E Diel, 1 Nëntor 2026

“Vjeshta 2”, policia sekuestron 27 automjete luksoze të vjedhura

Katër shtetasve u janë gjetur armë në automjete gjatë kontrolleve dhe janë shoqëruar në komisariate

Një aksion mbarëkombëtar i policisë ka dhënë si rezultat sekuestrimin e 27 automjeteve të vjedhura jashtë vendit, ndërsa kontrollet kanë sjellë dhe katër shtetas të arrestuar, të cilëve u janë gjetur armë pa leje në automjetet e tyre. Kështu gjatë dy ditëve të fundit, janë kontrolluar rreth 432 automjete të ndryshme, nga të cilat janë bllokuar 27 automjete, që në sistemin e Interpolit rezultuan të vjedhura jashtë vendit. Nga verifikimet e kryera në sistemin e Interpolit, këto automjete kanë rezultuar të vjedhura kryesisht në Itali, Kroaci, Bullgari, Serbi, Poloni, Afrikë e Jugut etj. Policia bën me dije se falë aksionit janë bllokuar edhe 25 automjete të tjera, të cilat rezultuan me mangësi në dokumentacion. Gjatë kontrolleve të ushtruara janë bllokuar edhe katër armë zjarri, pistoleta të llojeve të ndryshme, si dhe një sasi e konsiderueshme municioni, për të cilat janë arrestuar në flagrancë katër shtetas. Policia e Shtetit informon se 27 automjetet e vjedhura jashtë vendit janë bllokuar gjatë kontrolleve të ushtruara në disa qarqe të vendit. Strukturat e Policisë së Shtetit në nivel qendror dhe vendor kanë ndërmarrë dhe vënë në zbatim një sërë masash në kuadër të operacionit policor “Vjeshtë 2011 II”, i cili ka si qëllim bllokimin, sekuestrimin dhe nisjen e hetimeve për automjetet e vjedhura dhe të trafikuara, si dhe bllokimin apo marrjen e masave administrative ndaj automjeteve që rezultojnë me mangësi në dokumentacion. Po ashtu veprimet e strukturave të policisë janë përqendruar dhe në drejtim të kapjes së personave që mbajnë armë zjarri pa leje, si dhe për menaxhimin e trafikut dhe rritjen e sigurisë në të gjithë akset rrugore. Për implementimin me sukses të këtij operacioni, që është shtrirë në gjithë territorin e vendit, janë angazhuar strukturat e Departamentit kundër Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, të Departamentit për Sigurinë Publike dhe të Departamentit për Kufirin e Migracionin.

Qytetet ku u krye aksioni

Berat, 7 automjete

Korçë, 4 automjete

Elbasan, 4 automjete

Vlorë, 2 automjete

Tiranë, 6 automjete

Shkodër, 2 automjete

Lezhë, 2 automjete

Fier, 1 automjet

Gjirokastër, 1 automjet

Automjetet ishin të llojeve:

Benz Mercedes 6 automjete

BMV 4 automjete

Volzvagen 4 automjete

Audi 2 automjete

Smart 1 automjet

Fiat 1 automjet

Range Rover 1 automjet

Alfa 1 automjet

Opel 1 automjet

Nisan 1 automjet

3 automjete të rënda etj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›