Këstet e kredive, egërsohet konkurrenca mes bankave
Reagimet e bankierëve lidhur me tregun shqiptar. Konkurrenca po shkakton efektet e para në treg
Sipas Robert Uright, anëtar bordi për bankingun retail në Raiffeisen Bank, kjo e fundit është bërë më konkurruese në tregun e kredive për shtëpi, duke ulur normat e interesit dhe kohën e akordimit të kredisë. Ndonëse Raiffeisen nuk mund të bëjë publike shifra për vitin 2007 para daljes së raportit vjetor, z. Uright thotë se kreditë për shtëpi kanë njohur një rritje të ndjeshme në portofolin e Raiffeisen Bank. Shuma maksimale e kredisë për shtëpi është 150 mijë euro, ose ekuivalenti në dollarë dhe lekë. Afati maksimal i shlyerjes është 25 vjet. Raiffeisen financon 100% të vlerës së pronës dhe për këtë arsye kërkon kolateral shtesë, deri në masën 135%. Norma e interesit në euro është euribor +2.5% deri në 4.5% në vit. “Ne përllogarisim këstet mujore në vlerën e të ardhurave familjare ose individuale minus shpenzimet jetike dhe mbi këtë diferencë përllogaritet një këst mujor deri në 75%. Klientët tanë të preferuar janë ata që e marrin pagën në Raiffeisen Bank. Janë mbi 200 mijë të tillë që e marrin pagën nëpërmjet nesh dhe që përbëjnë një potencial të rëndësishëm tregu për ne”, - thotë z. Uright. Sipas tij, bankat greke po e udhëheqin konkurrencën, por edhe Raiffeisen është përgjigjur, duke ofruar norma më konkurruese interesi. Sidoqoftë, ai nënvizon se Raiffeisen nuk do të zbresë në norma interesi, që mund të krijojnë probleme në të ardhmen.
Banka Amerikane
Sipas znj. Mirela Zoto, drejtore e Departamentit të Kredive Hipotekare në Bankën Amerikane të Shqipërisë (BASH), është e padiskutueshme që konkurrenca po ndihet gjithnjë e më shumë në tregun e kredive për shtëpi. “Por kjo absolutisht nuk do të thotë që ne të cenojmë cilësinë e përzgjedhjes së klientëve tanë. Sigurisht që ne përpiqemi të jemi konkurrentë në treg duke synuar në procedura të shpejta dhe shërbim cilësor. Portofoli ynë i kredive hipotekare është nje portofol i shëndetshëm, pa problematika dhe tërësisht në kontroll”, - thotë znj. Zoto. Sipas saj, dhënia e përgjigjes për një aplikim për kredi shtëpie bëhet në afat shumë të shpejtë dhe procedimi i mëtejshëm varet edhe nga paraqitja në kohë e dokumentacionit nga ana e klientit si dhe cilësisë së tij. Nëse gjatë procesit dalin problematika dhe më së shumti ato ndodhin në lidhje me cilësinë e dokumentacionit të kolateralit, kuptohet që kjo ndikon dhe në kohëzgjatjen e dhënies së kredisë. “Raporti që banka jonë kërkon minimalisht është që 60% e të ardhurave të shkojnë për pagesën e këstit, ose e thënë ndryshe, për një familje me tre veta, duke hequr këstin e bankës t’u mbeten për shpenzime mujore minimalisht 450 euro”, - thotë znj. Zoto.
ProCredit
Shuma maksimale e kredisë për shtëpi që ProCredit Bank financon është 100 mijë euro, ose shuma ekuivalente në monedhën vendase. Kreditë për shtëpi ofrohen në dy monedha, lekë dhe euro. Sipas z. Renato Vasili, drejtor i Zhvillimit të Produkteve të Kredisë, që një klient të përfitojë një kredi për shtëpi duhet të ketë marrëdhënie pune me të njëjtin punëdhënës prej jo më pak se 6 muajsh dhe të paktën njëra nga pagat e njësisë familjare të klientit duhet të shoqërohet me pagesën e sigurimeve shoqërore. Për klientët që i kanë të ardhurat nga biznesi duhet që biznesi të jetë i formalizuar dhe të zhvillojë aktivitet prej të paktën 6 muajsh. Kësti mujor i kredisë aplikohet në masën 60-70% të fondeve neto mujore të njësisë familjare (diferenca mes të ardhurave mujore familjare dhe shpenzimeve konsumatore mujore).
