SHBA: S’e lejojmë ndarjen e Kosovës
• Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kundërshtuar ashpër idenë për ndarjen e Kosovës, e cila është lënë të kuptohet nga veprimet e fundit të popullsisë serbe në Mitrovicë, nën ndikimin e Ministrisë së Mbrojtjes në Beograd. Nënsekretari amerikan i Shtetit, Daniel Frid ka deklaruar se “Ne e hedhim poshtë ndarjen e Kosovës. E kemi njohur pavarësinë e saj si të tërë dhe kemi insistuar, ndërsa Qeveria e Kosovës ka rënë dakord që të respektohen të drejtat e komunitetit serb dhe të gjitha komuniteteve të tjera”, tha Frid. Sipas nënsekretarit amerikan, dhuna e radikalëve brenda komunitetit serb është nxitur nga disa radikalë në Beograd. Duke shprehur keqardhje për situatën, Frid komentoi se “paqeruajtësit e Kombeve të Bashkuara dhe forcat e NATO-s u sulmuan me granata dhe armë automatike nga radikalët serbë, por ne nuk do të lejojmë ndarjen e Kosovës. Ky nuk është vetëm mendimi i Shteteve të Bashkuara, por edhe i partnerëve tanë evropianë. Madje, Rusia formalisht e ka hedhur poshtë ndarjen e Kosovës. Serbia duhet të shohë përpara drejt të ardhmes së saj evropiane”, tha ai në një intervistë për “Evropa e Lirë”. “Ka pasur dhunë që prej pavarësisë së Kosovës. Më vjen keq të them, por kjo dhunë ishte e nxitur nga radikalët brenda komunitetit serb të Kosovës dhe frikësohem se po ashtu ka qenë e nxitur nga disa radikalë nga Beogradi, që për fat të keq, ishte papërgjegjësi shumë e madhe. Serbia ka të drejtë për të ardhmen e saj evropiane. Populli i Serbisë nuk duhet të detyrohet në izolim. Të vetmet barriera ndërmjet Serbisë dhe Evropës tashmë janë ato që serbët do t’i vendosin në rrugën e tyre”, tha më tej diplomati amerikan. Sa për marrëdhëniet me Rusinë, Frid pohon se kohët e fundit ato janë përmirësuar. “Ne dëshirojmë t’i shqyrtojmë shqetësimet ruse. Ka fusha ku ne kemi mospajtime me Rusinë: Kosova është njëra prej tyre dhe ka të tjera. Por, kjo nuk do të thotë se ne nuk duhet të punojmë si partnerë, kur ne kemi interesa që përputhen”, vlerësoi Daniel Frid. Reagimi serb Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç i ka hedhur poshtë zërat se Serbia dëshiron të ndajë Kosovën në vija etnike përmes nxitjes së dhunës në veri të Kosovës. “Nuk ekziston ndonjë plan sekret për të ndarë Kosovën”, ka deklaruar Tadiç në një televizion serb. reagim i Presidentit serb erdhi pas rritjes së qarkullimit të zërave se Serbia po shkakton trazira në Mitrovicë për të bërë të pamundur bashkëjetesën me shqiptarët në mënyrë që të nxisë ndarjen e Kosovës në vija etnike, duke e marrë veriun e saj edhe pse ndarja nuk është lejuar në mënyrë absolute nga autoritetet ndërkombëtare. Kombet e Bashkuara kanë akuzuar Serbinë për organizimin e trazirave të Mitrovicës me qëllim për të mbajtur kontrollin në komunat serbe. Tadiç pranoi se Serbia do që të jetë e pranishme në veriun e Kosovës, por vetëm me qëllimin për të ndihmuar minoritetin serb të jetojë një jetë normale. Presidenti pro perëndimor pranoi se qeveria tashmë e shpërbërë e Serbisë ka qenë e ndarë edhe për mënyrat se si duhet të ruhet territori i Kosovës brenda Serbisë. Ai përmendi ministrin serb për Kosovën, Sllobodan Samarxhiç, i cili i ka inkurajuar serbët e Kosovës të vazhdojnë me protestat e tyre kundër pavarësisë. Tadiç shtoi gjithashtu se Samarxhiç, një aleat nacionalist i Koshtunicës, po zhvillonte politika të cilat nuk janë të aprovuara nga kabineti qeveritar. Tadiç paralajmëroi se një sjellje e tillë po lëndonte edhe Serbinë. Samarxhiç, të cilin OKB në Kosovë e akuzon për nxitjen e tensioneve mes serbëve në Kosovë, ka insistuar se trupat ndërkombëtare ishin fajtore për përleshjet në Mitrovicë, në të cilat u panë armë zjarri, bomba me gazolinë dhe granata dore. “Ne kemi prova se dikush ka dashur të krijojë konflikte dhe një gjendje lufte në Kosovë”, tha ministri serb.