E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbytet në një kanal me ujë, fëmija 2-vjeçar

 

TIRANE - Një djalë vetëm 2 vjeç, që sapo kishte filluar të hidhte hapat e parë, nuk ka mundur të ecë më shumë se disa metra në jetën e tij. Ai është mbytur aksidentalisht në një kanal me ujë, që shërbente për ujitje në fshatin Kallmet-Pinar, në periferi të Tiranës. Djali i vogël i Bledian Fierit, ka qenë duke luajtur në një fushë, së bashku me kushërinjtë e tij më të mëdhenj, pranë shtëpisë së dajës së vet, Qani Allushi. Për pak minuta ai u ka humbur nga sytë fëmijëve të tjerë, të cilët më pas e kanë parë kur ka rrëshqitur dhe ka rënë në kanalin me ujë, i cili kishte thellësinë e mjaftueshme që ta mbulonte. Djali i vogël ka rrëshqitur dhe para se të përfundonte në kanal ka përplasur kokën në një gur dhe më pas nuk ka mundur të dalë më nga uji, duke ndërruar jetë. Edhe pse është dërguar menjëherë në spitalin më të afërt, 2-vjeçari nuk ka dhënë më asnjë shenjë jete dhe është përcjellë dje për në banesën e fundit. Prindërit e djalit të mitur shpjeguan se gjithçka ka qenë aksidentale, duke mos dhënë shumë hollësira rreth ngjarjes. “Nuk ka vend për dramatizim të kësaj ngjarje, ai ka qenë duke luajtur dhe kaq ishte jeta e tij”, shprehet xhaxhai i 2-vjeçarit. “Ai sapo kishte filluar të ecte, as hapat nuk dinte t’i hidhte mirë. Ndodhej të shtëpia e dajës së tij vetëm disa metra larg shtëpisë tonë. Na njoftuan se ishte mbytur. U munduam ta çojmë në spital por ishte e kotë, ai kishte vdekur”. Kështu e mbyllën bisedën me në familjarët e djalit të mitur, të cilët vetëm disa orë më parë e kishin përcjellë për në banesën e fundit. E ndërsa i afrohemi vendit ku djali i vogël ndërroi jetë, takojmë dajën e tij, Qani Allushin, i cili është edhe më i tronditur se prindërit e nipit të tij. Sipas tij, ai mban një përgjegjësi mbi shpatulla, pasi djali ishte në shtëpinë e tij dhe nuk mundi ta mbante nën vëzhgim. “Nëse do ishim kujdesur më shumë për të, mbase sot do ishte ende gjallë. Ishte shumë i vogël për t’u larguar kaq shpejt nga ne”, shprehet i përlotur daja i 2-vjeçarit. Ndërkohë, burime nga policia shpjeguan se fëmijës së vdekur i është bërë edhe ekspertiza mjeko-ligjore, nga ku ka rezultuar se vdekja e tij ka ardhur nga asfiksia, por gjithashtu kishte edhe një të çarë në kokë. Edhe grupi hetimor e ka përcaktuar ngjarjen si aksidentale, duke mbyllur menjëherë hetimet për të. Sipas policisë fëmija ka ndërruar jetë në moment dhe ndërhyrja mjekësore ka qenë e panevojshme.                   et.de

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›