E Diel, 1 Nëntor 2026

Masakra e Suharekës, dënohen 4 ish-policë serbë në Beograd



Një gjykatë për krime lufte në Beograd shpalli fajtorë katër ish-policë serbë në lidhje me rolin e tyre në masakrën ndaj 48 shqiptarëve të Kosovës në Suharekë në mars të vitit 1999.
Të katër serbët u dënuan me nga 13 deri 20 vite burg. Gjyqtarët serbë e konsideruan këtë masakër më të madhen ndaj civilëve në luftën e vitit ‘98-‘99. Mes viktimave ishin dhe 14 fëmijë, dy foshnja, një grua shtatzënë dhe një e moshuar. Ky proces gjyqësor zgjati tre vjet dhe dy nga personat e akuzuar u dënuan me 20 vjet burg, një tjetër ish-polic u dënua me 15 vjet burg dhe i fundit me 13 vjet burg. Megjithatë, ata janë mbrojtur duke thënë se ishin të pafajshëm. Tre persona të tjerë të akuzuar për këto vrasje u shpallën të pafajshëm. Në Serbi ky gjyq përbën një ndryshim të madh në lidhje me qëndrimin e deritanishëm antishqiptar. Në gjyq pati dëshmi nga 100 persona. Një grua e mbijetuar tregoi se ishte shtirur si e vdekur dhe ishte hedhur bashkë me kufomat e tjera në një kamion për t’u varrosur në varr masiv. Por ajo kishte shpëtuar pasi ishte hedhur nga kamioni. Viktimat u varrosën në një varr masiv në periferi të Beogradit. Autopsia tregoi se viktimat ishin ekzekutuar me armë.

24 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›