Zgjedhësit i tregojnë Sarkozisë kartonin e verdhë!
Në zgjedhjet komunale në Francë vota e elektoratit shërbeu si karton i verdhë ndaj presidentit Sarkozi. Partia e tij konservatore, UMP, nuk pësoi humbje të ndjeshme, por socialistët mundën të marrin një sërë bashkish. Ky zhvillim komentohet në shtypin gjerman të ditës.
"Pforzheimer Zeitung": Synimi i Sarkozisë, politika ndërkombëtare”
Gazeta gjermane “Pforzheimer Zeitung”, thekson se paraqitja e deritanishme e Sarkozisë nuk u jep shumë shpresë francezëve se presidenti do ta marrë për zemër mesazhin e dhënë nga vota e tyre. Ai është tip që synon të vërë në lëvizje politikën e madhe të Europës dhe atë ndërkombëtare. Zgjedhjet lokale me siguri që nuk përbëjnë ndonjë çështje fikse në kalendarin politik të tij. Por se sa i vlen lëkura vërtet Sarkozisë, këtë do ta shohim në gjysmën e dytë të vitit 2008, kur Franca të drejtojë presidencën e radhës në BE. Në këtë gjashtëmujor do ta kuptojmë nëse Sarkozi vërtet mund të bëjë diçka. Nëse ai nuk do të paraqitet si duhet as në këtë kuadër, atëherë Franca vërtet do të ketë një problem.
“Handelsblatt”: Sprovat e vështira të presidentit francez
Fundi i zgjedhjeve komunale është ende i hapur. Po ashtu të pasigurta janë edhe shanset që ka qeveria e Sarkozisë për të pasur sukses. Me kalimin e kohës kreu i shtetit do të konfrontohet edhe më shpesh gjatë mandatit pesëvjeçar të tij me data zgjedhjesh. Në 2009-n zhvillohen zgjedhjet për eurodeputetët. Por pavarësisht nga kjo, siç premtoi sërish presidenti para pak ditësh, ai do ta çojë deri në fund kursin e reformave ekonomike, që ndonjëherë janë të dhimbshme për masën. Nëse ia del ta realizojë këtë kurs, do të jetë mirë për të. Detyra e Sarkozisë është që ta përgatisë si duhet vendin për globalizimin. Në bazë të këtyre rezultateve do ta vlerësojnë në fund francezët presidentin Sarkozi. Por faturën ai do ta marrë në zgjedhjet parlamentare në 2012-n”.
12 Mars 2008