SHBA-të, thirrje Athinës dhe Shkupit: “Arrini në një kompromis!”
Sekretarja amerikane e Shtetit, Hilari Klinton, tha se SHBA-të mbështesin përpjekjet për gjetjen e zgjidhjes së kompromisit në kontestin ndërmjet Athinës dhe Shkupit, rreth emrit kushtetues të Republikës së Maqedonisë. “Uashingtoni i mbështet fuqishëm angazhimet për gjetjen e zgjidhjes së pranueshme të ndërsjellë”, - theksoi Klinton në Komitetin e Kongresit për Punë të Jashtme në Uashington. Ajo shtoi se “SHBA-të e ndiejnë ndjeshmërinë e Greqisë” dhe paralajmëroi se për kontestin ndërmjet dy fqinjëve ballkanikë do të bisedojë me partnerët në NATO dhe në BE. “Duhet t’i inkurajojmë të dyja palët të vijnë deri tek zgjidhja e pranueshme”, - theksoi Klinton. “Kontesti ndërmjet Athinës dhe Shkupit zgjat prej 17 vitesh dhe Greqia nuk pranon që fqinji i saj të mbajë emrin Maqedoni, pasi ai është emri i krahinës së saj veriore”, - shkruanin mediat e ndryshme.
24 Prill 2009