Shkrumbohet banesa, katër veta mbesin pastrehë
POLIÇAN - Korrenti shkrumbon një banesë në mes të qytetit të Poliçanit. Ngjarja ndodhi mëngjesin e djeshëm, por për fat të mirë, katër anëtarët e familjes së dëmtuar nuk ndodheshin në banesë, duke shpëtuar pa lëndime. Sipas policisë, shtëpia e M. Koronit është djegur plotësisht, ndërsa ka nisur hetimi për shkaqet e këtij zjarri. Në shtëpinë njëkatëshe tashmë kanë mbetur vetëm katër muret, ndërsa familja Koroni ka mbetur në qiell të hapur. Flakët rrezikuan të përfshinin edhe banesa të tjera që ndodheshin pranë, por ndërhyrja e zjarrfikëses dhe banorëve të lagjes, mundi të lokalizojë zjarrin pa u shkaktuar dëme të tjera. Pas disa minutash zjarri është fikur, por orenditë nuk mundën t’i shpëtonin. Sipas policisë, nga hetimet paraprake rezultoi se flakët janë provokuar nga ndonjë shkëndije elektrike në linjën e brendshme. Dyshohet se kjo mund të jetë pasojë e amortizimit të kësaj linje. Pas ngjarjes, policia lajmëroi edhe familjarët, të cilët ishin për një vizitë tek të afërmit e tyre. Bashkia e qytetit mori masa urgjente për strehimin e familjes Koroni, e cila tashmë duhet ta bëjë shtëpinë nga e para. d.xh