Kuzhe rinovon kontratën për 110 mijë euro në vit
Leonard Karaj
Josip Kuzhe ka rinovuar kontratën e tij si trajner i Kombëtares shqiptare të futbollit. Vendimi unanim për kontratën e re deri në vitin 2011 të punësimit të tij u mor nga anëtarët e Komitetit Ekzekutiv të Federatës Shqiptare të Futbollit. Kuzhe do përfitojë 110 mijë euro në vit (rreth 9200 euro në muaj), një shumë e pranueshme për financat e Federatës Shqiptare të Futbollit. Kontrata e mëparshme e tij skadonte në maj të vitit 2010. Por nga dje ai ka nënshkruar një marrëveshje të dytë si trajner i kuqezinjëve me një afat 2.5 vjet, por me versionin 1 vit + 1.5 vjet, duke pranuar me shumë dëshirë kushtin e tij krysor të federatës, qëndrimin me një kohë të gjatë në Shqipëri, ndryshe nga paraardhësit e tij të huaj. Kuzhe ka marrë një apartament me qira në zemër të Tiranës dhe është fqinj me kryeministrin e vendit, Sali Berisha. Puna e parë e Kuzhëse do të nisë, më 4 janar 2010 me grumbullimin në Antalia të Turqisë dhe do të zgjasë shtatë ditë. Janë paraparë dhe zhvillimin e të paktën të dy ndeshjeve miqësore, nisur dhe nga fakti se në atë kohë komplekset hoteliere në rajonin turistik turk bujten nga shumë ekipe europiane. Performanca e Kuzhësë mund të konsdierohet pozitive, nisur edhe nga momenti kur ai mori përsipër drejtimin e Shqipërisë, në një ndeshje me kundërshtar Portugalinë dhe një takim deciziv për të ardhmen e Kristiano Ronaldos në Kampionatin Botëror të Afrikës së Jugut. Deri tani, me tri ndeshjet zyrtare (1 barazim, 2 humbje) dhe tri miqësoret (2 barazime, 1 fitore), tekniku kroat ka bindur me aftësinë për të ndërtuar një formacion që arrin të realizojë golin (golaverazhi është pozitiv: 10-9, ku vetëm në një ndeshje Kombëtarja nuk ka realizuar). Kuzhe rezulton të jetë trajneri i dytë i huaj që arrin të drejtojë kuqezinjtë për më shumë se një edicion. Para tij një rinovim kontrate për më tej i është ofruar edhe bashkombasit të tij, Oto Bariç por tratativa nuk shkoi deri në fund për shkak të dorëheqjes së parakohëshme të “ish-plakushi” kuqezi. Ndërsa Brigel, para tij drejtoi kuqezinjtë për dy vjet e gjysëm në dy edicione, kualifikueset e evropianit “Portugali 2004” dhe ato të botërorit “Gjermani 2006”. Gjermani është edhe rekordmeni momental me përfaqësuesen shqiptare. Ai është i vetmi që ka grumbulluar më shumë pikë në një edicion (13) dhe i vetmi që numëron 32 pankina, kundrejt 25 të Astrit Hafizit dhe 23 të Shyqyri Rrelit.
Shqipëria me Kuzhenë
Zyrtare
Shqipëri-Portugali 1-2
Shqipëri-Danimarkë 1-1
Suedi-Shqipëri 4-1
Miqësore
Shqipëri-Gjeorgji 1-1
Shqipëri-Qipro 6-1
Estoni-Shqipëri 0-0
Bilanci: 6 ndeshje; 1 fitore, 3 barazime, 2 humbje. Golaverazhi: 10-9