E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pronat përplasin banorët e Orikumit me policinë,



ORIKUM- Përshkallëzohet situata mes protestuesve në Orikum të Vlorës dhe forcave të policisë. Revolta e ish-punonjësve të ndërmarrjes bujqësore ka arritur kulmin kur ata kanë qëlluar me gurë drejt bluve dhe makinave të policisë. Protesta ka degjeneruar në përplasje me banorëve dhe policisë, ndërsa mësohet se ka pasur dhe të shoqëruar nga protestuesit. Protestuesit kanë bllokuar punimet në zonë, duke akuzuar pronarët si zaptues të tokës. Nuk po gjejmë dot forma e mënyra për të drejtën tonë, në një kohë kur ligji nuk funksionon"- thanë banorët. Me dhjetëra persona kanë lënë vendin ku po bëhen punime dhe janë drejtuar në rajonin e policisë, ku kanë kërkuar lirimin e banorëve protestues.
Situata
Ish-punonjësit pretendojnë pronësinë mbi rreth 450 hektarë tokë të ish-ndërmarrjes bujqësore, që sipas tyre u takon pasi janë përfitues nga ligji 7501. Ata kanë nisur protestat prej ditësh, ndërsa gjatë dy ditëve të fundit situata është përkeqësuar deri në përplasje me protestuesve dhe policisë, e cila ka shoqëruar disa prej tyre. Burimet zyrtare në Qarkun e Vlorës nuk raportojnë për të plagosur, por në disa momente gjendja mund të dilte jashtë kontrollit. Banorët kanë dëmtuar zonën e rrethimit të objektit ku po bëhen ndërtime.
Problemi
Prej më shumë se një viti banorët e Orikumit, të cilët kanë qenë punonjës të ndërmarrjes bujqësore para viteve 1990, kërkojnë të jenë bashkëpronarë në trojet ku janë planifikuar për tu bërë investime.
Në muajin gusht ata janë drejtuar me një letër të hapur kryeministrit Berisha, duke i kërkuar angazhimin e tij në zgjidhjen e problemit disavjeçar. "Ne duam të trajtohemi si bashkëfshatarët tanë që me po këtë ligj, 7051, kanë marrë certifikatën e pronësisë së tokës duke i regjistruar në ZRPP, si Uji i Ftohtë në Vlorë, zona e Radhimës, Dukatit e Dhërmiut. Ne nuk do lejojmë disa pseudo-pronarë që me dokumente të falsifikuara duan të na grabisin tokat tona. Zoti kryeministër, ne duam që të luftojmë korrupsionin së bashku me ju, kemi besim se ju do na ndihmoni", janë shprehur banorët protestues. Ata kanë deklaruar se do të ngujohen në një grevë urie nëse nuk merren në konsideratë kërkesat e tyre.

Reagimi
PS: Protesta në Orikum, qeveria katandisi pronën në plaçkë lufte

TIRANË- Partia Socialiste ka reaguar pas ngjarjes së ndodhur në mesditën e djeshme në Orikum, ku banorët u përleshën me forcat e rendit, për çështjen e pronësisë. Gjatë një deklarate për mediat, deputeti Sajmir Tahiri e ka quajtur këtë ngjarjes pasojë të paaftësisë së qeverisë Berisha për zgjidhjen e problemit të mprehtë të pronësisë në vend.
"Ngjarja që ka ndodhur në Orikum të Vlorës tregon se problemi i pronësisë vazhdon të mbetet peng i korrupsionit dhe paaftësisë së një qeverie që mendon vetëm për interesat e pushtetit të familjes e që udhëhiqet vetëm nga oreksi i familjes në pushtet"- tha Tahiri.
Sipas tij, Sali Berisha duhet të jap llogari për katandisjen e pronës në plaçkë lufte të pushtetit, për nxitjen e mëtejshme në Shqipëri të konfliktit për pronën mes njerëzve të pafajshëm dhe për vetë konfliktin mes institucioneve që nuk veprojnë në bazë të ligjit, por në bazë të urdhrave e orekseve të pushtetit. Më tej ai në emër të PS-së i ka bërë thirrje të gjitha palëve të përfshira në konflikt, policisë së shtetit dhe qytetarëve të pafajshëm të Orikumit, të ruajnë qetësinë dhe të kërkojnë zgjidhjen ligjore të problemit të tyre të mprehtë.

Shkurt
Dokumentacioni, policia e Elbasanit sekuestron 200 automjete

ELBASAN – Rreth 200 automjete janë bllokuar vetëm në muajt e fundit nga sektori i policisë rrugore te Elbasanit. Qarkullimit Rrugor ka konstatuar këto automjete me mungesë dokumentacionesh ose me dokumentacion te falsifikuar. Sipas shefit të Qarkullimit Rrugor, Arben Gjidia, gjatë kësaj periudhe policia ka arritur të vjelë 7 milionë lekë të reja nga gjobat e vëna. Gjithashtu një aksion intensive është kryer edhe në pezullimin e 188 patentave për shkeljet e bëra nga drejtuesit e automjeteve. Këto variojnë nga tejkalimi i shpejtësisë, mosrespektimi i qarkullimit rrugor, mos mbajtja e krahut dhe deri tek pija alkoolike. Më pas Gjidia shpalosi statistikat sipas të cilave këto masa të marra kanë pasur efekt të konsiderueshëm.

Ndalohet polici, në gjendje të dehur qëlloi me pistoletë në ajër

DURRËS – Jo vetëm qytetarët por edhe forcat e rendit bëhen shpesh herë prishës të qetësisë publike. Një efektiv policie, në gjendje të dehur ka nxjerrë armën nga brezi dhe ka qëlluar tre herë në ajër. Burimet zyrtare të Policisë së qarkut të Durrësit bëjnë të ditur se dy ditë më parë, rreth orës 22.00 është ndaluar shtetasi Agron Sami Hasa, 37 vjeç, lindur në Kavajë, banues në lagjen Nr. 8 në qytetin bregdetar, me punë punonjës policie në burgun e Rrogozhinës. Sipas tyre, polici, duke qenë në ndikimin e alkoolit në një lokal tek rruga e re e ish-Kënetës, ka qëlluar 3 herë me pistolete në ajër. Të dhënat paraprake bëjnë të ditur se grupi hetimore po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

Arrestohet Avni Pashollari, kërkohej për plagosje dhe armëmbajtje

KORÇË – Një person i kërkuar për plagosje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje është prangosur nga policia. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Korçës bëjnë të ditur se mbrëmjen e së martës, rreth orës 21.00 ndaluan shtetasin në kërkim Avni Pashollari, lindur dhe banues në fshatin Girbec të Korçës”. Sipas tyre, 32-vjeçari ka qenë në kërkim i shpallur nga Komisariati i Policisë së Pogradecit, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Pogradec ka vendosur masë sigurie “Arest në burg” për veprën penale të “Plagosjes së rëndë me dashje” dhe “Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake dhe municionit”. Burimet sqarojnë se Pashollari më datë 26 shtator të këtij viti ka plagosur me armë zjarri një shtetas në fshatin Dardushë të Pogradecit.

29 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›