Socialistët, letër KQZ e ambasadorëve: Mos preken kutitë, Ristani: Ne do zbatojmë ligjin
Aristir Lumezi
Kutitë e votimit mund të hapen, politika të bëjë transparencën. Ish presidenti i Republikës, Rexhep Meidani, kërkoi dje hapjen e kutive të votimit që opozita kërkon. Të gjendur në një tryezë, dy ish presidentët, Meidani dhe Moisiu, mbështetën qëndrimin e opozitës për hetimin e disa kutive të votimit të zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit. “Edhe në deklaratat e djeshme të zotit Moisiu, theksohet se duhet të bëhet një proces transparent që t’i jepet popullit nëpërmjet hapjes së kutive. Politika apo institucionet nuk do t’i përgjigjen, sepse kutitë tek-tuk fshehin realitetin konkret, qoftë të cilësisë së votës, qoftë dhe orientimit të saj”, u shpreh Meidani. Kjo deklaratë e ish presidentit u bë gjatë ceremonisë së promovimit të librit të pasardhësit të tij, Alfred Moisiu, “Midis Nanos dhe Berishës”. Ish presidenti Moisiu tha se “gjërave duhet t’u shkohet deri në fund”. Dy ditë më parë, mbështeti kërkesën e opozitës për të hapur kutitë e votimit. Sipas tij duhet t’i jepet fund manipulimit të zgjedhjeve. “Nuk ka se si mos të bëhet, hapja e kutive të votimit do t’i japë fund procesit të deformimit të votës dhe do të shërbejë për t’i dhënë fund në proceset e tjera zgjedhore manipulimit të votës”, u shpreh nga Berati, Moisiu. Por ish-presidenti i Republikës, Alfred Moisiu, mbështet bojkotin e opozitës për moshyrjen në Parlament. Sipas tij, çështja e manipulimit të zgjedhjeve duhet të mbyllet me hapjen e kutive të kundërshtuara nga opozita. “Çështja e manipulimit të zgjedhjeve duhet të marrë fund njëherë e mirë. Nuk mund të them se është apo jo bojkoti mënyra më e mirë, por gjykoj se kjo është një përpjekje që vërtet kërkon që të përfundojë njëherë e mirë manipulimi i zgjedhjeve në Shqipëri”, u shpreh Moisiu. Ndryshe nga pasardhësi i tij, Rexhep Meidani, ish-sekretar i Përgjithshëm i PS-së, gjatë viteve të opozitës ‘92-‘97 ndan mendim të kundërt me Moisiun për çështjen e bojkotit të Parlamentit. Sipas tij, bojkoti e dobëson PS-në në një përpjekje që nuk ka dhënë rezultat sa herë është aplikuar. Ish-presidenti është shprehur se Partia Socialiste do ta kuptojë shumë shpejt se qenia jashtë Parlamentit do ta dëmtojë atë dhe kjo është vërejtur edhe në përvojat negative të mëparshme. Po ashtu, ish kreu i shtetit është shprehur se shpreson që forca e tij ta kuptojë që nuk mund t’i rezistojë bojkotit Parlamentar dhe të rikthehet në parlament për të arritur qëllimet e saj nëpërmjet këtij institucioni. “Natyrisht që ne kemi një përvojë negative nga teknikat e bojkotit. Ato e dëmtojnë jetën brenda partisë dhe në mënyrë të veçantë të gjithë jetën parlamentare, reagimin parlamentar të një partie politike. Dhe unë besoj dhe shpresoj që shumë shpejt do ta kuptojë që nuk mund t’i rezistojë bojkotit parlamentar, sepse do të dëmtojë veten e saj, strukturat e saj, se do të dëmtojë të ardhmen e saj dhe në mënyrë të veçantë edhe të ardhmen e vendit”, është shprehur ish presidenti Meidani, pak ditë më parë në lidhje me bojkotin e grupit të deputetëve socialistë. Pas kongresit të 29 gushtit, socialistët vendosën të bojkotojnë Parlamentin, duke i paraqitur maxhorancës disa kushte që lidhen me transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit. Socialistët i kërkojnë maxhorancës miratimin e një ligji të posaçëm, i cili do t’u lejonte atyre, pa vullnetin e maxhorancës parlamentare, hetimin dhe hapjen e disa kutive të votimit në Tiranë, Shkodër dhe Berat, ku ata kanë hedhur dyshime për tjetërsim të rezultatit zgjedhor në to. Në mungesë të një përgjigje të kërkesave të tyre, socialistët do të organizojnë ditën e shtunë një protestë popullore në sheshin “Skënderbej”, për të sensibilizuar qeverinë e më shumë opinionin ndërkombëtar për domosdoshmërinë e hapjes së kutive të votimit. Dy ditët e fundit, deklaratat e kryetarit të KQZ-së për djegien, sipas ligjit, të materialeve zgjedhore të 28 qershorit, në prag të zgjedhjeve të pjesshme në pesë komuna dhe bashki, ka krijuar reaksion në radhët e socialistëve të cilët e kanë cilësuar këtë veprim si provokim ndaj kërkesës së tyre për hapjen e kutive të votimit.
