E Shtunë, 31 Tetor 2026

Armë e municione në qytezën e Fushë-Krujës

27/07/2011  Ndalohen 2 shtetas, iu gjenden një arsenal i tërë nëpër banesa

Policia nën vëzhgim fshatin Kretë, konfliktet me fabrikën e çimentos

Fushë-Kruja në qarkun e Durrësit përballet sërish me problemet e akteve të dhunshme lidhur me konfliktet që kanë nisur mes banorëve dhe kompanisë së firmës së çimentos. Xhevahir Rr. 20 vjeç dhe Selman L. 20 vjeç të dy nga fshati Shkretë i Krujës janë vënën në pranga ngase në banesat e tyre policia ka gjetur armë e municione. Pas fshatit Zallë në Fushë –Krujë, një tjetër fshat do të jetë i monitoruar nga policia. Këtë radhë bëhet fjalë për fshatin Shkretë të Krujës, pasi një ditë më parë në këtë fshat policia ka zbuluar një tjetër arsenal armësh e municione. Policia e Krujës e ka marrë me shumë seriozitet faktin dhe ka nisur të përforcojë shërbimet e saj duke garantuar kontroll të plotë e të rreptë të zonës. Gjatë një operacioni të zhvilluar është bërë e mundur të sekuestrohet arsenal armësh gjë që ka çuar në pranga dy të dyshuar, ndërsa të tjerë persona po mbahen nën vëzhgim. “Në vazhdimësi të sasive të armatimit dhe lëndëve plasëse të sekuestruara më parë, ditën e martë, u bë e mundur gjetja e bllokimi i një tjetër arsenali për të cilin u arrestuan në flagrancë dy shtetas posedues të tij. Kështu, në orën 18.00, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Xhevahir R., 20 vjeç dhe Selman L., 20 vjeç, të dy këta shtetas janë banorë të fshatit Shkretë Krujë. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e këtyre shtetasve, u gjetën e sekuestruan në cilësinë e provës materiale, armë, fishek dhe lëndë plasëse, të cilat i mbanin pa leje”,- shkruhej ndër të tjera në komunikatë. Pas ngjarjeve të fundit të ndodhura në Fushë-Krujë, policia po bënë shërbim të pandërprerë deri sa në këtë zonë të kthejnë sigurinë. Burime pranë policisë bëjnë me dije se fshati tani gjendet thuajse në shtetrrethim pasi policia ka të dhëna se brenda në fshat ka të tjera armatime e municione në sasi të mëdha. Për këtë arsye fshati Shkretë do të jetë gjatë gjithë kohës nën vëzhgimin e policisë. Ndërkaq të tjera operacione pritet të ndërmarrë policia, për të çarmatosur çdo banesë që posedon armë e municione të ndaluara. Xh. Gradica

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›