Arkiva britanike, agjentët anglezë: Forcat zogiste vranë më shumë gjermanë sesa partizanët
Përvoja me Frontin Nacional Çlirimtar në vitin 1943 na çoi në konkluzionin që komunikatat shqiptare, shpeshherë, janë tërësisht të pabaza dhe në të vërtetë është i dyshimtë fakti nëse u duhet kushtuar rëndësi raporteve të operacioneve të kryera nga shqiptarët për sa kohë që nuk gjenden dëshmitarë okularë për këtë. Si rrjedhojë, ishte politikë e këtij misioni të bënte të gjitha përpjekjet për të siguruar që BLO-të dhe BNCO-të kanë qenë të pranishëm sa herë që e lypte nevoja gjatë operacioneve. Gjithashtu, vinin raporte për aksione të kryera nga forcat zogiste si në rastin e Musa Picarit, Nik Sokolit e të tjerëve, gjatë të cilave nuk kishte pasur vëzhgues britanikë. Këto njoftime mund të kenë qenë të sakta, por meqenëse ato nuk mund të verifikoheshin, atëherë ato nuk përfshiheshin në listën e operacioneve të dhëna si më poshtë, në secilën prej të cilave kishin qenë dëshmitarë okularë BLO-të dhe BNCO-të.
Raportimet për operacionet
1 - 23 qershor: Shkatërrimi i Urës në Gjoles, përgjatë rrugës Shkodër-Tiranë nga çeta zogiste. Kjo urë ishte ura e tretë më e madhe në Shqipëri dhe ndodhej në një zonë që mbrohej nga gjermanët. Kjo ndodhi më shumë se një muaj përpara se gjermanët të ngrinin një urë të përkohshme që ruhej nga 60 ushtarë dhe në këtë periudhë, rruga kryesore Shkodër-Tiranë-Durrës ishte mbyllur dhe transporti gjerman (afro 200-300 automjete në natë) ishte detyruar në mënyrë të konsiderueshme të merrte një rrugë të tërthortë. Majori Smiley dhe rreshteri Jenkins ishin të pranishëm.
2. 6 shtator: Çeta zogiste sulmoi dhe mori në kontroll një pozicion gjerman, duke vrarë 10 gjermanë, përfshirë kapitenin e tyre dhe duke sekuestruar material luftarak, si dhe duke kapur robër 12 të burgosur italianë. Urës prej druri iu vu zjarri. Ky pozicion identifikohej si shtabi “3 Bty” i Regjimentit të Artilerisë 297. Kolonel-lejtënant McLean, majori Smiley dhe kapiteni Amery ishin të pranishëm.
3. 9-10 shtator (mbrëmje): Një çetë e përzier zogiste dhe balliste sulmoi një autokolonë që udhëtonte në rrugën nga Shkodra që do të mbërrinte pranë Prezës. Rezultati: 1 kamion me municione u hodh në erë, 2 kamionë u dogjën, afro 15 kamionë u plaçkitën dhe u dëmtuan; 8 motoçikleta të cilat u shkatërruan, 35 ushtarë gjermanë u vranë, 2 mitraloza të lehtë, 30 pushkë dhe materiale të tjera ushtarake. Lejtënanti Merrrett, rreshteri Jones and Corsentino ishin të pranishëm.
4. 10-11 shtator (mbrëmje): Çeta zogiste dhe rreshteri Jenkins minuan rrugën kryesore të Shkodrës. 3 kamionë u hodhën në erë.
5. 11/12 shtator (mbrëmje): Çeta zoriste, me majorin Smiley dhe rreshterin Jenkins, hodhën në erë urën prej betoni në rrugën kryesore të Shkodrës në G. 2558, duke bllokuar rrugën për tre net me radhë.
6. 12-13 shtator (mbrëmje): Çeta zogiste sulmoi autokolonën gjermane në Kulakumit G. 21 një autokolonë plot me 9 automjete e shkatërruar plotësisht nga zjarri dhe të gjithë ushtarët gjermanë u vranë apo u shpërndanë, përfshirë dy oficerë të xhandarmërisë. U sekuestruan mitraloza të lehtë, pushkë dhe material tjetër ushtarak. Një çantë e divizionit 181 të Trupave Alpine 21 gjendej mes dokumenteve të sekuestruara. Kolonel-lejtënant McLean, kapiteni Amery dhe rreshteri Jenkins ishin të pranishëm.
7. 14-15 shtator (mbrëmje): Pritë e çetës zogiste në rrugën Tiranë-Durrës, dy milje në veri të Tiranës. Vendosen mina; 1 kamion që transportonte ushtarë gjermanë u shkatërrua plotësisht, 1 kamion u dëmtua dhe 3 ushtarë gjermanë u vranë. Aksioni u prish ndërsa Fronti Nacional Çlirimtar nisi të sulmonte çetën zogiste pas shpine. Majori Smiley ishte i pranishëm.
8. 15 shtator (mbrëmje): Forca zogiste dhe të Turkestanit sulmuan dhe sprapsën një autoblindë gjermane që udhëtonte drejt Shkodrës. Kolonel-lejtënant McLean, kapiteni Amery dhe rreshteri Jenkins ishin të pranishëm.