Ristani: Kutitë i djegim nëse na duhen
BLEDAR HOTI
Kreu i KQZ-së, Arben Ristani, përkundër kërkesës së PS-së për mosdjegien e fletëve të votimit, shprehet se institucioni i tij do të marrë një vendim për asgjësimin e tyre në rast se del e nevojshme. Për kryekomisionerin Ristani procesi ligjërisht është mbyllur dhe nuk ka pasur asnjë ankesë nga ana e komisionerëve, vëzhguesve apo numëruesve të partive politike. “Procesi është i mbyllur, i cili ka kaluar të gjitha filtrat ligjore, që vetë forcat politike kanë përcaktuar. Procesi ka siç e dini dhe po jua përmend ka një procesverbal të grupit të numërimit, i cili nxjerr një rezultat e përpilon rezultatin dhe e firmos, ka librin e protokollit të mbledhjeve, apo procesverbalin e shënimeve ku asnjë nga vëzhguesit nuk ka lënë asnjë shënim. Ka 7 komisionerët, ku shumica ka qenë e majtë ose e djathtë në 50 për qind të rasteve, të cilët kanë firmosur rezultatet plotësisht, kemi ndjekur zhvillimin në KQZ, kemi ndjekur apelimet në Gjykatën e Apelit dhe procesi është i mbyllur”, deklaroi Ristani. Duke sqaruar pozicionin e KQZ-së në lidhje me këtë çështje kryekomisioneri theksoi se: “Unë di të them se ç’ka Kodi Zgjedhor për mua është proces i mbyllur, se ç’bën politika është problem i politikës, në rast se do të ndryshojnë ligjin apo do të vendosin sipas kompetencave të tyre, ne do të zbatojmë ato që na ngarkon ligji për të zbatuar”. Lidhur me kërkesën e PS-së, Ristani theksoi se do të merret një vendim i tillë, vetëm në rast se lind e nevojshme për shkak të zgjedhjeve lokale të pritshme më 15 nëntor. “Ne do të vlerësojmë nevojat, në rast se na duhet ne do të zbatojmë ligjin. Mund t’ju them se është një ligj i miratuar me konsensus të plotë i të gjitha palëve dhe ligji nuk mund të zbatohet çapraz një herë majtas dhe një herë djathtas. Nuk kemi asnjë nxitim në këtë histori, ne zbatojmë ligjin dhe shikojmë nevojat për të përmbyllur procesin, të cilin na e vendos ligji si detyrë për ta mbyllur”, theksoi Ristani. Shqetësimi i PS-së lidhet me faktin se me vendimin e KQZ-së për djegien e fletëve të votimit realizohet me një shumicë të thjeshtë, pra me katër votat e anëtarëve. Nisur nga kjo PS-ja kërkon që ky institucion të mos nxitohet në këtë situatë. Por Ristani theksoi dje se ka edhe kuti të lira, por sigurisht ka edhe të mbushura. Gjithsej ky institucion ka 10 mijë kuti votimi të mbushura me fletët e votimit dhe me procesverbalet e votimit. Ndërsa në zgjedhjet e pjesshme vendore të 15 nëntorit nevojiten 130 kuti gjithsej.