E Diel, 1 Nëntor 2026

Arkivi Camaj në Mynih pret shqiptarët ta pronësojnë

 

BASHKIM KUÇUKU

Në muajin prill 2009, me ftesë të Zonjës së nderuar Erika Camaj, së cilës i jemi thellësisht mirënjohës për privilegjin, patëm kënaqësinë e veçantë të hulumtonim në arkivin vetjak të shkrimtarit, gjuhëtarit dhe profesorit të shqipes në Universitetin e Mynihut, Martin Camaj. Zonja Erika, bashkëshortja e tij, mjeke kardiologe, e pasionuar pas poezisë dhe muzikës si një poete e vërtetë, e dashuruar gjithë jetën me Martinin, i ka krijuar kushtet më të përshtatshme në familje që ai t’i kushtohej tërësisht letërsisë dhe shkencës, pa kursyer as të hollat për botimin e tyre. Me humbjen e të shoqit, ajo ka sistemuar dhe mirëmban si në arkiv profesional gjithë trashëgiminë e tij. Dorëshkrimet, letrat dhe dokumente të tjerë i ka dorëzuar në Arkivin Shtetëror të Mynihut, ndërsa kopjen e tyre e ruan në arkivin e shtëpisë. Duke dëgjuar vazhdimisht Martinin, që i fliste për Shqipërinë dhe shqiptarët, dhe e familjarizuar me miqtë dhe kolegët më të afërt, bashkatdhetarë të tij, ajo e njeh mirë botën shqiptare, dhe, sikurse thotë vetë, e dashuron atë. Punën hulumtuese na i lehtësoi mjaft albanologu, përkthyesi i njohur i poezisë shqipe në gjermanisht, Hans-Joachim Lanksch, për të cilin falënderimet tona të përzemërta nuk na duken të mjaftueshme.
KA QENË DIKUR NJË MARTIN CAMAJ, I PËRJASHTUAR PREJ TË VETËVE
Ka qenë dikur një Martin Camaj. 44 vjet jetoi, punoi dhe krijoi larg atdheut, në Beograd, Romë, Mynih. Me përjashtim të disa intelektualëve shqiptarë të diasporës (Itali, Gjermani, Zvicër dhe SHBA), si dhe pak shkrimtarëve në Prishtinë, deri më 1990, askush nuk e dinte, që ishte edhe një poet, prozator, gjuhëtar dhe profesor i shqipes me formim letrar e shkencor evropian bashkëkohor. Institucionet e shtetit amë, si dhe institucionet e Kosovës, nën trysninë urdhëruese të Tiranës dhe të Beogradit, e kishin mohuar dhe përjashtuar krejtësisht nga e drejta e komunikimit njerëzor, letrar e shkencor me të vetët, sepse, sipas tyre, ishte armik dhe tradhtar, shkrimtar borgjez dekadent. Dhe, sikur të mos mjaftonte kjo, njohjen e lexuesit me veprën e tij e pengonin me të gjitha mënyrat dhe mjetet.
“Jam ngushtë për punën e librave letrarë të mij, në çdo pikëpamje, i shkruan mikut të tij, Atë Danjelit… prej të katër anëve ka fillue nji sabotim që mos të shpërndahen këta libra, as në diasporë, as në Kosovë e në Shqipni, jo që jo! Më kanë blokue krejtisht: prej kompletit të parë kanë hy në Kosovë nja 30; tash-asnji! Edhe njerëzit që njoh prej asaj ane, rrudhin shpatullat e më thonë “Martin, çdo (gjâ) bâj për ty, por librat tu s’guxoj as me i hapë! Rueji këtu! Zoti do e shlirohet puna”… P.S. Puna âsht e kjartë: blokimi vjen prej Tiranës e Belgradit.” (Letër Patër Danjelit, 6.2.82)
Ndërkohë, i vetmuar mes të huajve, dhe, larg e pa afinitetin e “njerëzve të tij”, siç shprehej, ai kishte shkruar një lloj poezie moderne bashkëkohore të cilësisë evropiane, të panjohur e të pangjashme me asnjë në tërësinë e letërsisë shqipe, një prozë realiste e moderne, një korpus studimesh gjuhësore, si edhe poezi e proza, botuar në anglisht, gjermanisht, italisht.
Dhe, krejt veprat letrare i ka botuar me sakrifica ekonomike, me paret e veta dhe të së shoqes, Erikës, duke kufizuar kërkesat e jetës. Po ashtu, 25 vjet ligjëroi shqipen në Universitetin e Mynihut (Gjermani), ku mësoi dhe formoi dhjetëra albanologë të huaj, ndër të cilët edhe Hans-Joachim Lanksch-in, nga miqtë e tij më të afërt.
