E Diel, 1 Nëntor 2026

Shitja e drogës, ndalohen tre shpërndarës heroine në Durrës



DURRËS – Hetimesh e vazhdueshme të policisë kanë bërë të mundur identifikimin dhe prangosjen e tre personave që shisnin heroinë në pika të ndryshme të qytetit të Durrësit. Aksioni për kapjen e tyre është bërë mbrëmjen e së martës. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Durrësit bëjnë të ditur se rreth orës 20.50 të dy ditëve me parë u bë prangosja e shtetasit Flamur Mema, 46 vjeç, lindur dhe banues lagja Nr. 9 në qytetin bregdetar, i dënuar më parë për veprën penale të “Vjedhjes”. Sipas tyre, arrestimi i tij u bë pasi u kap në zonën e tij të banimit duke shitur lëndë narkotike. Gjatë kontrollit të ushtruar nga punonjësit e policisë në banesën e tij u gjetën me vete 9 porcione me lëndë pluhur me ngjyrë bezhë, si dhe një qese farmaceutike e mbushur me pluhur që nga karakteristikat ngjason me lëndën narkotike të llojit heroinë, me një peshë të përgjithshme 8.85 gramë të cilën e kishte për shitje tek përdorues të ndryshëm. “Materialet do ti kalojnë Prokurorisë për hetime të mëtejshme në ngarkim të shtetasit Flamur Mema për veprën penale të “Prodhimit e shitjes së lëndëve narkotike”, - thonë burimet policore. Po në të njëjtën ditë, por në vende të ndryshme, policia e qarkut bëri ndalimet e dy personave të tjerë, të cilëve iu janë gjetur sasi të vogla heroine, të gatshme për përdorim. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se është arrestuar shtetasi Alfred Doçi, pasi iu gjetën 0.88 gram heroinë (lindur dhe banues në Lagjen Nr, 12) dhe Altin Deliallisi të cilit iu gjet dhe sekuestrua 1 gram heroin (lindur dhe banues në lagjen Popullore, Shijak). Të dy personat e ndaluar akuzohen për veprën penale të shitjes së lëndës narkotike.

Parandalohet vrasja, një person depresiv tentoi të vrasë me thikë 17-vjeçarin

TEPELENË - Falë ndërhyrjes së policisë është bërë e mundur të shmanget vrasja e një adoleshenti nga një person me gjendje të rënduar psikologjike gjatë një konflikti mes të rinjve në një qendër interneti në Tepelenë. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Gjirokastrës bëjnë të ditur se rreth orës 21.00 të ditës së martë specialistët për Parandalimin e Krimit kanë bërë arrestimi në flagrancë i shtetasit, Drilon Shehu, 25 vjeç, lindur dhe banues në Memaliaj të rrethit Tepelenë. Sipas tyre, ky shtetas rreth orës 16.00, të datës 27 tetor, teksa ndodhej në ambientet e një qendre interneti në qytetin e Memaliajt, ka tentuar të vrasë më thikë shtetasin D.K, 17 vjeç, lindur dhe banues në Memaliaj, për motive të dobëta. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 16.00, ku në Sallën Operative të Komisariatit të Policisë Tepelenë ka ardhur një telefonatë nga një qytetar se i kërcënohej jeta në një qendër interneti në Memaliaj. “Patrulla e Përgjithshme e Komisariatit të Policisë Tepelenë është ndodhur shumë afër pasi ishte duke patrulluar në qytetin e Memaliajit dhe ndërhyrja e menjëhershme e punonjësve të policisë së patrullës së përgjithshme si dhe e dy qytetarëve të ndodhur në qendrën e internetit kanë bërë të mundur që shtetasi që i kërcënohej jeta të shpëtonte pa marrë plagë, dhe agresori të izolohej dhe shoqërohej në mjediset e Komisariatit të Policisë Tepelenë ku dhe u bë arrestimi i tij në flagrancë:, - thonë burimet policore. Ky shtetas herë pas here ka shfaqur shenja të tronditjes psikike, ku, edhe në momentin që ka tentuar të vrasë me thikë shtetasin e lartpërmendur, ka qenë në gjendje depresive.

29 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›