vetëm ata kandidatë, të cilët përfshihen në këtë listë, dhe brenda datës 30, ose 1 shtator ato do të shpallen sipas pikëve që ata përfitojnë, ndërsa fituesit në degën e Arkitekturës shpallen nga MASH sepse merret parasysh jo vetëm 65 % që përfshin konkursi, por dhe 35 % i maturës shtetërore”, theksoi rektori për “Alsat”.