E Shtunë, 31 Tetor 2026

Armand Duka: “Jam miku dhe jo armiku i futbollit”

Dash Frashëri

Zhvillimet e fundit me MTKRS-në në prag të 14 marsit, kur UEFA do të marrë vendimin për fatin e Shqipërisë dhe taktika e ndjekur nga ministri Pango; marrëdhëniet e reja me trajnerin e Kombëtares Han pas mosthirrjes së Hamdi Salihit në miqësoren me Moldavinë; opinionin për formulën e deritanishme të kampionatin kombëtar të futbollit; pse u zgjodh “RTL Group” apo dhe raportet me grupimin “Tifozët kuqezi” janë në fokusin e një interviste ekskluzive të presidentit të FSHF-së, Armand Duka, dhënë gazetës “Albania”.

Zoti Duka, më 14 mars do të mblidhet Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s, ku do të merret edhe një vendim për fatin e Shqipërisë, por dhe të Spanjës njëkohësisht. Duke marrë në konsideratë një taktikë të ndjekur nga ministri shqiptar i Sporteve, Ylli Pango, i cili firmosi statutin e FSHF-së vetëm një ditë para përfundimit të afatit të parë, 21 shkurtit, a shpresoni se përfaqësuesi i qeverisë shqiptare do ta gjejë sërish kohën të plotësojë kushtet e vendosura nga organizmat më të lartë të futbollit botëror dhe europian?
Unë nuk e di se nëse ka komunikim midis Ministrisë së Sporteve dhe UEFA-s, por ne si FSHF jemi njoftuar zyrtarisht nga UEFA se në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv të saj do të trajtojë me prioritet çështjen e Shqipërisë. Ata nuk pranojnë firmosjen e statutit nga Pango me ndryshimet që kërkon ai, për të vetmen arsye se është një firmosje jo me bon-sens, pasi me atë ndryshim që kërkon ministri, statuti është i pamundur të regjistrohet në gjykatë, që do të thotë se është i barabartë me një jofirmosje.
UEFA ka vendosur tre kushte të detyrueshme për qeverinë shqiptare, që kanë të bëjnë me auditimin financiar, firmosjen e statutit brenda standardeve që ka FIFA dhe UEFA, por edhe mosinterferimin në punët e brendshme të qeverisë shqiptare në punët e Federatës.
Unë mendoj se vullneti ekziston, por ndoshta ministri Pango nuk është shumë i angazhuar me çështjet e sportit dhe e vlerëson pak sportin. Ata që e këshillojnë për sportin, me sa duket e bëjnë në mënyrën më të keqe dhe, dashur pa dashur, e fusin edhe në situata pa rrugëdalje.
A ndiheni si triumfues në të gjitha përplasjet që kanë ndodhur midis institucionit që ju drejtoni dhe një pjese të shoqërisë shqiptare gjatë këtyre pesë viteve që ju drejtoni futbollin shqiptar?
Unë kurrë nuk jam natyrë grindaveci dhe asnjëherë nuk kam shpallur e do të hapë luftë. Unë asnjëherë nuk kam pasur armiq dhe nuk dëshiroj të bëj të tillë. Ne luajmë futboll dhe kujdesimi për të.
Pas disa ditësh Shqipëria do të luajë dy ndeshje miqësore ndërkombëtare, së pari me Arabinë (21 mars) dhe pas pesë ditësh me Moldavinë (23 mars). Këto janë dhe dy ndeshjet e para të trajnerit të ri të Kombëtares, Ari Han. Në listën e publikuar prej tij mungojnë disa prej sulmuesve kryesorë.