Banka Emporiki
Sipas znj. Sonila Beqari, drejtore e Sektorit të Zhvillimit të Produktit, kredia për ambiente banimi është një ndër produktet më konkurruese që Banka Emporiki ofron dhe vlera e financimit i përshtatet nevojave të klientit. “Banka jonë financon deri në 75% të vlerës së blerjes së apartamentit dhe në raste të veçanta mund të financojmë deri në 100%. Kohëzgjatja maksimale e shlyerjes së kredisë është 20 vjet. Deri tani banka jonë ofronte 5.5% interes vjetor në euro për kreditë për blerje apartamenti, ndërkohë që jemi në proces për nxjerrjen e një produkti me terma shumë më lehtësues, si në përqindje, afate por dhe komisione për marrjen e kredisë”, - thotë znj.Beqari.
Union Bank
Sipas drejtores së Departamentit të Kredisë, znj. Enkeleda Hasho, Union Bank ofron kredi për shtëpi me afat shlyerjeje deri në 20 vjet dhe norma interesi të përbëra nga norma bazë (libor, euribor ose bono thesari 1-vjeçare) plus një normë fikse që varion nga 3.5% deri në 5%. Por, sipas znj.Hasho, Union Bank bën edhe oferta specifike që bazohen në vlerësime të kategorive të klientëve, si pagë-marrës në bankë, punonjës të një institucioni, klientët blerës të një projekti etj., oferta që shkojnë me lehtësime dhe përmirësime të kushteve të kredisë. Vlera e financimit nga banka shkon në rreth 70% të vlerës së kolateralit. Dokumentet që kërkohen janë ato evidentuese të të ardhurave, si vërtetim page, të ardhura nga burime të tjera, si kontratë qiraje, pagesa të pritshme periodike, dokumente financiare të biznesit etj. “Një faktor domethënës është rritja e institucioneve punëdhënëse, që kryejnë kanalizimin e pagave në banka, që do të thotë më tepër mbështetje për bankat në verifikimet, referencat, të dhënat që duhen për të vlerësuar një rrezik në humbjen e burimit të të ardhurave”, - shprehet Hasho.
Faqe2-3
PARAMETRAT E KREDIVE PËR SHTËPI NË BANKAT SHQIPTARE
Raiffeisen Bank
Shuma maksimale e financuar: 150 mijë euro, ose ekuivalenti në lekë dhe dollarë amerikanë
a)Afati maksimal i shlyerjes së kredisë: 25 vjet
-Përqindja maksimale e vlerës së shtëpisë që financohet: 100%
-Normat e interesit: Në euro: Euribor 12-mujor +2.5% deri në 4.5% në vit. Në lek: 10% në vit. Në dollarë: Libor 12 mujor + 3.5% deri në 4.5% në vit.
-Garancia që kërkohet: Hipoteka e pronës që do të blihet ose e një prone ekzistuese.
Banka Amerikane e Shqipërisë
-Shuma maksimale e financuar: 100 mijë dollarë amerikanë ose ekuivalenti në euro dhe lekë.
a)Afati maksimal i shlyerjes së kredisë: 20 vjet
-Përqindja maksimale e vlerës së shtëpisë që financohet: 70%
-Normat e interesit:
-Me afat shlyerje 10 vjet:
-Në dollarë amerikanë libor 12-mujor + 2.80% në vit, në euro euribor 12 mujor + 4.00 % në vit, në lekë Bono Thesari (BTH) 12 mujore + 2.60% në vit.
b)Me afat shlyerje 12 vjet:
-në dollarë libor 12-mujor + 3.00% në vit,
-në euro euribor 12-mujor + 4.25% në vit,
-në lekë BTH 12-mujore + 2.80% në vit.
c)Me afat shlyerje 15 vjet:
-Në dollarë libor 12-mujor + 3.20% në vit,
-në euro euribor 12-mujor + 4.50% në vit,
-në lekë BTH 12-mujore + 3.00% në vit.
d)Me afat shlyerje 20 vjet
-Në dollarë libor 12-mujor + 3.55% në vit,
-në euro euribor 12-mujor + 4.60% në vit,
-në lekë BTH 12-mujore + 3.20% në vit.
