E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sherri për pijet alkoolike, polici i bashkisë plagos kolegun

03/08/2011  Ngjarja në një lokal pranë ish-uzinës “Enver”, Dilaver Shkreli jashtë rrezikut për jetën

Policia: Në kërkim Endri Durrësi, e qëlloi në kokë me qytën e pistoletës

TIRANE-Ka qenë një konflikt banal për konsumimim të pijeve alkoolike, që më pas ka degjeneruar në përplasje fizike mes dy efektivave të policisë bashkiake në Tiranë. Ngjarja në fjalë është regjistruar në një lokal shumë pranë ish-uzinës “Enver”, rreth orës 15:00, ku protagonistët e këtij sherri janë dy policët bashkisë Endri Durrësi dhe Dilaver Shkreli, të cilët në ambientet e një lokali janë përplasur fizikisht me njëri-tjetrin, ku më pas Endri Durrësi ka nxjerrë një pistoletë, që e mbante pa leje, dhe e ka goditur me qytën e saj kolegun e tij në kokë. Si pasojë e kësaj goditje Dilaver Shkreli është rrëzuar në tokë dhe nga koka ka nisur t’i rrjedhë shumë gjak. Dëshmitarët e pranishëm në vendin e ngjarjes e kanë transportuar menjëherë në spitalin Ushtarak të plagosurin, që momentalisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë autori i kësaj ngjarje Endri Durrësi është larguar me shpejtësi, duke i shpëtuar arrestimit nga policia e Tiranës. Në vendin e krimit ka shkuar policia për të hetuar rreth rrethanave dhe motiveve të ngjarjes. Nga pyetja e dëshmitarëve është mësuar se Dilaver Shkreli i ka kërkuar Endri Durrësit të mos konsumojë pije alkoolike, për shkak se kohët e fundit s’kishte lënë sjellje të mira gjatë ushtrimit të detyrës së tij si efektiv i policisë së Bashkisë Tiranë. Siç duket, këto kritika kanë zgjuar sedrën e Endri Durrësit, i cili i ka kërkuar sqarim Shkrelit dhe më pas debati mes tyre përfundoi në krim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›