Është e natyrshme që do të këtë të kënaqur dhe të pakënaqur. Unë jam i parimit që të gjithë specialistët, ashtu dhe trajnerët, duhet të jenë të pavarur në marrjen e vendimeve që kanë të bëjnë me detyrat e tyre. Unë uroj që ai të ketë grumbulluar futbollistët më të mirë, që janë në momentin e tyre më të mirë dhe do t’i shërbejnë synimit të holandezit.
Mos ndoshta trajneri Han ka fituar një pavarësi ndaj Federatës duke mos dëgjuar edhe ndonjë këshillë për thirrjen e Hamdi Salihit. A keni bërë ndonjë bisedë të drejtpërdrejtë me Hanin?
Asnjëherë nuk ia kam lejuar vetes të ndërhyj në punët e trajnerit dhe këtë e kam bërë edhe në kohën e Brigelit apo Bariçit. Unë jam presidenti i Federatës dhe më duhet të drejtoj gjithë institucionin. Gjithsesi, mendimi im është se Salihi është një futbollist shumë i mirë, një lojtar me të ardhme, që bën gola dhe që ka kontribuar dhe do të kontribuojë për ekipin kombëtar. Unë nuk e konsideroj si një problem mungesën e tij. Nuk do të thotë asgjë se mungon një ndeshje, kur do të jetë në shumë të tjera. Salihi është pjesë e Kombëtares.
Shqipëria duket se ka një impakt pozitiv në nivel kombëtareje.
Futbolli në Shqipëri është një lojë e dashur për të gjithë, por nga ana tjetër është dhe pjesë e zhvillimit. Personalisht mendoj se ende nuk i kemi bërë hapat e mëdhenj, por pa dyshim kemi bërë shumë përpara, edhe pse në ndonjë moment edhe kemi bërë ndonjë ndalesë. Meritojmë më tepër. Duhet frymë bashkëpunimi dhe punë grupi.
Kampionati ndodhet në fazën e tretë të tij. Sezoni i kaluar prodhoi jo pak aleanca të fshehta dhe të hapura midis ekipeve, ku u vendosën edhe fatet e disa prej skuadrave për të mbijetuar apo për të rënë nga kategoria. Ju besoni se këtë vit ky fenomen nuk do të përsëritet, kur Skënderbeu është në rrugën drejt së Parës dhe Kastrioti po vuan nga largimi i financuesve të tij?
Unë mendoj se si president i FSHF-së, nuk më lind e drejta të paragjykoj fatin e asnjë ekipi. Unë besoj se Kastrioti do ta kalojë shumë shpejt situatën dhe ndeshjen e fundit bëri një ndeshje të mirë, ka një ekip të mirë. Për të shmangur ato që ndodhën vitin e kaluar, ne hartuam një skemë të re, ku dy ekipet e fundit dalin direkt nga kategoria dhe dy të tjera, e treta dhe e katërta, nga fundi luajnë në play-out. Duke përfshirë edhe 3-4 skuadra që luftojnë për një vend në Europë, unë besoj se e kemi minimizuar këtë fenomen. Një shmangie totale nuk mund të ketë.
A jeni të kënaqur me këtë sistem me tri faza, apo do të ketë ndonjë ndryshim në të ardhmen?
Asgjëkund nuk ekziston formula ideale, pavarësisht se çdo shoqëri është në kërkim të së përsosurës, por kurrë nuk e gjen. Për momentin unë besoj se kemi bërë më të mirën dhe mendoj se ky kampionat është më i bukur se paraardhësi.

