E Diel, 1 Nëntor 2026

Mjeku i SHIK-ut: “Në Vain pashë një burrë të torturuar”



Laureta Rryçi

Në qendrën sekrete të Shërbimit Informativ Shtetëror në Vain mbahej një person i torturuar si mos keq. Kështu ka nisur dëshmia e lexuar dje në sallën e gjyqit, në procesin gjyqësor te Krimet e Rënda për zhdukjen e Remzi Hoxhës. Në këtë mënyrë, në dosjen që po shqyrtohet nga kjo gjykatë është shtuar një tjetër fakt i rëndësishëm që lidh zhdukjen e biznesmenit shqiptaro-maqedonas me Shërbimin Informativ të asaj kohe. Seanca e radhës e gjyqit mbi zhdukjen e Remzi Hoxhës ka vijuar dje me leximin e dëshmisë së ish-shefit të Shëndetësisë në Shërbimin Informativ Kombëtar gjatë viteve 1992-1998, Ylli Xhaxhika. Prokurori i çështjes, Xhevat Hana, u detyrua të lexonte dëshminë e dhënë në vitin 2003 nga mjeku për shkak se Xhaxhika nuk jeton më. Kjo dëshmi, e lëshuar prej tij që në vitin 2003, tregon të gjitha detajet e vizitës që ai i ka bërë biznesmenit shqiptaro-maqedonas, i cili vetëm pak ditë më parë mbushi 14 vjet nga zhdukja e tij pa gjurmë.
Dëshmia
Në dëshminë e tij, Ylli Xhaxhika ka pohuar se ka vizituar një të panjohur, të cilin nuk e ka pyetur për emrin. “Ai ishte shumë i dobët fizikisht dhe në kushte të rënda higjienike. Unë nuk e kam pyetur për emrin”, - thuhet konkretisht në dëshminë, ku shtohet ndër të tjera edhe fakti se kjo vizitë është bërë në një vilë në Lezhë. Më tej mjeku ka shpjeguar se mbante mend se i torturuari kishte një shenjë operacioni në fund të barkut dhe vetëm këtë mund të mbante mend si shenjë identifikuese për të. Mjeku kishte deklaruar se ai kishte marrë urdhër nga eprorët e tij për të vizituar një të arrestuar që kishte pasur probleme serioze për shëndetin gjatë ditëve të fundit. Në dëshmi thuhej se një makinë e SHIK-ut e kishte marrë nga Tirana për ta dërguar në një vilë në Vain, që sigurisht ishte pronë që përdorej nga ky shërbim. Ai nuk jepte detaje pasi kishte marrë udhëzime të prera nga eprorët. Nuk duhej të pyeste apo të fliste me të arrestuarin përveç pyetjeve shëndetësore që ishin të domosdoshme për t’u bërë. Sipas prokurorit të çështjes, pavarësish se mjeku gjatë gjithë kohës nuk identifikonte personin që kishte vizituar me emër konkret, të gjitha të dhënat të linin të kuptoje se bëhej fjalë për Remzi Hoxhën. Dëshmia u mor nga Gjykata për t’u shqyrtuar në momentin kur do të jepet dhe verdikti për këtë dosje.
Letër-porosia
Më tej procesi gjyqësori vijoi me deklaratat e avokatëve se kishin përgatitur pyetjet për Abdyl Loshajn. Ata lexuan disa nga pyetjet që donin t’i bëheshin Loshajt në emër të klientëve që përfaqësojnë në sallën e gjyqit. Ata i kërkonin Loshajt të deklaronte para Drejtësisë kur kishte dëgjuar për emrin e tyre dhe a ishte takuar ndonjëherë me ta. Procesi gjyqësor ndaj Kumbaros dhe të pandehurve të tjerë, Arben Sefgjini dhe Avni Koldashi, ka nisur prej afro dy vitesh në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Para Gjykatës kanë dëshmuar mjaft dëshmitarë, të cilët kanë sjellë fakte mjaft të rëndësishme për zbardhjen e çështjes. Remzi Hoxha u mor peng më 21 tetor 1995 në Tiranë dhe prej atëherë nuk u mësua asgjë rreth fatit të tij. Ai dyshohet të jetë torturuar në bazën e SHIK-ut në Vain të Lezhës. Kumbaro dhe të pandehurit e tjerë akuzohen dhe për rrëmbimin e torturimin e Ziso Kristopullit dhe Avdyl Loshajt, të dy të mbijetuar.

Ekstradohet Tafil Zdrava nga Italia, ishte dënuar për trafik prostitucioni

TIRANË - Rreth 6 vjet pasi është dënuar nga Drejtësia për shfrytëzim prostitucioni, Tafil Zdrava është prangosur nga Interpoli italian për të vuajtur dënimin e dhënë nga gjykata. Burimet zyrtare të Policisë së Shtetit bëjnë të ditur se Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana, rreth orës 17:20, kreu ekstradimin nga Milano - Itali, drejt vendit tonë, të shtetasit shqiptar Bedri Tafil Zdrava, lindur në Kuçovë. Sipas tyre, 54-vjeçari Bedri Zdrava ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Berat, me vendimin nr. 64, datë 18. 06. 2003, e ka dënuar me 9 (nëntë) vjet burg, për kryerjen e veprës penale të shfrytëzimit të prostitucionit në rrethana rënduese. “Shtetasi i mësipërm ka detyruar me forcë shtetasen N. K. të ushtrojë prostitucion në Itali dhe në Francë. Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tiranës me Interpol Romën më datë 28.03.2009, u bë i mundur arrestimi, me qëllim ekstradimin drejt vendit tonë i shtetasit Bedri Tafil Zdrava”, - thotë zëdhënësja e Policisë së Shtetit, Laura Totraku. Në aeroportin “Nënë Tereza” në Rinas ky shtetas u është dorëzuar përfaqësuesve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

29 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›