E Shtunë, 31 Tetor 2026

Armëpushim i brishtë në Gaza, edhe Hamas paqe për një javë

 

Rreth 12 orë pas hyrjes në fuqi të armëpushimit të shpallur nga Izraeli, edhe lëvizja Hamas në Palestinë iu dha urdhër militantëve të saj që të mos qëllonin më. Lajmin e ka konfirmuar një nga liderët e lëvizjes, Ayman Taha, duke theksuar se palestinezët i japin një javë kohë trupave izraelite për të lënë territorin e tyre. Hamas i ka kërkuar gjithashtu Izraelit të hapë të gjitha pikëkalimet e bllokuara në Rripin e Gazës, në mënyrë që të kalojnë ndihmat për popullsinë. Por sipas policisë dhe mediave të secilit vend, pala tjetër ka shkelur armëpushimin. Ushtria izraelite ka njoftuar se dy raketa janë hedhur nga Hamasi pas deklaratës së tyre të armëpushimit, ndërsa radio palestineze ka njoftuar se avionë izraelitë kanë qëlluar me mitraloz mbi territorin e Gazës, duke plagosur dhe vrarë civilë të paarmatosur. Sapo nisi qetësia e armëve shërbimet e ndihmës së shpejtë në Palestinë janë kthyer operativë në të gjithë zonën e Rripit të Gazës, dhe mes rrënojave kanë gjetur 95 trupa, nga të cilët edhe fëmijë, duke e çuar numrin e viktimave pas 2 ditësh konflikti në 1300. Ndërkohë avionët izraelitë kanë qëlluar kundër disa militantëve që hidhnin predha në drejtim të territorit hebre duke plagosur disa civilë. Thuhet se ka nisur tërheqja e trupave izraelite. Eshtë njoftuar se disa njësi dhe mjete të blinduara janë kthyer në territorin izraelit. Ndërsa krerët shtetërorë nga vendet evropiane të mbledhur në Egjipt u përpoqën për arritjen e një armëpushimi të qëndrueshëm mes Izraelit dhe palestinezëve. Fjala e fundit e takimit ishte “Paqe afatgjatë”.

Mirëpresim armëpushimin në Gaza
Presidenti i zgjedhur amerikan, Barak Obama, nga i cili është kërkuar më shumë përfshirje në konfliktin e Rripit të Gazës, ka mirëpritur vendimin për armëpushimin në Gaza dhe tha se do të angazhohet të ndihmojë Izraelin dhe Palestinën të shkojnë drejt paqes. Nëpërmjet zëdhënëses së tij, Obama ka shtuar se do të flasë më shumë për Lindjen e Mesme pas 20 janarit, kur ai të jetë zyrtarisht president i SHBA-së.

Izraeli duhet të tërhiqet
Presidenti i Francës, Nikolas Sarkozi, i ka kërkuar Izraelit që të përfundojë tërheqjen e trupave të tij nga territori i Palestinës pas armëpushimit të Hamasit. “Nëse raketat nga Gaza pushojnë, Izraeli duhet të tërhiqet. Nuk ka tjetër alternativë për paqen”. Kështu ka deklaruar Sarkozi pas përfundimit të samitit në Sharm El Sheik.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›