Presidenti Tadiç shpërndan Kuvendin serb më 13 mars
Presidenti serb, Boris Tadiç, do ta shpërndajë Kuvendin dhe do të shpallë zgjedhje parlamentare më 13 mars. Ky lajm është bërë i ditur nga mediat serbe, por është konfirmuar edhe nga shërbimi informativ i presidentit serb. Qeveria e Serbisë para dy ditësh i propozoi kryetarit Tadiç të shpërndante Kuvendin dhe të shpallte zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare për në datën 11 maj, kur do të zhvillohen edhe zgjedhjet lokale dhe krahinore. Ndërkohë, kryeministri serb në largim, Vojisllav Koshtunica, ka rishprehur qëndrimin se Serbia mund të hyjë në Bashkimin Europian vetëm me Kosovën. Deklarata e tij vjen një ditë pas thirrjes së Bashkimit Europian drejtuar Serbisë për shmangien e izolimit, duke qëndruar në kursin e anëtarësimit në BE. Koshtunica tha se zgjedhjet e parakohshme në Serbi do të duhej t’i dërgonin një mesazh të qartë Bashkimit Europian se “Kosova është Serbi dhe Serbia mund të hyjë në BE vetëm me Kosovën”.
“Serbia duhet ta respektojë sovranitetin dhe integritetin territorial të saj, në mënyrë që të fitojë respektin e BE-së”, - është shprehur Koshtunica. Pas kërkesës së Serbisë gjatë ditës së djeshme, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka zhvilluar një mbledhje të hapur për Kosovën për diskutimin e asaj që ky vend e quan “rëndim i gjendjes”. Nga kjo mbledhje nuk doli asnjë rezultat i veçantë.
12 Mars 2008