E Shtunë, 31 Tetor 2026

KFOR: “Përcaktimi i kufirit me Maqedoninë pas njohjes së Kosovës”

Cërvenkovski, Gashparoviç: “Pavarësia e Kosovës me rreziqe”. PDSH: “Do të braktisim qeverinë”. Një nga kërkesat, njohja e Kosovës
“Bisedimet për përcaktimin e kufirit mes Kosovës dhe Maqedonisë do të fillojnë pasi Shkupi zyrtar ta njohë Kosovën”. Kjo ka qenë deklarata e komandantit të brigadës shumëkombëshe Lindje në përbërje të KFOR-it, gjenerali Xhon Davoren. Ai ka theksuar se përcaktimi i vijës kufitare mes Kosovës dhe Maqedonisë është një çështje që mund të zgjidhet nga instancat e larta. “Mendoj se shumë shpejt do të fillojnë bisedimet mes dy vendeve për të përcaktuar vijën kufitare dhe për të tejkaluar mosmarrëveshjet e krijuara në këtë pjesë të Kosovës”, - tha komandanti i brigadës shumëkombëshe Lindje. Brigada Lindje është nën komandën amerikane dhe kontrollon pjesën lindore të Kosovës dhe një pjesë të kufirit me Maqedoninë. Ndërkohë, në lidhje me pavarësinë e Kosovës, Presidenti i Maqedonisë, Branko Cërvenkovski dhe presidenti i Sllovakisë, Ivan Gashparoviç, e kanë cilësuar pavarësinë e Kosovës si të rrezikshme. “Maqedonia sheh rreziqe nga pavarësia e Kosovës, por është e bindur se ka mjaft kapacitet demokratik për të zgjidhur problemin e pakicës shqiptare të saj”, - tha pas takimit presidenti Cërvenkovski. Ai ka sqaruar se Maqedonia nuk ka ende një qëndrim përfundimtar lidhur me njohjen e Kosovës, megjithatë ky vendim do të merret në pajtim me interesat e Maqedonisë. Me këtë qëndrim është pajtuar edhe presidenti sllovak, Gashparoviç, i cili ka shtuar se përveç rrezikut që sjell pavarësia e shtetit të ri, Sllovakisë do t’i duhen vite të tëra për ta njohur atë.
Ai ka dhënë mbështetje edhe për Maqedoninë në lidhje me kontekstin për emrin me Greqinë, duke u bërë thirrje të dyja palëve për një zgjidhje sa më të shpejtë. Ndërkohë, përveç problemeve në politikën e jashtme, Maqedonia po përballet edhe me një krizë qeveritare, e cila nuk nuk ndihmon aspak gjendjen e krijuar në vend. Partia Demokratike Shqiptare në Maqedoni ka paralajmëruar për mundësinë e largimit nga koalicioni qeverisës. Arsyeja e këtij largimi të mundshëm mendohet të jetë mungesa e gatishmërisë së kryeministrit maqedonas, Nikolla Gruevski, në lidhje me përmbushjen e gjashtë kërkesave të kësaj partie, të cilat janë: ligji për UÇK-në, zyrtarizimi i gjuhës shqipe, njohja e shpejtë e Kosovës, rritja e përfaqësimit të shqiptarëve në administratën shtetërore, përdorimi i flamurit kombëtar shqiptar në takimet lokale dhe mbyllja e katër rasteve të gjykatës së Hagës që muajin e kaluar janë kthyer në Maqedoni. “Partia Demokratike Shqiptare nuk ka si qëllim në vete pushtetin, përkundrazi, lidershipi i kësaj partie ka orientime dhe përcaktime të qarta rreth qëndrimit të mëtejshëm në ekzekutiv”, - thuhet në një komunikatë të publikuar në faqen e internetit PDSH-së. Në këtë komunikatë thuhet po ashtu se kryeministri Gruevski ka refuzuar kërkesat e paraqitura të kësaj partie. Në mbledhjen e radhës të PDSH-së pritet të vendoset braktisja ose jo e qeverisë. Ky është kërcënimi i dytë i PDSH-së për braktisjen e qeverisë së koalicionit me VMRO-DPMNE-në, pasi kjo e fundit nënshkroi një marrëveshje në maj të vitit të kaluar me BDI-në.

12 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›