9. 20 shtator: Një çetë e përbashkët zogiste dhe balliste sulmoi një autokolonë dhe në të njëjtën kohë hodhi në erë urën që gjendet në rrugën që të çon në Shkodër pranë Laçit. Një kamion u shkatërrua. Rreshteri Jenkins ishte i pranishëm.
10. 21 shtator: E njëjta çetë sulmoi një kolonë gjermane në rrugën e Shkodrës, duke e detyruar atë të tërhiqej. Rreshteri Jenkins dhe rreshteri Schoemaker ishin të pranishëm.
11. 24 shtator: Ura tek Hani i Teqes në rrugën kryesore të Shkodrës u hodh në erë dhe kolona gjermane u sulmua dhe u detyrua të tërhiqej nga çeta zogiste. Majori Smiley ishte i pranishëm.
12. 12 tetor: Zogistët sprapsën sulmin gjerman kundër shtabit të misionit britanik në Velsh. 3 viktima në radhët e gjermanëve e ndoshta më tepër. Kolonel-lejtnant McLean dhe kapiteni Amery ishin të pranishëm.
Partizanët, apo zogistët
Përveç këtyre aksioneve, më shumë se 200 shpues gomash u vendosën nga zogistët, BLO-të dhe BNCO-të dhe rezultuan të suksesshme. Duhet theksuar se të gjitha këto operacione u kryen nga forca të vogla në një kohë kur ofensiva e Frontit Nacional Çlirimtar kundër zogistëve ishte në kulmin e saj dhe kur letra që morëm nuk inkurajonte në asnjë aspekt ndihmën me furnizime dhe propagandë nga britanikët. Si rrjedhojë, rezultatet e siguruara mund të konsiderohen vetëm si një shprehje e pjesshme e potencialeve ushtarake të forcave të Abaz Kupit. Ata të misionit, që e kishin përjetuar shërbimin nga të dyja krahët, ishin të mendimit se megjithëse si njësi ushtarake partizanët e Frontit Nacional Çlirimtar, pa dyshim, që ishin superiorë në raport me organizimin, disiplinën dhe pajisjet e tyre, malësorët gegë, të cilët formonin trungun kryesor të forcave të Kupit, ishin luftëtarë më të mirë nga pikëpamja individuale.
Ndoshta është gjithashtu me vlerë të kujtojmë se kolonel-lejtënant McLean, majori Smiley dhe rreshterët Jenkins and Jones, të cilët kishin pasur gjithashtu përvojë me FNÇ, të gjithë binin dakord se secili prej tyre panë shumë kamionë gjermanë të shkatërruar dhe gjermanë të vrarë brenda tri javësh (6-24 shtator), kohë gjatë së cilës qëndruan më shumë me Kupin sesa me pjesën tjetër të 14 muajve të qëndrimit të tyre në Shqipëri.
Shërbimi Ushtarake: misionet e zbulimit
Personeli i misionit kreu tërheqjen e detajuar nga e gjithë zona e Durrësit, Shijakut, Vorës, Tiranës deri tek San Giovani De Medua, përfshirë mbrojtjen bregdetare, depot e municionit, urat, instalimet dhe postë-komandat gjermane dhe gjithashtu aerodromin dhe qytetin e Tiranës. Kjo u bë e mundur nga bashkëpunimi i plotë i Kupit, veçanërisht përsa u përket eskortave, guidave etj.
Agjentët
Kupi ishte gjithmonë i gatshëm t'i vinte oficerët dhe agjentët e tij në dispozicionin tonë për të siguruar informacion specifik dhe në përgjithësi vihej në vështirësi ta kalonte në duart tona një informacion të tillë ushtarak, ndërsa e siguronte përmes kanaleve të tij. Pjesa më e madhe e këtij informacioni sigurohej nga Franz Linder, një NCO në Byronë Operacionale Gekados, të trupave alpine 21, të shkatërruara nga zogistët që përfshinin detaje të urdhrit luftarak gjerman dhe urdhrit operacional për tërheqjen e trupave alpine 21 dhe 22 që besohet se ishin e vetmja njësi operacionale gjermane e sigurt përpara ekzekutimit.
Dokumentet
Abaz Kupi bëri përpjekje të mundimshme që të sigurohej se librat e pagesave, dokumentet e sekuestruara dhe traktet propagandistike të binin në duart tona. Veçanërisht një çantë e Divizionit 181 të shtabit të trupave malore 21 që përmbante informacione të rëndësishme, përfshirë vlerësime lidhur me situatën ushtarake dhe politike në zonën ku operonte Divizioni 181.
Inteligjenca politike
Kupi na mbajti të informuar për zhvillimet politike dhe shpeshherë bëri verifikime specifike me kërkesën tonë. Ai tentoi të dekurajonte shqiptarët e tjerë të viheshin në kontakt me ne, por asnjëherë nuk u përpoq të na pengonte të vendosnim çdolloj kontakti politik që dëshironim.
29 Tetor 2009