Prokuroria: Pse shpërtheu Gërdeci
Laureta Rryçi
Prokuroria për herë të parë dje lexoi numëroi para gjykatës të gjitha faktet që shpjegojnë se përse shpërtheu fabrika e demontimit në Gërdec. Në kërkesën për gjykim në 108 faqe shkruhej se kjo tragjedi solli: 26 viktima, 27 persona të plagosur rëndë, 109 personave të plagosur lehtë nga kjo vepër penale, 67 persona me dëmtime të tjera të lehta, 61 persona të tjerë të trajtuar në spitale, për të cilët nuk është mundësuar përcaktimi i shkallës së dëmtimit, 5829 personave u është shkaktuar dëm material në vlerë 2 141 343 616 lekë, nga vepra penale e shkatërrimit të pronës me eksploziv, që përfaqësojnë shkatërrime dhe dëmtime banesa, biznese, orendi të tyre, 13 ferma bujqësore dhe blegtorale. Për ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu ishte hequr termi i pandehur dhe gjatë gjithë kohës thuhej shtetasi. Në seancën e djeshme trupi gjykues vendosi të rrëzonte të gjitha kërkesat e avokatëve duke futur procesin më në fund në fazat e shqyrtimit. Gazeta “Albania” publikon të plotë kërkesën për gjykim për këtë ngjarje që ka ndodhur me 15 mars të vitit 2008.
29 Tetor 2009