Trajnerët shqiptarë duken se janë malli më i zhvlerësuar në tregun sportiv. Sezoni aktual ka parë më shumë se 20 trajnerë në bankinat e 12 ekipeve.
Federata Shqiptare e ka bërë publike qëndrimin e saj në ndihmë të trajnerëve, por dhe ata duhet të jenë më transparentë në marrëveshjet e tyre me klubet për të ndihmuar bashkërisht futbollin. Nuk duhet të pranojnë të ulen në bankinë pa kontratë për të na dhënë mundësi edhe ne si Federatë të luftojmë për ta. Unë besoj se sezonin e ardhshëm çdo president klubi duhet të mendohet mirë kur të largojë një trajner, pasi detyrimisht duhet të paguajnë edhe detyrimet financiare që rrjedh nga një kontratë legale punësimi. Ne si FSHF jemi shumë të interesuar për të mbrojtur institucionin e trajnerit.

Ju jeni një president me profesionin e ekonomistit. Zgjodhët një strategji për të mos e shitur të drejtën televizive përpara hedhjes së shortit të Botërorit 2010, por pas saj. Cili është bilanci financiar i këtij aksioni, kur publikisht është bërë e ditur se i është shitur një prej grupeve mediatike më të mëdha në Europë, siç është “RTL Group”.
Shikoni, shitja e së drejtës televizive pas hedhjes së shortit është një lloj risku për çdo federatë, dhe jo vetëm për tonën. Me shumën e ofruar nga “RTL Group” ne kemi realizuar shitjen në vlerë më të madhe financiare të realizuar ndonjëherë si FSHF dhe e them me bindje se jemi federata më e mirë në Europë në raport edhe me vendin që zë futbolli shqiptar në kontinent.
Nëse do të shpreheshim në shifra, sa është vlera e kontratës për të drejtat televizive të eliminatoreve të Botërorit 2010?
Minimalisht do të marrim 3.2 milionë euro, pa llogaritur të ardhurat nga anekset që ka marrëveshja. Nuk i kemi marrë asnjëherë në historinë e gjithë futbollit shqiptar.
Para disa ditësh ju pritët presidentin e Federatës së Futbollit të Kosovës. Zoti Vokri hodhi idenë e dy kombëtareve të forta shqiptare, sesa një e tillë.
E gjithë biseda, përtej prononcimeve, ka pasur një qëndrim të përbashkët. Lojtarët aktualë kosovarë do të luajnë në të ardhmen për Shqipërinë. Të gjithë kanë dëshirë të luajnë për fanellën kuqezezë.
Sfida e parë zyrtare e Shqipërisë në eliminatore është ajo kundër Suedisë së Zlatan Ibrahimoviçit. Kosova tani është e pavarur. Grupimi i njohur “Tifozat kuqezi” ka qenë pjesa më e zjarrtë e atmosferës në “Qemal Stafa”. Cili do të ishte mesazhi i Dukës?
Tifozët e Kombëtares nuk do të ndryshojnë asnjëherë, do të mbeten gjithmonë të tillë, qofshin këta shqiptarë, kosovarë apo shqiptarë të Maqedonisë. Unë besoj se ata do të jenë të pranishëm. Mesazhi im është i thjeshtë: “Ejani dhe mbështesni Kombëtaren tuaj kuqezeze”.

Ndonjë miqësore në program me Kosovën në një të ardhme të afërt?
Ne kemi të programuar miqësoret me Arabinë Saudite, Moldavinë dhe Poloninë. Jemi duke kërkuar edhe një tjetër miqësore në muajin maj me një nga vendet finaliste të Euro 2008, dhe sigurisht që pas saj do të vijë edhe radha e Kosovës. Edhe personalisht unë mezi e pres.

Milani, stërvitje në Tiranë

Klubi legjendar kuqezi do të prezantojë në Tiranë një projekt ambicioz dhe emër shumë tërheqës: “Milan Junior Camp”. Zyrtarë të shoqërisë së miliarderit italian Silvio Berluskoni do të vijnë më 17 mars në Tiranë, ashtu siç e kanë bërë edhe në 47 vende të botës. Programi është në funksion të vëzhgimit të të rinjve të talentuar, por edhe me vlera sociale. “Milan Junior Camp” do të zhvillohet në Tiranë, nga data 30 qershor deri më 4 korrik 2008, në qytetin e Tiranës, në stadiumet “Qemal Stafa”, “Selman Stërmasi” si dhe në ambientet stërvitore të Klubit të Dinamos. Në të do të marrin pjesë djem e vajza nga mosha 6 deri në 16 vjeç. Më parë është organizuar edhe në Greqi, Bosnjë-Hercegovinë, Serbi, Hungari etj. Prezantimi i këtij projekti do të zhvillohet të hënën në orën 11:00 në Tiranë, në ambientet e hotel “Sheraton”. Në konferencën e shtypit do të jenë të pranishëm Daniele Masaro, përgjegjësi për marrëdhëniet me publikun te klubi i Milanit, Françeska Pietra, menaxhere marketingu e projektit të të rinjve të Milanit, por edhe zonja Liri Berisha, presidente e Fondacionit të Fëmijëve Shqiptarë “Domenick Scaglione”.

