Vrasja e 32-vjeçarit, familja: Autorët kanë ngatërruar objektiv
SHKODER - Vrasja e 32-vjeçarit Paulin Përgjini, në fshatin Mnelë të Shkodrës vijon të jetë e mbuluar me mister. Policia ka shoqëruar mbi 20 persona, të cilët pasi janë marrë në pyetje janë lënë të lirë. Familjarët e viktimës kanë mohuar të kenë pasur konflikte me persona të tjerë. Kjo sipas tyre e konfirmon edhe fakti se djali i tyre lëvizte pa frikë, natën dhe i vetëm. Ata aludojnë se autorët për shkak të errësirës mund ta kenë ngatërruar personin që kishin në objektiv për të ekzekutuar. Policia e Shkodrës nuk ka arritur që të japë ende pista zyrtare në të cilat po hetojnë për vrasjen e 32-vjeçarit Përgjini, i cili gjeti vdekjen nga një pritë e organizuar pasdreken e së shtunës. Të vetmet pohime të drejtuesve të policisë janë saktësimi i llojit të armës që është përdorur për të vrarë 32-vjeçarin. Policia tha se Përgjini është vrarë me një armë brezi, pistoletë dhe jo automatik apo armë gjahu siç ishte bërë e ditur mbrëmjen e ngjarjes. Ndërkohë, në lidhje me pistat e mundshme të gjitha variantet e vrasjes janë të pranueshme në këtë ngjarje, vetëm ajo e gjakmarrjes është e përjashtuar, pasi familja Përgjini asnjëherë deri më sot nuk ka pasur probleme të tilla me ndokënd. r.d