PS: Asgjësimi i kutive me pasoja të rënda për vendin
PS paralajmëron se asgjësimi i kutive të votimit mund të ketë pasoja të rënda për vendin. Pas deklaratës së kreut të KQZ-së, Ristani se kutitë e 28 qershorit mund të asgjësohen, Partia Socialiste i adreson një letër të hapur Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, përmes të cilës i kërkon mosasgjësimin e kutive të votimit, duke nënvizuar se këqyrja e dokumentacionit në kutitë e 28 qershorit është i domosdoshëm për të zbardhur atë që ata e quajnë “krim elektoral i zgjedhjeve”. Në lidhje me kërkesat e PS, drejtuar KQZ përmes kësaj letre, është vënë në dijeni edhe Ambasada Amerikane, prezenca e OSBE në Tiranë dhe Delegacioni i Komisionit Evropian. “Për kryerjen e hetimit të disa aspekteve të procesit zgjedhor të 28 qershorit, Partia Socialiste e Shqipërisë konsideron se është e domosdoshme këqyrja e dokumentacionit përkatës në kutitë e materialeve zgjedhore të përdorura në këto zgjedhje”, theksohet në letrën e PS drejtuar KQZ-së. Sekretari për çështjet ligjore në PS, Xhafaj kërkon mosprekjen e kutive pasi mund të sjellë rrezik serioz për vendin, ndërsa thekson se çdo përpjekje e nxituar për asgjësimin e fletëve të votimit, do të përbënte një veprim të motivuar politikisht. Xhafaj i sjell në vëmendje Komisionit Qendror përmes kësaj letre se një kërkesë e tillë është marrë në konsideratë nga ky institucion pas zgjedhjeve të vitit 2001 dhe atyre vendore të vitit 2003. PS kërkon gjithashtu nga KQZ të mundësojë akses përfaqësuesve të PS, për të vëzhguar nga afër dhe në mënyrë periodike ambientet ku ndodhen kutitë e votimit me qëllim rritjen e transparencës dhe sigurisë në lidhje me paprekshmërinë e tyre.