E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosovë, anulohet marshi paqësor “Të gjithë për Ramushin”

Me kërkesë të ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, është anuluar marshi paqësor "Të gjithë për Ramushin", i cili ishte planifikuar të mbahej nesër. Këshilli organizativ i marshit paqësor në një konferencë për media ka bërë të ditur se do të respektohet vendimi i Ramush Haradinajt dhe marshi nuk do të mbahet.
Në emër të Këshillit organizativ, ish-kryeministri Agim Çeku, i cili ka folur në këtë konferencë, ka theksuar se njëra ndër arsyet që ka dhënë Ramushi për anulimin e marshit ka qenë edhe ajo se ai nuk dëshiron që ky marsh të shndërrohet në diçka jo të mirë dhe se nuk dëshiron që në Kosovë pas pavarësisë të shohë protesta. Çeku ka dhënë mesazhin që ishte paraparë të jepej në marsh. “Ne besojmë në pafajësinë e Haradinajt dhe të tjerëve dhe besojmë në luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kosova është në pritje të lirimit të ish-kryeministrit Haradinaj”, - ka pohuar Çeku. Ai ka thënë në fund se Këshilli organizativ është duke bërë përgatitjen e festës së pritjes të Ramush Haradinajt.

Vondra: “Çekia do ta njohë Kosovën pas Pashkëve”

“Republika e Çekisë do ta njohë pavarësinë e Kosovës, por kjo nuk do të ndodhë para Pashkëve”,-ka deklaruar zëvendëskryeministri çek, Aleksander Vondra. Megjithatë, ai ka refuzuar të japë një datë të saktë. “Nuk dua ta zbuloj datën. Tani ne kemi një lloj agjërimi të Pashkëve për vendimet më të rëndësishme politike. Mendoj se do të mësoni më shumë pas Pashkëve”, - tha Vondra, duke shtuar se Çekia “ka qenë realiste” kur bëhej fjalë për njohjen e Kosovës. Pas shpalljes së pavarësisë Kosovën e kanë njohur shumë shtete ndër të cilat 16 shtete anëtare të Bashkimit Europian dhe 11 shtete të tjera.

Fillon procesi ndaj tre gjeneralëve kroatë në Hagë

Në Gjykatën Ndërkombëtare të Krimeve në Hagë ka filluar gjyqi kundër tre gjeneralëve kroatë. Ante Gotovina, Ivan Cermak dhe Mladen Markac akuzohen si përgjegjës të vrasjes dhe keqtrajtimit të serbëve gjatë luftës në Kroaci 13 vite më parë. Prokurori Alan Tieger tha se gjeneralët ishin në gjyq për shkak të rolit të madh që besohet se kanë luajtur në rajonin serb të Krajinas në Kroaci.
“Ky gjyq ngrihet mbi eliminimin me forcë të serbëve të Krajinës në Kroaci dhe shkatërrimin e komunitetit të tyre në gusht të vitit 1995 dhe rolet dhe përgjegjësitë e të tre burrave, gjeneralë në ushtrinë kroate në këtë proces”, - u shpreh prokurori i çështjes, Tieger. Kapja e Gotovinës çoi në protesta në Kroaci, ku shumë veta e konsiderojnë atë si hero lufte. Të tre gjeneralët i mohojnë akuzat. Ky rast mund të zgjasë më shumë se një vit, ndërsa pritet të thirren më shumë se 130 dëshmitarë.

12 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›