E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arma e amortizuar, vetëvritet aksidentalisht gjuetari

Shkodër-Ka shkuar për të gjuajtur shpendë së bashku me miq të tij, por është vetëplagosur aksidentalisht dhe më pas ka humbur jetën. Ngjarja e rëndë ka ndodhur mëngjesin e së dielës te kodrat e fshatit Zues në Shkodër. Refik Mehja, 50 vjeç, banor i këtij fshati, gjuetar i pajisur me dokumente dhe armë gjahu me leje, ka dalë për të gjuajtur shapka së bashku me disa shokë të tij. Sipas banorëve të këtij fshati dhe dëshmitarëve okularë, ngjarja ka ndodhur ndërsa gjuetari po zbriste një rrëpirë ku ai ka rrëshqitur. Arma e gjahut ka qenë e mbushur dhe jo në siguresë. Gjatë rrëshqitjes, Mehja është rrëzuar dhe këmbëza e armës është shkrehur duke e plagosur rëndë atë. Një tjetër gjuetar që ndodhej jo larg tij dhe që ka parë rrëzimin e Refik Mehjes dhe ka dëgjuar shkrehjen e armës ka shpejtuar për t’i dhënë ndihmën e parë. Atë e kanë dërguar me shpejtësi drejt spitalit të Shkodrës, por plaga e marrë nga distancë e afërt ka qenë e rëndë dhe Refik Mehja ka humbur jetën rrugës gjatë transportimit në spital. Policia ka kryer veprimet përkatëse dhe nga të dhënat paraprake bëhet e ditur se ngjarja ka qenë aksidentale dhe viktima është vetëplagosur aksidentalisht e më pas ka gjetur vdekjen. Arma e gjahut që ishte me leje dhe përdorej nga gjuetari ishte jo e re dhe mendohet se kjo ka sjellë amortizim të mekanizmit të shkrepjes, që ka funksionuar dhe nga një prekje e lehtë dhe e pavullnetshme. Ky është rasti i dytë brenda këtij muaji në Shkodër, kur gjuetarë humbin jetën aksidentalisht gjatë ushtrimit të këtij sporti. Më 13 nëntor, ishte kryetari i shoqatës së gjuetarëve të Tiranës, Shpend Kruja nga Tirana që humbi jetën në fshatin Zagorë të komunës Shkrel në Malësi të Madhe, teksa kishte shkuar për të gjuajtur dhe arma iu shkreh aksidentalisht teksa kapërcente një gardh duke i shkaktuar vdekjen. D.Kolaj

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›