Fshatarët dhe ujku
Prej disa kohësh, në një fshat malor kishte dalë një ujk që vërtitej mbrëmjeve të vona dhe hante ato pak lopë që kishin fshatarët. Fshatarët e shqetësuar i luten burrit që mbahej si më i forti i fshatit që t’i ndihmonte.
- Mirë, – thotë ai, por do të më jepni një lëkurë lope që të maskohem si lopë dhe kur të më afrohet, ta kap ujkun.
Fshatarët ia japin lëkurën e lopës dhe i premtojnë trimit një shpërblim të majmë nëse i shpëton nga halli i madh që u kishte rënë. Shkojnë fshatarët mëngjesin tjetër në fushë që të takojnë trimin për ta pyetur se si i kishte shkuar gjuetia.
- Hë more trim, a e zure ujkun?
- Jo, ujkun nuk e zura dot, po më thoni, kush ishte ai që e kishte harruar demin të zgjidhur mbrëmë?
12 Mars 2008