Kapet vrasësi, tentoi arratinë
Etleva Delia
Policia e Tiranës dhe Elbasanit kanë arrestuar mëngjesin e djeshëm një të shumëkërkuar për vrasje të dyfishtë të ndodhur tetë vite më parë. Osman Krasniqi, 50 vjeç ka përfunduar në pranga pasi akuzohet se në mes të ditës, në sytë e dhjetëra dëshmitarëve ka vrarë me armë zjarri Dashamir Kanellarin dhe Tahir Mysliagën, në lagjen "Skënderbej" të Elbasanit. Operacioni i koduar "Farka" i forcave të policisë së Komisariatit Nr.1 është zhvilluar në afërsi të kthesës së Sanatoriumit në Sauk të Tiranës. Ngjarja për të cilin akuzohet i arrestuari Osman Krasniqi ka ndodhur në vitin 2001 në qytetin e Elbasanit, ku i akuzuari pas një konflikti të momentit me dy persona, nuk ka nguruar që t'i qëllojë për vdekje me armë edhe pse në atë moment në vendin e ngjarjes kishte dhjetëra qytetarë. Për këtë ngjarje autori u shpall fajtor dhe u dënua në mungesë me 25 vjet burg për veprën penale të vrasjes me dashje të dy personave, vendim i cili edhe pasi u apelua në Gjykatën e Apelit në Durrësit më 10 dhjetor të vitit 2001, u la sërish në fuqi. Që nga ai moment autori i krimit u shpall në kërkim dhe pas 8 vitesh u arrestua dje në Tiranë.
OPERACIONI
Pas disa informacioneve të marra në rrugë operative, se personi i shumëkërkuar për vrasje po lëvizte me automjetin e tij tip "Audi" nga Elbasani në drejtim të Tiranës, menjëherë u morën masa dhe u ngrit një pikë kontrolli tek kthesa e Sanatoriumit në Sauk. Fillimisht oficerët e policisë kanë ndaluar automjetin, me të cilin po udhëtonte i kërkuari Osman Krasniqi dhe i kanë kërkuar dokumentacionin përkatës për verifikim. Burime nga policia sqaruan se fillimisht 50-vjeçari u ka deklaruar se ishte tregtar ambulant frutash, madje u ka treguar edhe bagazhin e makinës ku kishte futur hurma, duke u thënë se po shkonte t'i shiste në treg. Më pas u ka dhënë dokumentet e identifikimit, që sipas policisë dyshohet se ishin të falsifikuara.