Jetën, talentin, inteligjencën dhe gjithçka tjetër ia kushtoi letërsisë, studimit dhe mësimdhënies së gjuhës e kulturës shqiptare, të cilat ua la trashëgim shqiptarëve. “Edhe vullnetin me jetue e kam prej letërsisë”, pohon në një letër tjetër.
Me rënien e mureve politiko-ideologjikë midis shqiptarëve, në një vit e pak të pluralizmit, gazetarë, shkrimtarë, madje dhe krerë të politikës nga shteti amë dhe Kosova iu drejtuan me letra vlerësimi, me pyetje për intervista, me kërkesa për të botuar veprat e tij dhe për t’i ndihmuar e mbështetur ata në proceset demokratizuese, me ftesa për ta nderuar atë me tituj, etj. I sëmurë rëndë, edhe pse nuk i njihte vetat që i drejtoheshin, ai i mbështeti dhe i ndihmoi aq sa pati mundësi. Vetëm atëherë, poezitë dhe prozat e tij filluan të qarkullonin lirshëm në botën shqiptare. Kur ai, më në fund, mund të ishte me të vetët dhe të gëzonte komunikimin e lirë me ta, veçanërisht leximin dhe vlerësimin e veprës- dëshirën-ëndërr më të madhe, fatkeqësisht, u nda prej jetës (1992), pa i përjetuar kënaqësitë e mezipritura.
MARTIN CAMAJ ENDE NË MËRGIM DHE I MËRGUAR
Në afro 20 vjetët e institucioneve demokratike, poezia dhe proza e tij, kanë zënë vendin e merituar në programet dhe tekstet shkollore të së gjitha shkallareve, si dhe në studimet universitare dhe akademike në mbarë hapësirën kulturore shqiptare. Mirëpo, kjo ka qenë më e lehta dhe është arritur më tepër në sajë të pasionit, detyrimit shkencor e moral, sidomos të vlerësimit të njëmendtë të saj prej profesorëve. Veprat, edhe si libra, fillimisht në atdhe i dërgoi dhuratë autori, dhe, më pas, i solli lokomotiva TGV-e e vlerave të rëndësishme për të cilat letërsia shqipe kishte nevojë të ndjeshme, veçanërisht në ballafaqimin e saj me letërsitë e tjera evropiane. Po atje, në Mynih të Gjermanisë, kanë mbetur jeta, veprimtaria, bëmat, dorëshkrimet, fotografitë, orenditë dhe objektet vetjake muzeore, si dhe eshtrat e tij, për të cilat nuk ka pasur dhe nuk ka asnjë lloj interesimi për të sjellë prej tyre, diçka si shenjë në atdhe, prandaj, mund të thuhet se Martin Camaj është ende në mërgim, “të tijtë” vazhdojnë t’i rrinë larg e mos ta afrojnë, sikur të kishin mëri me të.
 Është riatdhesuar vepra në përgjithësi, por nuk është riatdhesuar shkrimtari me gjithçka tjetër, që ka mbetur e panjohur. Në Arkivin Shtetëror ose të Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë nuk ka asnjë dokument, faksimile të shkrimtarit ose fotokopje të tyre, madje në Arkivin e Shtetit nuk ka as dosje me emrin e tij. Për të, si dhe për institucionet e tjera të larta, siç ishte i paqenë dhe i panjohur më parë, ashtu është edhe sot. I paqenë dhe i panjohur ka qenë edhe për katër kryetarët e shtetit, që nuk i ka dhënë asnjë dekoratë, për “katërdhetë” kryeministrat që nuk i ka dhënë asnjë titull, për bashkinë e Shkodrës e të Tiranës që nuk dimë t’i kenë venë ndonjë institucioni arsimor e kulturor emrin e tij, etj., që do të thotë se, zyrtarisht, nga lart, ai nuk është riatdhesuar, ndërkohë, që, në Gjermani, në Mynih, me nisjativën e albanologut Hans-Joachim Lanksch është krijuar Shoqata Kulturore Gjermano-Shqiptare Martin Camaj, që ka për qëllim studimin, përhapjen dhe organizimin e veprimtarive për veprën e shkrimtarit.
