Armanda Hysa: Muajt e Mjaltit, një prurje re në kulturën ballkanike që thyen stereotipet
Filmi Muajt e Mjaltit pas prezantimit të suksesshëm të tij, ka marrë vlerësime dhe kritika pozitive nga studiues dhe kritikë të ndryshëm shqiptarë dhe të huaj. Armanda Hysa etnologe pranë Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit, një shkencë e cila përfshin studimin e kulturës masive shqiptare e më gjerë, së fundi në fokus të punës së saj ka qenë dhe filmi Muajt e Mjaltit. Etnologia në këtë intervistë dhënë për gazetën tregon se si filmat
nuk kanë thjesht rolin artistik, por kanë edhe një funksion më të gjerë shoqëror dhe kulturor, imazh formues. Filmin Muajt e Mjaltit ajo e konsideron si diçka të re pozitive për kinemanë shqiptare. Në vijim të kësaj interviste etnologia Hysa pohon se etnologu nuk sheh vetëm se cilave krahina i përkasin veshje e zakone të caktuara, por sheh shumë më gjerë edhe perceptimin që kanë njerëzit për veten e kulturën e tyre, si dhe për të tjerët. Filmi Honeymoons (Muajt e Mjaltit), që shënon edhe bashkëpunimin e parë kinematografik mes Shqipërisë dhe Serbisë, ndërkohë po vijon turin e tij të suksesshëm në festivale të ndryshme botërore. Skenari është një ndërtim i vet regjisorit Paskaljevic dhe Genc Përmetit, të cilët kanë shkruar dy histori të ngjashme, një serbe dhe një shqiptare, që ecin paralelisht, pa u takuar askund, që rrëfen marrëdhëniet shumëshekullore mes dy popujve, bëhet fjalë për realitetet e të dy vendeve, të cilët ngjajnë aq shumë dhe ndajnë të njëjtën shpresë, Europën.
-Si dhe pse ju lindi interesi për filmin Muajt e Mjaltit?
Për këtë film kam qenë e interesuar për disa arsye. Puna si etnologe më ka bërë që të mësoj shumë për kulturën dhe popujt e Ballkanit, dije që është thelluar edhe më shumë prej udhëtimeve të mia nëpër këto vende. Ne shqiptarët jetojmë në Ballkan, por me mendje, apo me fantazi, jetojmë diku tjetër. Ne nuk na intereson shumë të dimë se çbëhet përtej kufijve tanë tokësorë, dhe lajmet mbi rajonin janë ato që më pak na tërheqin vëmendjen. Kështu edhe në lidhje me artin kinematografik, pikturën, skulpturën e letërsinë, përveç të interesuarve direkt për shkak të profesionit, publiku i gjerë ka fare pak informacion. Por nëse nga Ballkani ne do të vazhdojmë të njohim vetëm idetë shoviniste kundërshqiptare, imazhi që do të kemi për të do të vazhdojë të jetë i shtrembëruar, apo sikurse historiania bullgare Maria Todorova thotë, do të jetë i ballkanizuar, dhe kurrë nuk do të arrijmë ta kuptojmë e njohim me të vërtetë vendin ku jetojmë. Kinematografia është një nga mjetet që më mirë i shërbejnë kësaj njohjeje. Vërtetë që kinematografia është art, e nuk ka për synim të zbulojë apo shprehë të vërteta historike e etnografike, por ama arti gjithsesi shpreh një mendësi, një njohje, një ndjenjë, e përcjell një ide të caktuar. Arti kinematografik ballkanik, të cilin Tirana Film Festival ka disa vite që po na e përcjell, jep mesazhin se në Planetin Ballkan, ashtu sikurse në çdo pjesë tjetër të botës, njerëzit e thjeshtë vuajnë, këndojnë, qeshin, qajnë, dashurojnë, urrejnë e gëzojnë, e se ne kemi shumë më tepër gjëra të përbashkëta në shprehjen e këtyre ndjenjave me këtë planet, sesa me pjesë të tjera të botës. Që kur se pashë në televizor njoftimin për filmin Medeni Mesec apo Muajt e Mjaltit (është gjysmë shqip e gjysmë serbisht, ndaj nuk më pëlqen ta quaj Honeymoons), vendosa të ndjek hap pas hapi mënyrën se si ai do të pritej në botë e komentet për të. Asgjë përveçse një bashkëpunim shqiptaro-serb nuk do të realizonte të gjitha ato që unë thashë më sipër, dhe intuita nuk më gënjeu, apo si mund të thuhet më popullorçe, kisha qenë në një mendje me regjisorin dhe skenaristin (Paskaljevicin e Përmetin).
-Çfarë mendimi krijuat për filmin pasi e patë atë dhe cilat janë disa nga të veçantat e tij?
