Prençi largohet për motive shëndetësore, sot prezantohet kreu i ri i Policisë së Shtetit
TIRANË – Pikërisht në momentin kur nuk pritej, Ahmet Prençi e ka ndërprerë misionin e tij në krye të Policisë së Shtetit dhe mendohet se kjo lëvizje është bërë për shkak të gjendjes shëndetësore. Drejtuesi i forcave të rendit, i konsideruar i suksesshëm në misionin e tij, sidomos në periudhën gjatë zgjedhjeve parlamentare të qershorit të vitit 2009, largohet nga ky post pas rreth pesë vjetësh. Këshilli i Ministrave ka emëruar në këtë detyrë Hysni Burgajn, i cili deri dje ka qenë zëvendësdrejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit. Burime zyrtare bëjnë të ditur për mediat se dy javë më parë Prençi kishte paraqitur dorëheqjen për arsye shëndetësore, ndonëse ndryshimi i kreut të Policisë së Shtetit vjen vetëm pak javë pas emërimit të zotit Lulzim Basha si ministër i Brendshëm. Por, duke iu referuar burimeve, kryeministri Berisha ka pranuar kërkesën e Prençit për dorëheqje. Po dje, Këshilli i Ministrave mori vendimin për emërimin e drejtorit të ri. Ai është Hysni Burgaj, i cili deri dje mbante postin e zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm të Policisë, e konkretisht përgjegjës për Shërbimet Mbështetëse. Burgaj ka qenë komandant i Postës së Policisë në Qytetin Studenti, më pas drejtor i Policisë në Gjirokastër dhe në Kukës. Më 29 korrik të vitit 2008 ai është emëruar në Policinë e Shtetit në Tiranë, në pozicionin e zëvendësdrejtorit, duke zëvendësuar Arben Doçin. Hysni Burgaj është tani drejtuesi më i lartë i Policisë së Shtetit. Në muajt e fundit Ahmet Prençi, ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë, u përball me disa çështje të rëndësishme, siç ishte operacioni për kapjen e të shumëkërkuarit Dritan Dajti, i cili përfundoi me vdekjen e katër punonjësve të Policisë. Prençi zëvendësoi në këtë detyrë Bajram Ibrajn në vitin 2005.
29 Tetor 2009