Më 1996, me ndihmën financiare të Ministrisë së Kulturës, dhe, pa i dhënë asnjë shpërblim trashëgimtares, u bë një botim i pjesshëm në pesë vëllime, i cili, edhe ai, për interesa lëndore të dikujt, i u dha një Shtëpie Botuese të dorës së fundit, siç ishte Apollonia, që, nuk është më e për pasojë, prej 13 vjetësh ato nuk ridalin. Botimet e herëpashershme të Shtëpisë Botuese Camaj-Pipa, të cilat, thuajse nuk e kalojnë dot perimetrin e Shkodrës, si dhe ndonjë botim i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Prishtinës, i paracaktuar për studiuesit, janë, gati, edhe ato të paqena, në krahasim me botimet e vijueshme e qarkullimin e gjithandejshëm që meritojnë të kenë vepra të tilla. Praktikisht, me përjashtim të ndonjë librarie modeste në Shkodër, ato nuk gjenden në asnjë librari dhe, po ashtu nuk propagandohen në Panaire të Librit Shqip.
Sot e kësaj dite, asnjë institucion a botues privat, p.sh., nuk ka kërkuar të blejë të drejtën e botimit, sikurse blihet kudo në botë, ose, së paku, t’i ribotojë veprat rregullisht, duke paguar copyright-in, nga që mendohet se nuk sjellin shumë fitime, megjithëse do të zotërojnë një kapital kulturor kombëtar. Për arsye të tilla të rëndomta, ato përsëri nuk janë në qarkullim të përhershëm e në mbarë hapësirën shqiptare, dhe, ky, siç thoshte vet shkrimtari dikur për  mbylljen e shtigjeve që i bënte censura, është një “blokim”, sigurisht, tjetërsoj, me ndryshimin, se këtë herë nuk vjen prej shtetit dhe nuk është tërësor, por vjen prej pandjeshmërisë e mosinteresimit karakteristik shqiptar për ata që kanë qenë e janë larg, pra, edhe jashtë  vlerësimeve klanore, ose, që nuk kanë prej tyre ndonjë përfitim politik apo lëndor.
Interesimi i jashtëzakonshëm për veprën dhe vet Martin Camajn, SA QE GJALLË në PERËNDIM, në FILLIMET E PLURALIZMIT, nga institucionet qendrore kulturore, akademike dhe universitare, si dhe nga politikanë, shkrimtarë, studiues e profesorë, madje  edhe pjesëmarrja e Kryetarit të Republikës së Shqipërisë më 1997, në një përvjetor përkujtimor të zakonshëm, dhe, më vonë, pas vdekjes, braktisja e veprës dhe e veprimtarisë së tij, fatkeqësisht, sikur e pohon edhe në këtë rast, që kjo sëmundje e vjetër e mendësisë dhe e praktikës shqiptare vazhdon të zotërojë në to dhe në drejtuesit e tyre.
Publicistë, shkrimtarë e studiues me vlerësimet e tyre, sado të rralla, dhe, zakonisht, pa shkencë të mirëfilltë, kanë krijuar, mendimin e përgjithshëm të drejtë, se vepra e tij zë një nga vendet më të rëndësishme në letërsinë shqipe bashkëkohore. Gjithsesi, edhe ky mendim i meritueshëm njihet në disa rrethe tepër të kufizuara, në ato universitare e akademike, pa arritur  gjerësisht te mësuesit dhe nxënësit e shkollave parauniversitare, te mediat dhe, thuajse fare te lexuesit e brezave të mëparshëm. Me këtë njohje, që mund të quhet edhe rastësore dhe voluntariste, me këtë interesimin anësor, si për një shkrimtar të zakonshëm e të kuriozitetit, edhe pse tekstet e shkruara prej tij, tashmë, janë në atdhe e studiohen prej një pakice specialistësh, prapë se prapë, Martin Camaj, me veprat dhe bëmat e tij ende mbetet i mërguar nga të vetët dhe për të vetët. Ai do të shkulet prej mërgimit dhe do të bëhet i tyre kur të njihet e studiohet gjerësisht dhe, të propagandohet si të gjithë shkrimtarët e shkallareve më të larta të letërsisë shqipe.
