E Shtunë, 31 Tetor 2026

Subashi: Kemi kuti bosh, nuk ka ngutje për zgjedhjet e pjesshme

 

Nënkryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Dëshira Subashi, tha dje se nuk ka ngutje për lirim të kutive të votimit që u përdorën më 28 qershor. Sipas saj, në magazinat e KQZ-së duhet të ketë kuti bosh, të cilat nuk janë përdorur gjatë zgjedhjeve të fundit. “Në dijeninë time, në magazinat tona ka kuti bosh. Nuk besoj se ka ndonjë ngutje për zgjedhjet e pjesshme, për shkak se kërkohen shumë pak kuti, pasi votohet vetëm për kryetarin e komunës apo të bashkisë. Ngutje do të ishte nëse do të ishim  përpara zgjedhjeve për Pushtetin Vendor të 2011”, u shpreh Subashi. Sipas numrit dy të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, që të bëhej një bllokim i bazës materiale ndaj asgjësimit, PS duhet të kishte dërguar një kërkesë zyrtare në komision. “PS nuk ka paraqitur një kërkesë që të kërkojë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mosasgjësimin e kutive të veçanta të votimit, për shkak të hetimit që ajo kërkon të bëjë. Një praktikë e tillë është ndjekur dhe më parë në KQZ”, u shpreh Subashi. Sipas saj, një vendim për asgjësimin e bazës materiale zgjedhore nuk merret për një pjesë të kutive, por për të gjitha kutitë sëbashku. Sipas ligjit zgjedhor, nuk ka një afat kohor se pas sa kohësh, nga shpallja e rezultatit zyrtar dhe përfundimit të ankimimeve, KQZ duhet të vendosë për asgjësimin e fletëve të votimit të zgjedhjeve të fundit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›