E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çështja e Kosovës, Klinton refuzon të takohet me Jeremiçin

Ministri i Jashtëm serb mundi të takohej me zëvendësin, Xhejms Steinberg. Arsyeja e mostakimit është bashkëpunimi i pamjaftueshëm i Serbisë me Kosovën

Blerina Olldashi

Tashmë autoritetet serbe janë të vetëdijshme se çështja e Kosovës mund të bëhet pengesë për marrëdhëniet me shtetet e tjera, e kryesisht me Shtetet e Bashkuara. Ministri i Jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremiç, nuk ka mundur të takohet me sekretaren e Shtetit, Hilari Klinton, në Uashington. Në vend të sekretares, Jeremiç u takua me zëvendësin, Xhejms Steinberg. Në një prononcim për “Washington Times”, Jeremiç ka thënë se nuk i është dhënë mundësia për t’u takuar me Klintonin, sepse ajo ishte e impenjuar me të tjera çështje. Ndërsa një zyrtar i lartë amerikan, i cili nuk ka dashur të bëjë të ditur emrin pasi nuk është i autorizuar të flasë zyrtarisht, ka thënë për gazetën prestigjioze amerikane se arsyeja e vërtetë e mostakimit të Jeremiçit me Klintonin është pikërisht bashkëpunimi i pamjaftueshëm i Serbisë për ndërtimin e kapaciteteve në fushën e Drejtësisë, Policisë dhe Doganave në Kosovë. Këto përpjekje udhëhiqen nga misioni i Bashkimit Europian për sundimin e ligjit dhe zyrtari amerikan ka thënë për ”Washington Times” se gjithçka po shkon mirë për momentin, por ka ende për të bërë në Kosovë. Ai ka shtuar se në pjesën jugore ka përfaqësues të serbëve në Policinë e Kosovës, por jo në pjesën veriore, të banuar kryesisht me serbë, dhe kjo përbën vërtet problem. Jeremiç ka pranuar se çështja e Kosovës mbetet “gjemb” në marrëdhëniet me Uashingtonin dhe nuk ka gjasa që të zgjidhet së shpejti, por kjo çështje, sipas tij, nuk duhet t'i pengojë të dyja vendet që të bashkëpunojnë për të siguruar stabilitetin në Ballkan. “Marrëdhëniet tona me Shtetet e Bashkuara janë të mira, përveç çështjes së Kosovës, për të cilën kemi mospajtime të thella”, - citohet të ketë thënë Jeremiç për “Washington Times“. Ministri serb ka shtuar se Beogradi do të ndjekë fuqishëm procesin gjyqësor kundër deklarimit të njëanshëm të pavarësisë së Kosovës, në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë dhe mendon se vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë do të jetë në anën e Serbisë. Ndërsa Arabia Saudite ka njohur pavarësinë e Kosovës, Serbia po mundohet të influencojë te Egjipti për ta kundërshtuar këtë proces. Lajmi u bë i ditur nga gazeta serbe “Blic”. Burime të kësaj gazete kanë pohuar se presidenti Boris Tadiç personalisht është angazhuar që të bindë homologun e tij, Hosni Mubarak, që shteti i tij të dorëzojë deklaratë kundër pavarësisë së Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.
Sipas gazetës, presidenti serb, ministri i Jashtëm dhe një pjesë e madhe e autoriteteve të tjera, janë angazhuar intensivisht në lobimin te shtetet që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

24 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›