Dade: Protestat do përshkallëzohen
Partia Socialiste i ka bërë apel qytetarëve të mbështesin PS-në në përpjekjen e saj për të bërë transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit. Sekretarja për Marrëdhëniet me Jashtë në PS, Arta Dade, i bëri thirrje edhe qeverisë të përmbushë kërkesat e opozitës. “Në mbrojtje të demokracisë, Partia Socialiste do të përshkallëzojë luftën e saj politike, duke nisur me mitingun e datës 10 tetor, ku janë ftuar të marrin pjesë të gjithë qytetarët që gjykojnë se është cenuar themeli i demokracisë – zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Në vend që Sali Berisha të vazhdojë të bëjë thirrje të pasinqerta për bashkëpunim për reformën elektorale me Partinë Socialiste duhet të përmbushë kushtet që opozita ka vendosur për pjesëmarrjen e saj në Parlament”, u shpreh Dade. Lidhur me procesin e liberalizimit të vizave, Dade tha se “vlerësojmë vëmendjen e Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Evropian ndaj liberalizimit të vizave me Shqipërinë dhe Bosnjën, si dy vende të mbetura të fundit në këtë proces”.