E Shtunë, 31 Tetor 2026

KE, Nishanit: Përgëzime për progresin në hartimin e akteve ligjore dhe marrëveshjeve të bashkëpunimit

Ministri i Drejtësisë ka marrë përgëzime për arritjet e institucionit që drejton në hartimin e akteve ligjore dhe marrëveshjeve të bashkëpunimit. Ministri i Drejtësisë, z. Bujar Nishani, priti dje në një takim pune z. Luigi Soreca, znj. Maria Fidelgo dhe z. Tomas Volhode, përfaqësues të Komisionit Evropian, me të cilët u diskutua mbi realizimet dhe sfidat në kuadër të detyrimeve që ka Shqipëria në procesin e liberalizimit të vizave. Në prezantimin e tij, ministri njohu pjesëmarrësit me hapat e ndërmarra nga Ministria e Drejtësisë në kuadër të hartimit të strategjisë së reformës në drejtësi, hartimin dhe miratimin e një pakete ligjesh për funksionimin e sistemit të drejtësisë në vend, si dhe një kuadër marrëveshjesh bilaterale si ajo me Mbretërinë e Belgjikës dhe Marrëveshja e Bashkëpunimit me Eurojust. Në fjalën e tij, z. Nishani prezantoi të rejat që sjell zbatimi i ligjit “Antimafia”, si dhe ai i Bashkëpunimit Ndërgjyqësor Ndërkombëtar si në aspekt të fuqizimit të luftës kundër krimit të organizuar, ashtu dhe në drejtim të përmirësimit dhe qartësimit të roleve dhe procedurave të aktorëve të përfshirë në këtë proces. Z. Soreça përgëzoi Ministrinë e Drejtësisë dhe Qeverinë Shqiptare për progresin e shpejtë të arritur në hartimin e akteve ligjore dhe marrëveshjeve të bashkëpunimit, detyra këto të lëna nga misioni i parë i ekspertëve në mars 2009. Ai theksoi se tashmë sfida që shfaqet përpara Shqipërisë në procesin e liberalizimit të vizave është zbatimi me efektivitet i akteve të miratuara, si dhe vënia në dispozicion e burimeve njerëzore dhe financiare për këtë qëllim. Edhe në këtë aspekt, z. Nishani informoi se Ministria e Drejtësisë po i kushton një vëmendje të veçantë procesit të zbatimit të ligjeve dhe vendosjes së burimeve të nevojshme për zbatimin e ligjeve të adoptuara nga Parlamenti.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›