Burg, grabitësve të 600 milionëve
Trazhgim Sokolaj
Shtatë personat e arrestuar të dielën gjatë aksionit "Hija e Natës" u lanë në "arrest me burg" pa afat, dje nga Gjykata e krimeve të Rënda. Grupi i akuzuar për nëntë grabitje, shumica prej të cilave në dëm të bizneseve në Tiranë dhe Durrës, u paraqit për vlerësimin e masës së sigurisë. Seanca filloi në mesditë dhe zgjati disa orë për shkak se shtatë të pandehurit i paraqitën në sallë njëri pas tjetrit. Elton Lika, 26 vjeç, Sajmir Kuçi, 26 vjeç, Sulejman Bakalli, 26 vjeç, Taulant Mataj, 28 vjeç, Euklid Habili, 27 vjeç, Dritan Duka, 28 vjeç dhe Admir Burri, 31 vjeç, u paraqitën para togave të zeza ndërsa Prokuroria kërkoi mbajtjen e tyre në burg deri në përfundim të hetimeve. Prokurorët e çështjes Anton Martini dhe Besnik Muçi, i kërkuan Gjykatës caktimin e masave të sigurimit personal për të pandehurit deri në përfundim të hetimeve. Gjykata njoftoi të arrestuarit me masën e sigurisë ndërsa policia e burgjeve i riktheu të akuzuarit në qelitë e paraburgimit.
Banda me 14 dosje
Në konferencën e shtypit ditën e diele, ndërsa prezantuan rezultatet e operacionit, drejtuesit e policisë thanë se grupi ku veç shtatë të arrestuarve bëjnë pjesë edhe disa persona të shpallur në kërkim, ka vepruar që nga viti 2000. Aktiviteti kriminal i tyre ishte përqendruar në grabitje banesash të biznesmenëve, zyra biznesesh dhe rrëmbim parash apo makinash nën kërcënimin e armëve. Sipas burimeve nga prokuroria, të gjitha "bëmat" e grupit kriminal të ndodhura gjatë viteve të fundit ishin konsideruar "ngjarje pa autor" pasi ishin hetuar në Prokuroritë e rretheve në Tiranë dhe Durrës. Ndërkohë pas grabitjes së ambasadës daneze në 12 tetor 2009 në Tiranë, vëmendja e policisë është përqendruar në aktivitetin kriminal të këtyre personave. Dosja është marrë në hetim nga prokuroria e Krimeve të Rënda. Kjo e fundit ka rihapur plot 14 dosje që kishin mbetur pa autor në Prokuroritë e rretheve duke gjetur më pas në bashkëpunim me policinë, provat që implikonin të dyshuarit në grabitjet e kryera me armë. Deri tani sipas burimeve zyrtare, është provuar se të arrestuarit kanë kryer: super grabitjen e kasafortës së biznesmenit I.ç, ku janë marrë 600 milionë lekë, vjedhjen e agjencisë "Adriatika" në Durrës, tentativën e grabitjes së kasafortës së firmës "Skutari" në autostradë, një kompani makinash në Tiranë, agjencinë "Pasha Travel" në kryeqytet, firmën e ndërtimit "Merkaj", ambasadën daneze, dhe kasafortën e agjencisë "ATHS".
Të dyshuarit
Elton Lika, 26 vjeç
Sajmir Kuçi, 26 vjeç
Sulejman Bakalli, 26 vjeç
Taulant Mataj, 28 vjeç
Euklid Habili, 27 vjeç
Dritan Duka, 28 vjeç
Admir Burri, 31 vjeç,