Armë në makinë, i ikën patrullës së policisë
TIRANE - Një adoleshent, i cili lëvizte me makinë i armatosur me pistoletë dhe thikë, u arrestua në orët e para të mëngjesit të djeshëm nga efektivat e Komisariatit Nr.1. Arrestimi ndodhi pasi i riu iu shmang patrullës së policisë, e cila kërkoi të kryente kontrollin e dokumenteve të makinës. Mjeti i të dyshuarit është ndjekur ndërsa i riu përfundoi në pranga për armbajtje pa leje. Burime nga policia thanë se bëhet fjalë për 19-vjeçarin Elton Haka. Adoleshenti ka dalë një lokal me muzikë live dhe ka qenë duke lëvizur me makinën e tij tip "Volsvagen Golf 3, në unazë, pranë rrugës së Elbasanit. Duke qenë se lëvizte me shpejtësi tej normave të lejuara, dy efektiva të Patrullës së Përgjithshme, i kanë bërë shenjë që të ndalonte, por Haka ka vazhduar rrugën, madje duke i dhënë gaz më shumë makinës së tij. Një automjet i patrullës i është vënë pas dhe ka arritur ta ndalojë vetëm në lagjen "Ali Demi". Fakti që ai nuk i ka ndaluar policisë, ka shtuar dyshimet fillimisht për parregullsi në dokumentet e makinës, apo edhe për konsumim të pijes alkoolike. Por pasi janë verifikuar të gjitha këto, policia ka vendosur të bëjë kontroll fizik ndaj tij dhe kontroll të automjetit. Sipas burimeve nga policia mësohet se gjatë kontrollit të makinës, poshtë sediljes së shoferit është gjetur një pistoletë tip "Zastava" me një krehër me dy fishekë, si dhe një thikë e fabrikuar me dorezë druri me ngjyrë të zezë, të cilat 19-vjeçari i mbante pa leje. Pas verifikimeve ka rezultuar se Elton Haka nuk ishte person me precedentë penale, por është arrestuar me akuzën e "mbajtjes pa leje të armëve e municioneve luftarake" dhe të "mbajtjes pa leje të armëve të ftohta".