Armë drejt Greqisë, ndalohen katër persona
Një operacion i zhvilluar ditën e djeshme nga policia ka çuar në qeli katër persona, pjesë të një grupi të dyshuar kriminal që akuzohet se merret me kontrabandë të armëve. Të ndaluarit merreshin me shitjen e telefonave celularë, të cilët i blinin në territorin grek, një mënyrë kjo që u jepte mundësi për të lëvizur shpesh jashtë. Ndërkohë që pak ditë më parë është ndaluar në Gjirokastër një 29-vjeçar, i cili akuzohet se bashkëpunonte me grupin, të cilit iu sekuestrua një sasi prej 100 gram kokainë dhe përzierës.
Arrestimi
Gjatë finalizimit të operacionit “Tregtarët e telefonave”, Policia e Shtetit vuri në pranga 23-vjeçarin Kanan Xhakollari, 28-vjeçarin Lulzim Qamo, 23-vjeçarin Astrit Zylyftari, i dënuar një herë me parë për veprën penale të “trafikut të lëndëve narkotike” në Greqi, si dhe Asllan Plaku, 18 vjeç, të katër banues në Durrës. Ndërkohë që pak ditë më parë ishte vënë në pranga nga policia e Gjirokastrës edhe Sotir Zako, i cili bashkëpunonte me grupin. Gjatë kontrollit të kryer në banesat e të ndaluarve, policia sekuestroi 4 armë zjarri automatike, nga të cilat 3 tip “Kallashnikov” dhe 1 tip “PMSH”, si dhe 2 armë zjarri pistoletë tip “TT”. Ndërkohë, që 29-vjeçarit Zako iu gjetën të fshehura gjatë arrestimit të tij 100 gramë kokainë dhe 30 kilogramë paracetamol dhe lidokainë, të cilat shërbejnë si lëndë përzierëse të lëndëve narkotike, kokainë dhe heroinë.
Hetimet
Policia e Shtetit dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda kishin disa muaj që kishin nisur hetimet për aktivitetin e të ndaluarve. Sipas burimeve nga grupi hetimor, të ndaluarit akuzohen se kanë bashkëpunuar duke blerë armë dhe municione me qëllim trafikimin e tyre drejt Greqisë. Ata kishin dyqan në qytetin bregdetar të Durrësit, ku merreshin me shitjen e celularëve. Një punë e tillë u jepte mundësi të ndaluarve që të lëviznin shpesh drejt kufirit grek, ku përveç të tjerash transportonin edhe armët të cilat më pas i shisnin. Të ndaluarit u shoqëruan në qelitë e paraburgimit, në pritje për të dalë përpara gjykatës për të marrë masën e arrestit. Ata akuzohen për kryerjen e veprave penale të “trafikimit të armëve dhe municioneve luftarake” dhe “mbajtjes së lëndëve narkotike” parashikuar nga nenet 278/ a, 25 dhe 283 të Kodit Penal.