Bogu: “Dua të prish planet e Ibrës”
“Me Kombëtaren e Shqipërisë u prisha planet Portugalisë e Danimarkës, tani është radha e Suedisë së Ibrahimoviçit”. Kjo është deklarata e bujshme e Erjon Bogdanit, sulmuesit kryesor të përfaqësueses sonë të futbollit, dhënë faqes italiane të internetit, Italsports.it, pak orë përpara se “pyka” e Kievos në Serinë A italiane të nisej drejt Gjermanisë për t’u bashkuar me pjesën tjetër të lojtarëve të Kombëtares në Limburghof, aty ku dhe kuqezinjtë po përgatiten për sfidën kundër Suedisë. Vetëm një ditë më parë, për “Vizion Plus”, Bogdani e konsideroi ndeshjen kundër Ibrahimoviçit me shokë si shumë e vështirë. “Megjithatë Shqipëria nuk ka se çfarë të humbë me Suedinë. Kemi zhvilluar dy ndeshje shumë të mira me Portugalinë e Danimarkën në Tiranë. Megjithatë, unë them se përballja me Suedinë është një ndeshje shumë e vështirë. Shpresojmë të marrim një rezultat pozitiv dhe të ruajmë vazhdimësinë e rezultateve pozitive”, - autor i 12 golave në 52 ndeshje me përfaqësuesen. Bogu ka shënaur 3 gola në këto eliminatore, dy prej të cilëve kundër Portugalisë (1-2) e Danimarkës (1-1).
KIEVO
Sulmuesi shqiptar foli edhe për momentet që po kalon me skuadrën e tij në Itali, Kievon, sidomos për ndeshjen e fundit kundër Kaljarit në kampionatin italian. “Në Kaljari nuk luajta mirë, por fituam dhe kjo është gjëja që vlen, - tha Bogdani për italsports.it. “Nëse luaj keq dhe ndërkohë skuadra në ndeshjet e ardhshme jam gati të vendos firmën. Për momentin, duke parë se jemi vetëm në javën e shtatë mendojmë vetëm për shpëtimin. Nëse do të arrijmë shumë shpejt në kuotën e 40 pikëve mund të mendojmë edhe për objektiva të tjerë”.
Kombëtarja, sot testi me Hasloh
Kombëtarja e Shqipërisë do të luajë sot kundër amatorëcve të FC 08 Hasloh, një takim tërësisht me karakter stërvitor, pasi dhe ndeshja do të luhet me nga dy pjesë me nga 25 minuta secila.
BULKU
Asgjë për tu shqetësuar për Ervin Bulkun. Sipas menaxherit të Kombëtares, Denis Bastari, mesfushori shkatërrues i Krivbasit do të stërvitet me grupin. Në “rezidencën” gjermane të përfaqësueses, në Limburgerhof, mbërriti edhe mbrojtësi i Apolonisë, Maringlen Shoshi.
BILETAT
Tetë euro do të kushtojë bileta më e shtrenjtë në ndeshjen miqësore SpVgg Greuther Fürth-Shqipëri, takim që do të luhet, më 10 tetor, ora 14:00 në “Playmobil-Stadion”. Bileta më e lirë është 3 euro, kjo për moshat nga 14-17 vjeç. Për fëmijët nën moshën 13 vjeç hyrja do të jetë e lirë.
Lienen: “Dua ta shoh vetë Skelën”
Trajneri i TSV 1860 Muenchen, Evald Lienen, dëshiron ta shohë personalisht në aksion Ervin Skelën, gjatë ndeshjes miqësore të Kombëtares së Shqipërisë kundër SpVgg Greuther Fürth (të shtunën, ora 14:00). “Mund të ndodhë, që të shtunën të udhëtoj drejt Furthit” , - citohet Lienen nga “Tages Zeitung”. Kapiteni i Shqipërisë, 32-vjeçari Ervin Skela, pritet të firmosë një kontratë me skuadrën gjermane të Bundesligës 2. Bashkë më trajnerin Evald Lienen do të jetë dhe drejtori sportiv, Miki Steviç. Menaxheri i Skelës, Bernd Cullmann, ritheksoi se nëse “Skela do të bëjë një paraqitje bindëse, mund të realizohet edhe firmosja e kontratës”. Mesfushori shqiptar do të vëzhgohet nga afër edhe ne ndeshjen zyrtare kundër Suedisë.
8 Tetor 2009