E Diel, 1 Nëntor 2026

Arkitektura, testimet më 2, 3 dhe katër shtator

03/08/2011  Pranimet, pikët që do të ketë konkursi e rezultatet e maturës, rregullat për të mos u penalizuar

Mbërrin në 8000 lekë tarifa e regjistrimit për kandidatët që do marrin pjesë në testim

Përveç rezultateve të arritura në testimet e maturës kandidatët që duan të vijojnë studimet e larta në degën e arkitekturës si dhe atë të urbanistit pranë Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit, duhet të marrin vlerësime kaluese edhe në konkursin specifik, që zhvillohet në nisje të muajit shtator. Drejtuesit e këtij fakulteti kanë detajuar tashmë të gjithë procedurën që këta kandidatë duhet të ndjekin për t’u regjistruar në konkurs, rezultatet e të cilit kushtëzojnë dhënien e të drejtave të studimit të miratuara nga qeveria për këtë program studimi. Sipas përcaktimeve të bëra, kandidatët do të testohen në datat 2, 3 dhe 4 shtator. Për këtë vit është menduar që pesha e konkursit të zërë rreth 65 për qind të rëndësisë në caktimin e fituesve, ndërsa pjesa tjetër u takon elementëve përbërëse të maturës.

Regjistrimet

Por për të marrë pjesë në këto testime ata fillimisht duhet të kryejnë procedurën e regjistrimit sipas afateve të caktuara. Aktualisht është shpallur kalendari i datave për regjistrimet, të cilat iniciojnë nga 16 gushti për të përfunduar vetëm pak ditë para testimeve në datën 27 gusht. Konkretisht maturantët mund të paraqiten për të bërë regjistrimet përkatëse në datat 16-19 gusht nga ora 9:00 deri më 14:00, ndërsa periudha e dytë e regjistrimit do të nisë më 22 gusht deri në datën e fundit të përcaktuar, po në të njëjtat orare. Për t’u regjistruar kandidatët duhet të dorëzojnë dosjen me dokumentet e kërkuara, të cilën e gjeni të detajuar në tabelën bashkëngjitur shkrimit. Tarifa e regjistrimit për të gjithë pjesëmarrësit në konkurs është llogaritur të jetë rreth 8000 lekë, tarifë kjo që nuk ka të bëjë me koston e studimeve që duhet të paguajnë më pas kandidatët që do të shpallen fitues. Gjithashtu krahas këtyre dokumenteve kandidatët duhet të tregohen të kujdesshëm që ditën kur do të jepet testimi të kenë me vete materialet e përcaktuara në rregullore, pasi në të kundërt nuk do të lejohen të marrin pjesë në konkurs, çka sjell humbjen e së drejtës për të vijuar studimet e larta gjatë këtij viti akademik në këtë program studimi.

Tri fazat e testimeve

Testimi parashikon tri rubrika: vizatim në natyrë, vizatim teknik dhe kompozim, që janë specifika të degës së arkitekturës. Në këto kushte, pjesëmarrësit në konkurs duhet të kalojnë me sukses të tria seancat për të siguruar një të drejtë studimi në këtë program.

Ekspertë bëjnë me dije se ndarja e konkursit në tri ditë të ndryshme synon testimin në njohuritë praktike sa i takon vizatimit teknik dhe elementeve të gjeometrisë destripktive. Ndërkohë do të zhvillohet edhe një seancë tjetër, që ka të bëjë me kompozimin artiktektonik, ku përfshihen elemente të vogla të kompozimit arkitektonik, që teston aftësitë estetike dhe të paraqitjes vizuale të studentëve. Konkretisht seanca e parë e konkursit është “eksterier ose interie”, e cila do të zhvillohet për katër orë me radhë në ambientet pranë Pallatit të Kongreseve. Studenti do të vizatojë me dorë të lirë një objekt arkitektonik, interierin ose eksterierin e tij. Kërkohet dhënia e raporteve vëllimore të ndërtesës dhe pjesëve të veçanta të saj. Deformimi që pëson ndërtesa si rezultat i pikës nga e shikojmë, raporti që ka objekti me ambientin përreth tij si dhe përpunimi i formës dritë-hije.