Garancia që kërkohet: Hipoteka e shtëpisë
Shënim: Për klientët e bankës ka interesa preferenciale.
Banka Kombëtare Tregtare
-Shuma maksimale e financuar: 500 mijë dollarë amerikanë, ose ekuivalenti në euro dhe lekë
-Afati maksimal i shlyerjes së kredisë: 20 vjet për kreditë në lekë, 10 vjet për kreditë në valutë.
-Përqindja maksimale e vlerës së shtëpisë që financohet: 80%
a)Normat e interesit:
-Në lekë, normë interesi e fiksuar në 6% për 2 vitet e para, më pas normë e ndryshueshme në varësi të kushteve të tregut, por jo më shumë se Bono Thesari 12-mujore + 3.5% në vit. Alternativë tjetër për kredinë në lek është BTH 12-mujore + 2.2% për gjithë periudhën e kredisë.
-Në euro: euribor 1-vjeçar + 2.5% për 5 vitet e para dhe më pas euribor 1-vjeçar + 3.5%. Alternativë tjetër euribor + 3% për gjithë periudhën e kredisë.
-Garancia që kërkohet: Hipoteka e shtëpisë ose e një pasurie tjetër të paluajtshme.
Kredi me një interes 3.5% mbi Bonot e Thesarit me maturitet 20-vjeçar.
Shembull i kredisë për blerje shtëpie në BKT
Shuma e kredisë 2 milionë lekë
Afati shlyerjes 20 vjet
Kësti mujor për vitin e parë 21,100 lekë
Banka Kombëtare e Greqisë (NBG Bank)
-Shuma maksimale e financuar: 300 mijë euro, ose ekuivalenti në lekë dhe dollarë amerikanë
-Afati maksimal i shlyerjes së kredisë: 20 vjet
-Përqindja maksimale e vlerës së shtëpisë që financohet: 75%
a)Normat e interesit:
-Në euro: 5% në vit për 5 vitet e para dhe euribor 12-mujor + 3.75% në vit për pjesën e mbetur.
-Në lekë: 9.9% në vit.
-Në dollarë 8.9% në vit.
-Garancia që kërkohet: Hipoteka e pronës që do të blihet ose e një prone ekzistuese. Garanci financiare.
Shembull i kredisë për blerje shtëpie në NBG Bank
Shuma e kredisë 30 mijë euro
Afati i shlyerjes 20 vjet
Kësti mujor (për 5 vitet e para) 198 euro
ProCredit Bank
Shuma maksimale e financuar: 100 mijë euro, ose ekuivalenti në lekë
Afati maksimal i shlyerjes së kredisë: 15 vjet
Përqindja maksimale e vlerës së shtëpisë që financohet: 90%
a)Normat e interesit:
-Në euro: Euribor 12-mujor + 5% deri në 7% në vit.
-Në lekë: Bono Thesari 12-mujore +4.5% deri në 6.5% në vit.
-Garancia që kërkohet: Hipoteka e pronës që do të blihet ose e një prone ekzistuese.
Banka Credins
Shuma maksimale e financuar: 300 mijë euro, ose ekuivalenti në lekë dhe dollarë amerikanë
Afati maksimal i shlyerjes së kredisë: 15 vjet
Përqindja maksimale e vlerës së shtëpisë që financohet: 70%
a)Normat e interesit:
-Në euro: Euribor 12-mujor + 5.2% deri në 6.2% në vit.
-Në lekë: Bono Thesari 12-mujore + 4.5% deri në 6.5% në vit.
