E Diel, 1 Nëntor 2026

Vendimi:Gjykata: Gazmir Gjoka, ekstradim drejt SHBA-së

Gjykata e Tiranës vendosi dje t’i hapë rrugë ekstradimit për në SHBA të shtetasit Gazmir Gjoka. Vendimi u dha nga gjyqtari Ridvan Hado, në prezencë të të pandehurit, mbrojtësit të tij, si dhe përfaqësuesit të prokurorisë. Vetë i pandehuri Gjoka pranoi që të ekstradohej drejt SHBA-së, ku edhe është duke u hetuar për veprën penale të “trafikut të lëndëve narkotike” në bashkëpunim. Ndërkohë që ishte arrestuar në vendin tonë, Gjoka kishte marrë garanci nga avokati i tij në Amerikë se çështja do të trajtohej drejt dhe se ai mund të kishte lehtësira. Kanë qenë deklaratat e avokatit që e bindën Gjokën të vendoste për ekstradim në Amerikë me dëshirën e tij. Gjoka akuzohet se së bashku me dy shqiptarë të tjerë me banim në SHBA, janë organizatorët e trafikut të drogës në disa shtete të tjera. Grupi përbëhej nga 17 persona, ndërsa trafiku kryhej me anë të avionëve, ku ishin të implikuar edhe pilotët. Grupi kriminal vepronte në disa qytete në veri të Nju Xhersit, si në Bruklin dhe Nju Jork, por mësohet se kishte lidhje dhe me grupe kriminale në Shqipëri, Maqedoni, Kosovë, Serbi, Kanada, si dhe në disa shtete të tjera të SHBA-së. Gjatë operacionit "Shqiponja e zezë", FBI sekuestroi më shumë se 500 mijë dollarë, si dhe dy aeroplanë të cilët dyshohet se përdoreshin për të transportuar drogën, armët dhe lëndët e tjera të kontrabandës. Një aeroplan u sekuestrua në aeroportin “Linkoln Park” të Nju Xhersit dhe aeroplani tjetër në “Hartford Breinard” të Konektikatit. Rrjeti dhe veprimtaria e tij u zbulua falë agjentëve të FBI-së të infiltruar, të cilët kishin arritur të blinim më shumë se 30 mijë pilula ekstazi dhe 2 kilogramë e 500 gramë heroinë, si dhe 25 pistoleta nga të dyshuarit. Sipas FBI-së, në muajin shkurt piloti Louis Luyten dhe Paul Robinson nga Glastonbury ishin regjistruar në një kasetë filmime, teksa arrinin një marrëveshje me agjentët e infiltruar të FBI-së për të dërguar 10 kilogramë kokainë nga Florida në aeroportin e “Ocean City”. Kjo ka qenë prova më e fortë dhe e pakontestueshme, që ka çuar në qeli deri tani 26 persona dhe ka identifikuar si pjesëtarë të grupit edhe 9 persona të tjerë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›