Të them të drejtën, unë dija gjithçka që ishte e mundur për filmin që para se ta shihja atë, pasi kam ndjekur komentet dhe artikujt që janë bërë për të jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Serbi, Itali, Spanjë e Greqi. Ajo që më ka bërë më shumë përshtypje në shkrimet e shtypit përtej Ballkanit, është se theksi vihej shumë në faktin e çuditshëm që shqiptarë dhe serbë dinkan edhe të bashkëpunokan, e të bëjnë gjëra të bukura si ky film. Më parë përmenda Todorovën dhe emrin që ajo i vë stereotipeve mbi Ballkanin si ballkanizëm. Në thelb të stereotipit ballkanist qëndron imazhi i gabuar se popujt e këtij gadishulli urrehen për vdekje me njëri-tjetrin, e kjo urrejtje i ka futur ata në grackën e luftërave të përgjakshme, prej të cilës e kanë të pamundur të dalin. Urrejtja esencializohet deri në atë pikë saqë kur vihet re një shenjë afrimi apo bashkëpunimi, kjo shihet me një kureshtje dhe çudi gati ekzotike. Ndërkohë që po të lexosh shtypin serb e shqiptar për këtë film, kjo çudi nuk ndjehet, ose të paktën jo deri në ato përmasa ekzotike. Patjetër që vihet në dukje se niveli i bashkëpunimit në këtë fushë ka qenë i ulët- kjo edhe për shkak të marrëdhënieve politike. Por kjo nuk tejkalon nga niveli i konstatimit në nivelin e çudisë, e përveç kësaj, kjo marrëdhënie e vështirë nuk esencializohet si të ishte thelbi i gjithçkaje që ka lidhje me shqiptarët dhe serbët. Kjo është një gjë pozitive që të paktën realizimi i këtij filmi arriti ta vërë në dukje. Mendimi im për filmin ishte tepër pozitiv, edhe si shikuese e thjeshtë, edhe si etnologe.
-Çfarë mund të na thoni si etnologe mbi filmin?
Dikush mund të thotë që pse si etnologe. Do ti përgjigjesha, se etnologu nuk sheh vetëm se cilave krahina i përkasin veshje e zakone të caktuara, por sheh shumë më gjerë edhe perceptimin që kanë njerëzit për veten e kulturën e tyre, si dhe për të tjerët. Filmi tregon një të vërtetë të madhe, atë se ne e kemi idealizuar imazhin e jetës në vendet e Bashkimit Europian, e kjo shpesh në kurriz të konsideratës që ne kemi për veten. Vërtetë që në vendet tona duket se shpresa është e vogël, e kjo duket sidomos në pjesën që për mua ishte kulmi i dramës në film, kur personazhi i luajtur me mjeshtëri nga Bujar Lako i kërkon të shoqes ti lërë fëmijët të lirë, pasi Shqipëria vazhdon të jetë një burg i madh, sepse qeveriset nga po ata njerëz që atë e kishin futur në burg politik në kohën e diktaturës, apo tek pjesa serbe, kur vëllai refuzon me kokëfortësi të pajtohet me të vëllanë. Por nga ana tjetër filmi përcjell idenë se fajtore për këtë është kryesisht politika (në Shqipëri burgu i madh e në Serbi pasojat e luftërave nacionaliste që i kanë lënë njerëzit peng të dëshpërimit), e se kjo politikë e mbrapshtë nuk i ka rrënjët vetëm në Ballkan, por edhe në Evropë, ku njerëzit e thjeshtë të Ballkanit janë të detyruar ti nënshtrohen gjithëfarë poshtërimi. Unë të paktën kështu e lexova përmbajtjen e tij.
Tjetër gjë që unë vlerësova shumë si etnologe ishte se publiku shqiptar pa tek pjesa serbe pak nga jeta tradicionale e zonave rurale-kush e ka parë këtë film, në ato momente pa tjetër që ka kujtuar pak nga dasmat në fisin e tij, apo pak nga zakonet kokëforta të mikpritjes, etj. Dhe ka menduar, sa zakone të ngjashme paskan shqiptarët dhe serbët... Dhe i kanë vërtetë. Në planetin Ballkan paska jetë, e kjo jetë qenka kaq e ngjashme!!!!!!!! Muaji i mjaltit ndihmoi për këtë.
-Cilët janë elementet, që sipas jush e bëjnë tërheqës këtë prodhim kinematografik?
Pak a shumë iu përgjigja më sipër kësaj pyetjeje. Përveç atyre që thashë më lart, tërheqës e bënte filmin edhe një sens i hollë humori. Ky humor ishte shumë domethënës, pasi ishte njëkohësisht edhe thumbues. Po të keni parasysh për shembull personazhin e luajtur nga Çun Lajçi. Ai duket se ishte episodik si personal, por shprehja që ai tha se italianët janë shumë racistë, shih, ku na kanë futur, në një qeli me zezakët, përmbledh brenda shumë kuptime, dhe është nga ato shprehje që ka për tu kujtuar gjatë. Ne vërtetë protestojmë ndaj padrejtësive që na bëhen, po kurrë nuk e shohim veten me një sy më k