Celibashi: PD na kërkoi ruajtjen e kutive në 2001
Ish-kryetari i KQZ-së, Ilirjan Celibashi, duke sjellë në vëmendje përvojën e tij gjatë drejtimit të këtij institucioni, tha se në 2001 dhe 2003, pas kërkesës për komision hetimor për zgjedhjet, PD i ka dërguar kërkesa këtij institucioni për ruajtjen e materialeve zgjedhore. “Në vitin 2001, por dhe në 2003, kemi pasur korrespondenca të shumta me PD, e cila kërkonte përmes kërkesave zyrtare mosasgjësimin e bazës materiale zgjedhore, për shkak të hetimit që ajo kërkonte të bënte në Parlament. Këto kërkesa na kanë detyruar që ne të shtyjmë, për një periudhë më shumë se njëvjeçare, asgjësimin e bazës materiale të zgjedhjeve”, u shpreh Celibashi. Sipas tij, e njëjta gjë duhet të ishte bërë dhe në rastin konkret, kur KQZ nuk është informuar fare zyrtarisht për hetimin parlamentar që pritet të bëhet.