SHTËPIA, BIBLIOTEKA, ARKIVI VETJAK
Shtëpia e Martin Camajt është në Lengris (Lenggries), me qetësi dhe rregullsi idilike të shekujve të kaluar, 50 km larg Mynihut, rrëzë Alpeve, në kufi me Austrinë, sikur shkrimtari ta kishte zgjedhur këtë vend për t’u çmallur me Alpet e vendlindjes. Fshati i vogël, por me një kishë të madhe në krahasim me banorët, është përhapur në mënyrë simetrike në një lëndinë, të ndarë me gjerdhe druri në pjesë të mëdha me gjelbërim të përhershëm prej barit, jonxhës, tërfilit, si dhe drurëve pyjorë, e, mes tyre, shtëpitë-vila dy-trekatëshe, qarkuar nga lehe lulesh të shumëllojta, e, diku, anash tyre hangari i orendive të blegtorit. Disa km larg Lengrisit është varreza, ku prehen edhe eshtrat e Martin Camajt, vetëm me një pllakë te koka, dhe pa asnjë salltanet tjetër, siç është e zakonshme në Gjermani, ku është shkruar emri, mbiemri dhe vitet e jetës, e, mbi to e qark tyre lule dhe bar. Tej mureve të saj të përzishëm fillon pylli i pafund që ngjitet malit përpjetë e shpërndahet gjithandej sa të ha syri në tokë e lart në qiell. Ata që marrin rrugën e pyllit për shëtitje, hyjnë apo nuk hyjnë në varrezë, pas trishtimit që u krijon ajo, sapo shkelin në pyllin madhështor, paanë e pafund, çlirohen menjëherë, dhe, kur janë në brendi të tij ngazëllehen sikur të kenë kaluar në kufijtë e një bote tjetër, absolute e të përjetshme.
Edhe shtëpia Camaj dykatëshe dhe me papafingo është mes një bahçeje me gjelbërim bari, drurësh dhe shumëngjyrësie lulesh, me një pellg uji, përbri të cilit është skulptura e një lope ulur. Nga dhoma e madhe e ndenjes nëpërmjet dyerve-dritare dilet në verandën e shtruar me gur, ku është edhe oxhaku që ndizte Martin Camaj për të kujtuar ritin e fëmijërisë në fshatin e tij, në Temal, e, prej andej kalohet drejt e në bahçe. Dritarja e kabinetit të punës së Martinit është nga kjo anë prej nga duket fshati, lëndina dhe fillimi i pyjeve, një fushëpamje tepër çlodhëse. Tryeza e punës, ndenjësja e rëndë, kompjuteri, stilolapsat dhe letrat janë gati si të presin shkrimtarin të kthehet nga universiteti ose nga pylli ku mblidhte drutë për zjarrin. Faqet e të tre mureve  janë krejt me rafte librash: enciklopedi, fjalorë të mëdhenj, të mesëm e të vegjël, libra të madhësive, me lidhje dhe mbulesa nga më të ndryshmet, nga më cilësoret, cilësore dhe të zakonshme, në shqip, gjermanisht, italisht, anglisht, më shumë albanologjikë. Seria e librave studimorë për gjuhën e letërsinë shqipe, numra të revistës Nëntori, Studime Filologjike, romane të Ismail Kadaresë dhe Jakov Xoxës, dhe të autorëve të tjerë shqiptarë, duke përfshirë edhe disa të realizmit socialist, si edhe romane të këtij lloji nga më të dobëtit të shkruar prej amatorëve (nga prania e tyre na shpëton padashje një buzëqeshje ironike), tregojnë vëmendjen e rigorozitetin shkencor me të cilat e ndiqte ai zhvillimin e tyre në atdhe.
Në mjedisin e ngucur me libra dhe revista është gjetur vend edhe për vitrinën katërkëndëshe të breshkave, e ngritur ndonjë metër dhe e mbyllur me qelq nga të katër anët, për të krijuar, me sa duket, jo vetëm idenë e ekspozitës, por edhe për t’u mbrojtur nga shpërdorimet. Guaska natyrore dhe artificiale të breshkave të llojeve, madhësive e ngjyrave nga më të ndryshmet, sa nuk mund të të ketë zënë syri ndonjëherë. Breshka ka qenë gjallesa më e adhuruar prej tij, madje, në mendje dhe në krijimtari, e ngritur në mit. Titulli i veprës së tij të famshme Dranja, vjen nga emri heroinës së saj alegorike, që është një breshkë. “Ja, edhe breshkat e famshme”, thashë me zë, duke parë koleksionin e tyre. Dhe, me që jam në kërkim të zanafillës bio-psikologjike të këtij pasioni a obsesioni të shkrimtarit për breshkën, i u drejtova Zonjës Erika:
- Përse e adhuronte breshkën Martini?
- Do ta sqarojmë edhe këtë, - më premtoi ajo.
Por, pyetjet e mia, në bisedat e pandërprera,  në mëngjes, gjatë ngrënies, në shëtitje dhe pasmesnate, ishin aq të shumëllojta, dhe dy ditët e ndenjes aq të pamjaftueshme, sa nuk na ra më ndërmend për breshkën.
vijon...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›