Zanieri: “Në Kosovë do të kem rolin e vëzhguesit”
Shefi i misionit të OKB-së në Kosovë, Lamberto Zanieri, në një intervistë ka bërë të ditur se roli i tij në të ardhmen do të jetë ai i vëzhgimit të punës të misionit të EULEX-it, të institucioneve të Kosovës dhe atyre serbe në veri. Ai tha se me përfundimin e rikonfigurimit të misionit, do të mund të propozojë ndryshimin e emrit të UNMIK-ut dhe të zinxhirit komandues të tij brenda OKB-së. Shefi i UNMIK-ut tha se përsa i përket largimit përfundimtar të misionit nga Kosova, i takon Këshillit të Sigurimit të OKB-së që të vendosë për këtë çështje. Në këtë intervistë Zanier shpjegoi se u është bërë thirrje edhe Prishtinës edhe Beogradit që të krijojnë kushtet për një dialog të drejtpërdrejtë mes tyre, për çështjet e interesit të përbashkët, megjithëse sipas tij, një dialog i ndërmjetësuar tashmë po zhvillohet në terren. Shefi i UNMIK-ut tha se në rast të një dialogu të drejtpërdrejtë mes të dyja palëve, misioni që ai udhëheq do të luajë vetëm rolin e vëzhguesit.
24 Prill 2009