Arkivi i Filmit dhe familja festë për 75-vjetorin e Todi Bozos
Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit dhe familja Bozo organizojnë një festë me rastin e 75-vjetorit të lindjes së producentit dhe regjisorit Todi Bozo. Kineastë dhe artistë, miq të Todit, do të festojnë së bashku ditën e hënë (27 Prill). Me këtë rast do të projektohen edhe një klip me punët e kineastit të vjetër si dhe do të prezantohet një libër me mbresa e kujtime nga artisti 75-vjeçar, ndërkohë që miqtë do të tregojnë episode që u kanë mbetur në kujtesë nga puna dhe jeta me Todi Bozon. Regjisori dhe producenti i filmit dokumentar lindi më 27 prill 1934 në Lushnjë.
Ai studioi ne Institutin Kinematografik VGIK për producent filmi, duke u bërë kështu i pari kuadër i lartë profesional në fushën e produksionit kinematografik. Filloi punë në Kinostudion “Shqipëria e Re” më 1959-n. Karrierën e nisi si bashkëproducent në bashkëprodhimin shqiptaro-sovjetik “Furtuna” (1959), më pas në filma të tjerë artistikë të Kinostudios si “Debatiku” (1961), “Detyrë e posaçme” (1963), “Vitet e para” (1965), “Oshëtimë në bregdet” (1966), “Ngadhnjim mbi vdekjen” (1967), “Plagë të vjetra” (1969) etj. Ai është gjithashtu, regjisor dhe skenarist i “Lugina e pushkatarëve” (1970). Në vitin 1971 emërohet zv.drejtor i Kinostudios, ku dha një ndihmesë të vyer në produksionet filmike dhe në përgatitjen e një brezi të tërë producentësh të kinematografisë. Në vitin 1983 kaloi si regjisor i filmit dokumentar dhe deri në vitin 1991 xhiroi rreth 25 dokumentarë.
24 Prill 2009