Bushati i shpall “luftë” Greqisë

Trajneri i Shpresave, Artan Bushati, shpalli listën e lojtarëve për ndeshjen kundër Greqisë, e vlefshme për eliminatoret e Kampionatit Europian U-21, takim që do të luhet më mars në Vlorë. Bushati ka thirrur vetëm katër lojtarë, që luajnë në kampionatet e huaja: dy portierët Enea Koliqi (Iraklis, Greqi)
e Samir Ujkani (Palermo, Itali), mbrojtësin Renato Arapi (Silkeborg, Danimarkë) dhe sulmuesin Edgar Çani (Palermo, Itali). Pjesa e madhe përbëhet nga lojtarë të Flamurtarit (4), Teuta (4), Partizanit (3), Skënderbeut (1), Vllaznisë (1), Apolonisë (1), Besa (1).
Në ndeshjen e parë kundër Greqisë, më 21 nëntor 2007, Shqipëria U-21, edhe pse u mposht me vështirësi në “Apostolodhos Nikolaidhis” me rezultatin e ngushtë 2-1 me Shpresat e Greqisë, la një përshtypje shumë të mirë në ndeshjen e shtatë të saj për eliminatoret e Kampionatit Europian 2009. Sulmuesi Xhevair Sukaj shënoi golin e barazimit të përkohshëm 1-1 në minutën e 38-të, duke vendosur ekuilibrat në fushë pas golit të realizuar me penallti nga Hristodopulos (28’). Për shkodranin ky ishte goli i tij i katërt në kualifikuese, pas 3 golave kundër Ishujve Faroe katër ditë më parë. Greqia U-21 ndodhet në vendin e tretë me 13 pikë, tre më shumë se Shqipëria (10). Shqipëria luajti në Greqi me këtë formacion: Koliqi, Arapi, Guga, Arifaj, Abilaliaj (58’ Kani), Malindi (85’ Zeqiri), Sefa, Sukaj (91’ Vila), Lika, Progri, Fagu. Trajner; A.Bushati
Në testin e fundit të zhvilluar po në stadiumin “Flamurtari”, Kombëtarja shqiptare U-21 nuk bëri një paraqitje shumë shpresëdhënëse në miqësoren me moshatarët e tyre maqedonase, duke humbur me rezultatin 0-1.
LISTA U-21
Enea Koliqi (Iraklis, Greqi)
Samir Ujkani (Palermo, Itali)
Shpëtim Moçka (Flamurtari)
Andi Lila (Besa)
Maringlen Shoshi (Apolonia)
Erbim Fagu (Tirana)
Renato Arapi (Silkeborg, Danimarkë)
Bledion Guga (Flamurtari)
Shaqir Stafa (Teuta)
Arben Likmea (Teuta)
Emiljano Veliu (Flamurtari)
Hair Zeqiri (Flamurtari)
Edgar Çani (Palermo, Itali)
Emiljano Vila (Teuta)
Ilirjan Çashaj (Teuta)
Jozef Thana (Skënderbeu)
Erando Karabeci (Partizani)
Elis Bakaj (Partizani)
Enco Malindi (Partizani)
Xhevair Sukaj (Vllaznia)
Arbër Abialaj (Partizani)

EURO U-21: NDESHJET E LUAJTURA
01.06.2007
Itali-Shqipëri 4-0
06.06.2007
Shqipëri-Ishujt Faroe 1-0
08.09.2007
Shqipëri-Kroaci 1-0
11.09.2007
Shqipëri-Itali 0-1
17.10.2007
Azerbajxhan-Shqipëri 1-1
17.11.2007
Ishujt Faroe-Shqipëri 0-5
21.11.2007
Greqi-Shqipëri 2-1
Do të luhen
26.03.2008
Shqipëri-Greqi
06.09.208
Kroaci-Shqipëri
10.09.2008
Shqipëri- Azerbajxhan
RENDITJA
Italia 7 19
Kroacia 8 18
Greqia 7 13
SHQIPËRIA 7 10
Ish. Faroe 8 3
Azerbajxhani 7 1
* Në fazën e plej-ofit kalojnë 10 ekipet e para të grupeve dhe katër vendet më të mira të dyta.

Kupa e Shqipërisë
Çerekfinalet
Ndeshjet e kthimit

Partizani-Dinamo 1-3 (Janku)
Tirana-Kastrioti 3-0 (Breshani)
Vllaznia-Besa 2-2 (Jareci)
Teuta-Elbasani 1-1 (Çekaj)
*Rezultatet janë të ndeshjeve të para

12 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›