-Në dollarë: Libor 12-mujor + 3% deri në 3.5% në vit.
-Garancia që kërkohet: Hipoteka e pronës që do të blihet, ose e një prone ekzistuese.
Banka Emporiki
Shuma maksimale e financuar...
Afati maksimal i shlyerjes së kredisë: 20 vjet
Përqindja maksimale e vlerës së shtëpisë që financohet: 100%
Normat e interesit: Në euro: 5.5% në vit
Garancia që kërkohet: Hipoteka e pronës që do të blihet ose e një prone ekzistuese
Banka Alpha
Shuma maksimale e financuar......
Afati maksimal i shlyerjes së kredisë: 25 vjet
Përqindja maksimale e vlerës së shtëpisë që financohet: 70%
a)Normat e interesit
-Në euro: 5% për një vit dhe më pas interesa të negociueshme (euribor + përqindje fikse); ose 6.5% për tre vjet dhe më pas interesa të negociueshme; ose 7% për 5 vjet dhe më pas interesa të negociueshme.
-Garancia që kërkohet: Hipoteka e pronës që do të blihet ose e një prone ekzistuese.
Tirana Bank
Shuma maksimale e financuar: 200 mijë euro, ose ekuivalenti në lekë dhe dollarë amerikanë
Afati maksimal i shlyerjes së kredisë: 25 vjet
Përqindja maksimale e vlerës së shtëpisë që financohet: 70%
a)Normat e interesit:
-Në euro: 0% (6 muajt e parë) dhe Euribor mujor + 3.5% në vazhdim.
-Në lek: 9.75% (vitin e parë) dhe Bono Thesari 12-mujore + 3.5% vitet e tjera.
-Në dollarë: 8% (vitin e parë) dhe Libor mujor + 4.5% vitet e tjera.
-Garancia që kërkohet: Hipoteka e pronës që do të blihet ose e një prone ekzistuese.
Union Bank
Shuma maksimale e financuar.....
Afati maksimal i shlyerjes së kredisë: 20 vjet
Përqindja maksimale e vlerës së shtëpisë që financohet: 70%
a)Normat e interesit
-Në të gjitha monedhat: Norma bazë + 3.5% - 5%
-Garancia që kërkohet: Hipoteka e pronës që do të blihet ose e një prone ekzistuese.
Shpenzime shtesë për përfitimin e kredive për shtëpi
1. Noterizimi i kontratave që do të firmosen midis bankës dhe klientit.
2. Pagesa e vlerësimit të objektit të lënë si garanci nga një ekspert i licencuar.
3. Mirëmbajtja e llogarisë.
4. Shpenzimet hipotekare (nga 3 mijë deri në 10 mijë lekë, në varësi të shumës së huasë).
5. Në momentin e disbursimit të kredisë, shumica e bankave mbajnë një komision, që lëviz nga 1% deri në 1.5% të vlerës së kredisë.
6. Gjithashtu, një pjesë e bankave kërkojnë edhe sigurimin e jetës së kredikërkuesit, i rinovueshëm çdo vit mbi shumën e mbetur të kredisë dhe sigurimin e kolateralit nga tërmeti dhe zjarri për të gjithë afatin e kredisë.
Dokumentet që kërkohen nga bankat në rast aplikimi për kredi për shtëpi:
- Dokumente identifikimi të aplikantëve dhe familjarëve (ose debitorëve solidarë);
- Dëshmi nga prokuroria dhe gjykata që personi është i lirë nga detyrime ligjore;
- Vërtetime page (të ardhurash) ose dokumentet ligjore për biznesin që zotëron aplikanti;
- Dokumentet e garancisë hipotekare që do të ofrohet;
- Kontrata e shitblerjes ose e porositjes së apartamentit që do të blihet;
- Në rastet kur shtëpia do të ndërtohet, kërkohen dokumentet e pronësisë mbi tokën ku do të bëhet ndërtimi dhe kosto financiare e punimeve.
Artikulli është marrë me shkurtime nga revista ”Monitor”
Autori: Ersuin Shehu
12 Mars 2008