Levan, braktisin shtëpitë 20 familje
FIER - Janë më shumë se 20 familje, që janë larguar nga shtëpitë e tyre në fshatin Levan të komunës me të njëjtin emër, për shkak se shtëpitë e tyre kanë filluar të shemben. Rrëshqitja e dheut e si pasojë edhe çarja e mureve të shtëpive i ka detyruar banorët të largohen nga shtëpitë duke u strehuar provizorisht në një shkollë aty pranë. Janë 100 persona, të cilët kanë marrë sendet më të nevojshme e kanë braktisur shtëpitë e gjithë orenditë, për t’u mbrojtur nga shembja e shtëpive, të cilat pas reshjeve të ditëve të fundit janë dëmtuar edhe më shumë. “Dheu ka nisur të rrëshqasë nga pjesa e poshtme ku kalon edhe rruga nacionale Levan-Vlorë. Rreziku ndjehet më shumë kur bie shi, pasi toka rrëshqet e nuk mund të qëndrojmë brenda shtëpive. Dalim nga shtëpitë të tmerruar se mos na zënë brenda”, shprehet Xhezmi Habaraj, njëri prej personave të dëmtuar. Kryetari i komunës Agim Qejvani thotë se shqetësimi i banorëve është mëse i drejtë, por komuna nuk ka fonde të mjaftueshme për të bërë ndërhyrje në këto banesa dhe për këtë kërkohen ndihma nga qeveria. m.r