Seanca e dytë do të jetë vizatimi teknik. Në këtë seancë janë të rëndësishme njohuritë mbi vizatimin teknik, elemente të gjeometrisë deskriptive, gjeometrisë në plan dhe në hapësirë. Ndërsa seanca e fundit të konkursit ka të bëjë me kompozimi arkitektonik. Për dy seancat e para kandidatët duhet të paraqiten pranë ambienteve të Pallatit të Kongreseve në orën 8:00 të mëngjesit, ndërsa për seancën e tretë do të paraqiten pranë ambienteve të fakultetit.

Rregullat e konkurrimit

- Për të marrë pjesë në konkurs fillimisht duhet bërë regjistrimi, ku dorëzohet dosja me dokumentet e kërkuara në data 16-27 gusht sipas orareve të caktuara.

- Në rregulloren e konkursit për pranimet në degën e arkitekturës dhe urbanistit është përcaktuar që tarifa e regjistrimit për konkursin të jetë 800 lekë.

Dosja e regjistrimit duhet të përmbajë:

- Diplomën e maturës të këtij viti ose dëftesën e pjekurisë për kandidatët që kanë mbaruar shkollën e mesme para vitit 2011. Në dosje kërkohet kopja e noterizuar e secilës prej tyre.

- Po ashtu kandidati duhet të dorëzojë dokumentin e identifikimit, që mund të jetë karta e identitetit ose pasaporta.

- Pjesë e dokumenteve është edhe mandati arkëtimit të tarifës së regjistrimit në filialin përkatës të një banke të caktuar.

- Gjithashtu kërkohen edhe dy fotografi të individit që konkurron.

Ditën e testimit kandidati duhet të ketë me vete:

- dokument identifikimi;

- tabelën e vizatimit, laps, gomë dhe vizore;

Në mungesë të tyre kandidati penalizohet me përjashtim nga konkurrimi për pranimet në këtë degë.

Parandalimi

Djegiet nga dielli, shtohen

urgjencat në spitale

Qëndrimi për orë të tëra nën rrezet e dëmshme të diellit ka ndikuar në shtimin e komplikacioneve shëndetësore te një numër i konsiderueshëm personash, të cilët më pas u janë drejtuar urgjencave mjekësore për trajtim të specializuar. Sipas bluzave të bardha të shërbimit të djegies plastikës, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” gjatë ditëve të fundit është vënë re një rritje e fluksit të pacientëve që kanë manifestuar komplikacione të lëkurës si pasojë e dëmtimeve të shkaktuara nga rrezet e dëmshme. Mjekët pohojnë se pjesa dërrmuese e urgjencave të paraqitura përbëhen nga djegiet e shkallëve të lehta, për të cilat është dhënë edhe trajtim disaditor, megjithatë nuk kanë munguar edhe djegiet e shkallës së tretë apo dhe asaj më të rëndë. Duke iu referuar grupeve të riskut, konfirmohet se më të rrezikuarit mbeten grup-moshat nga 40-50 vjeç, por raste të shumta ka pasur edhe te moshat e vogla, për të cilat kujdesi duhet të jetë maksimal. “Ka pasur më pak raste me djegie nga dielli të tipit shokant. Raste të mesme dhe të vogla kemi pasur, madje një pjesë të tyre i kemi shtruar për disa ditë. Kanë dominuar grup-mosha 40-50 vjeçare”, - ka pohuar gjatë ditës së djeshme mjeku në pavijonin e djegie-plastikës Leonard Koka. Kundrejt kësaj situate këshillohet që, duke mbajtur parasysh edhe temperaturat e larta që pritet të vijnë në ditët e ardhshme, kategoritë që kanë probleme me lëkurën të tregojë kujdes të veçantë. Kjo kategori nuk duhet të qëndrojë jo më shumë se një orë në diell, pasi mund të shfaqen sëmundje të rënda të lëkurës që kanë origjinë kancerogjene. “Kjo lloj djegie më shumë shkakton një gjendje emocionale të rënduar. Këta lloj pacientësh ankohen shumë dhe kanë nevojë për një përkujdesje të veçantë. Kur bëhet fjalë për një djegie të gradës së dytë, është një rast i rëndë. Ndodh tek ata persona që flenë gjumë në plazh, në diell për disa orë. Për persona që kanë shumë probleme me lëkurën këshillohet një qëndrim një apo dy orë në diell, jo më shumë, pasi pasojat mund të jenë të mëdha”, - shton mjeku Koka. Njëkohësisht kujdes maksimal duhet të tregojnë dhe ata persona që kanë shumë nishane në lëkurë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›