Ushtarakëve shqiptarë që shërbejnë në NATO shteti u paguan të gjitha shpenzimet
Këshilli i Ministrave ka vendosur të trajtojë financiarisht dhe të mbulojë shpenzimet e atasheve ushtarakë të forcave të armatosura që shërbejnë në përfaqësitë ushtarake të NATO-s dhe në përfaqësitë ushtarake të Republikës së Shqipërisë pranë NATO-s. Gjithashtu vendimi i Këshillit të Ministrave për përballimin e shpenzimeve përfshin edhe ato të ushtarakëve shqiptarë, të cilët shërbejnë pranë organizatave ndërkombëtare dhe në shtabet ushtarake ndërkombëtare. Sipas këtij vendimi, Ministria e Mbrojtjes, brenda fondeve vjetore, do të përballojë shpenzimet për ushtarakët e sipërpërmendur për shpenzimet publicitare në interes të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, shpenzimet për udhëtime dhe dieta jashtë vendit pritës, kur këto kryhen në interes të Ministrisë së Mbrojtjes. Ministria e Mbrojtjes do të përballojë gjithashtu shpenzimet për pritjen e partnerëve zyrtarë në vendin pritës, shpenzimet për ceremonitë zyrtare, të karakterit ushtarak në vendin pritës, shpenzimet për pritje të personelit ushtarak të nivelit të lartë, shpenzimet për udhëtime dhe dieta brenda vendit pritës. Gjithashtu përballimi i shpenzimeve në këtë vendim përfshin edhe shpenzimet për mbështetjen e veprimtarive të studentëve ushtarakë shqiptarë në vendet përkatëse, shpenzimet për uniformën, shpenzimet për qira apartamenti dhe mirëmbajtje, shpenzimet për energji elektrike, ujë, gaz dhe telefon fiks, shpenzimet për pajisje shtëpiake, për blerje automjeti, siguracion e mirëmbajtje, shpenzime për karburant. Gjithashtu ushtarakëve në fjalë do t’u paguhen edhe shpenzimet për siguracionin shëndetësor familjar, shpenzimet për taksat e shkollave publike si dhe komisionet bankare. Neni 2 i vendimit të qeverisë parashikon dhënien 100% të trajtimit financiar për përkujdesjen ndaj familjes të ushtarakëve, të cilët dërgohen me shërbim jashtë venddislokimit, ndërkohë që në vendin ku kryen shërbimin ka lënë bashkëshorten dhe fëmijët. Ndërkohë neni 3 përcakton se në rast se ushtaraku shtrohet për kurim në institucionet shëndetësore të shtetit, ku ndodhet komanda apo shtabi i NATO-s, ose në ndonjë shtet tjetër, ai vazhdon të përfitojë pagën përkatëse dhe trajtimin financiar, që është për përkujdesje ndaj familjes.
Neni 4 njeh të drejtën e ushtarakëve për pushimet javore, pushimet në ditët e festave zyrtare dhe pushimin vjetor të paguar, për kohën që është me detyrë jashtë shtetit, sipas dispozitave në fuqi në Republikën e Shqipërisë. Ministria e Mbrojtjes nuk merr përsipër shpenzimet për ushtarakun kur ai kthehet në atdhe për të bërë lejen e zakonshme.
13 Mars 2008