E Shtunë, 31 Tetor 2026

Importuesit kërkesë doganave për të hequr referencat doganore



Ervin KOÇI

Bizneset importuese nuk pranojnë të paguajnë më referenca fiktive për mallrat që futen nga vendet e Bashkimit Europian. Këtë kërkesë subjektet e import-eksportit ia kanë paraqitur zyrtarisht Administratës Doganore, pas kërkesave të përsëritura nga KE-ja si pjesë e MSA-së. Bizneset janë ankuar disa herë për referencat, ndërsa qeveria ka premtuar po aq herë reduktimin e tyre, pasi për t‘i hequr as që bëhet fjalë. Prej dhjetë vjetësh, sektori privat që importon mallra paguan taksa sipas vlerës së vendosur nga dogana. Pavarësisht faturës së mallit dhe origjinës nga vjen, doganat kanë aplikuar çmim reference, me qëllim rritjen e të ardhurave. Edhe pse me kod doganor thuhet se referenca aplikohet në ato raste kur dyshohet për vlerën e mallit që mbërrin në kufi, përdorimi i saj vendoset në çdo mall importi. Disa vite më parë, çmimi i referencave aplikohej deri në 75 për qind të rasteve, ndërsa tani arrin në rreth 27 për qind. Të paktën ky është niveli i pretenduar nga qeveria, kurse bizneset thonë të kundërtën. Madje, kundër qeverisë del edhe Bashkimi Europian, i cili ka nënshkruar me vendin tonë MSA-në, qëllimi i së cilës është "tregti pa barriera". Në raportin e fundit, kritikat rreth përdorimit të referencave kanë qenë tepër forta, por nuk shihet ende ndonjë tërheqje nga qeveria. Në këto kushte, biznesi industrial në vend ka ngritur dje zërin për heqjen e aplikimit të çmimeve të vendosura nga dogana, të paktën për lëndët e para të importit. Sipas tyre, situata në aktivitetin privat po përkeqësohet, për shkak edhe të krizës ekonomike.

Ankesat

Importuesit dhe Konfindustria shprehën të parët shqetësimin e tyre për mënyrën e vendosjes dhe të zbatimit të sistemit të referencave doganore, për lëndët e para të importit që përdoren për prodhim. Ndërkohë nga fasonistët është kërkuar dhe heqje e referencave edhe për prodhimet e gatshme të importit. Bazuar në studimin, që Konfindustria ka ndërmarrë përreth 3 muaj, është vënë re se në vendosjen e referencave doganore të prodhimeve të ndryshme konstatohet shmangie nga çmimet ndërkombëtare të tregut. "Çka është më shqetësuese, është se ndërkohë që kemi rritje të konsiderueshme në lidhje me referencat doganore të lëndëve të para të importit për mjaft prodhime të mbaruara të të njëjtit tip, çmimet e referencës kanë mbetur pa ndryshuar në nivele të ulëta krahasimisht çmimeve ndërkombëtare", tha administratori i përgjithshëm, Gjergj Buxhuku. Një ngushtim i tillë, sipas tij, i ndjeshëm në ndryshimin në vlerë të lëndëve të para me prodhimin e gatshëm ka vënë në vështirësi serioze industritë dhe prodhimin vendor shqiptar, duke ulur në shkallë të papranueshme konkurrencën ndaj prodhimeve të huaja me gjithë pasojat që vinë nga një dukuri e tillë. Mësohet se janë prekur sidomos industria mekanike, industria e përpunimit të mishit, industria e prodhimit të duraluminit, industria e prodhimit të pijeve joalkoolike, industria e prodhimit të birrës etj.

Paketa e masave

Biznesi industrialist ka përgatitur dhe do të dërgojë shpejt pranë Ministrisë së Financave dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave propozimet e tij të veçuara për çdo industri për të barazuar çmimet e referencës doganore me çmimet e tregjeve ndërkombëtare, me qëllim shmangien e dukurisë së mësipërme tepër të rëndë për prodhimin vendor. Buxheti po vuan aktualisht rënien e shpejtë të çmimeve të mallrave të importuara, gjë që pasqyrohet në të ardhura më të pakta fiskale. Për të zgjidhur këtë problem, qeveria i është drejtuar përdorimit të metodave ‘referuese‘, ku sasia e tatimeve dhe taksave të vjela, nuk varet më nga çmimet e tregut. Përdorimi i këtyre metodave ka sjellë edhe një rritje reale të ngarkesës fiskale për bizneset, rritje që në kushtet normale mund të kryhet vetëm përmes ligjeve të miratuara në Parlament.

Prifti: “Tatimorët u nxituan me bllokimin e kompanisë ARMO”

Ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti, e ka konsideruar bllokimin e punës në rafinerinë e Ballshit, si një veprim të nxituar të tatimorëve. Sipas tij kjo administratë po fsheh arsyen e vërtet të këtij urdhri. “Kompania ARMO mund të ketë probleme pasi nuk ka paguar një pjesë të taksave ndaj shtetit apo ndaj subjekteve të treta me të cilat punon, por që ta bllokosh për mungesë certifikate prodhimi, kjo më duket jo normale”- tha Prifti. Sipas tij, është faji i shtetit që nuk e ka shitur kompaninë pa dokumentacionin e duhur. Por “ARMO” rezulton edhe debitor ndaj “Alpetrolit”, kompanisë shtetërore të nxjerrjes së naftës. Prifti vijon më tej duke thënë se në kontratën e privatizimit nuk është e specifikuar se kush do ti paguajë borxhet e trashëguara. Sipas ministrit, “ARMO pretendon se e ka blerë këtë kompani pa detyrime, por ekspertët e ministrisë po merren me sqarimin e detajeve për të zgjidhur situatën”.

“Vodafone Mobile Connect”, internet kudo dhe në çdo kohë për të gjithë klientët

Vodafone Albania vijon të zgjerojë gamën e produkteve për të gjithë grupet e klientëve dhe së fundmi ka prezantuar “Vodafone Mobile Connect” (VMC), një produkt i veçantë që ofron lehtësisht dhe në çdo kohë shërbim interneti edhe tek grupi i abonentëve me plan tarifor me parapagesë, duke u bërë i vetmi operator që e mundëson këtë shërbim specifik për të këtë grup konsumatorësh. Paketa “Vodafone Mobile Connect” është shumë e lehtë dhe e thjeshtë për përdoruesin. Ajo përmban një kartë SIM dhe një pajisje USB. Përdoruesit i duhet vetëm të aktivizojë paketën dhe menjëherë do të mundet që të ketë internet në laptop-in ose kompjuterin e tij, përmes portalit USB. Ky shërbim mund të përdoret brenda dhe jashtë vendit. Për t’iu përshtatur kërkesave dhe buxhetit të konsumatorit, Vodafone jep mundësinë e zgjedhjes mes 5 llojeve të ndryshme të kartave rimbushëse në varësi të nevojës që kanë për të naviguar apo shkarkuar përmbajtje nga interneti dhe çmimi i kartave rimbushëse fillon nga 300 lekë. Veç aksesit të lehtë në Internet, përdoruesit e VMC kanë mundësinë e dërgimit dhe marrjes së mesazheve të shkurtra nga laptopi apo kompjuteri dhe mund të përfitojnë sasi SMS falas me çdo kartë rimbushëse që ata blejnë. “Vodafone Mobile Connect” për klientët me parapagesë është një tjetër produkt që i ofrohet tregut shqiptar për herë të parë nga Vodafone. Informacion i hollësishëm mbi këtë produkt mund të merret në çdo dyqan të Vodafone apo duke telefonuar në numrat 139 dhe 140.

29 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›