Klajdi Sahatçi, nga virtuozët e Tiranës në “La Scala”
Alma Mile
Edhe në pushimin mes provave, ai e mban violinën nën sqetull. Nuk është e vështirë të kuptosh se tashmë ai instrument është bërë si pjesë e trupit të tij. Violinisti Klajdi Sahatçi e kujton duke qeshur koncertin e tij të parë, kur ishte rreth 7 vjeç. Atëherë donte të arratisej nga sytë këmbët, ndërsa sot komunikimi me publikun i është i domosdoshëm. U largua në vitin 1992 si bursist, si një nga violinistët e rinj të “Virtuozëve të Tiranës”, ndërsa sot kthehet si koncertmaestër i parë i orkestrës së një prej teatrove më të mëdhenj në botë, në “La Scala” dhe merr pjesë në drejtimin artistik të këtij institucioni të ëndërruar nga sa e sa artistë shqiptarë. Paralelisht është koncertmaestër në Zyrih e zhvillon koncerte në skena të rëndësishme evropiane. Nesër do të ngjitet në skenën e TKOB-it bashkë me kolegët e dikurshëm të orkestrës “Virtuozët e Tiranës”.
Jeni mësuar me suksesin qysh fëmijë, por sa mund ju është dashur për të arritur deri në “La Scala?
Është një rrugë e gjatë dhe e vështirë, që kërkon shumë punë dhe impenjim, duke marrë kohë edhe nga ajo që duhet t’i dedikohesh familjes. Fillimi në Itali ka qenë shumë i vështirë. Unë u diplomova me maksimumin e pikëve dhe kisha të ardhme, madje këtë e dija pa u larguar që këtu, megjithatë nuk ishte e thjeshtë që t’i bindje të tjerët. Por mendoj se me shumë punë mund të arrish.
Tani punoj në “La Scala”. Është një arritje shumë e madhe, të cilës iu gëzova dy vjet më parë. Konkurrenca ishte shumë e fortë, por më vjen mirë që ia arrita dhe mendoj se është një ndjesi që duhet ta provojnë edhe shqiptarë të tjerë. Paralelisht me “La Skalën” bëj koncertmaestrin në “Tonhalle”, orkestrën e Zyrihut dhe është vërtetë shumë impenjative për mua.
Gjithnjë me valixhe në dorë, si arrini të koordinoheni?
Kjo ka të mirat dhe të këqijat e veta. Është bukur sepse udhëton dhe shkon nëpër vende të ndryshme, në skena të ndryshme, takon njerëz të rinj... E keqja është se duhet të ndryshosh vazhdimisht hotel. Momentalisht më duhet të punoj 1 muaj në Milano dhe një muaj në Zyrih. Kur familja do të dojë që unë të jem më shumë i pranishëm, atëherë ndoshta do të më duhet të zgjedh një prej këtyre dy orkestrave.
Sa ju ka ndihmuar shkolla e Zhani Cikos?
Sigurisht që më ka ndihmuar shumë. Ajo ka qenë thelbësore në forcimin e vullnetit. Prof. Zhani na kaliti vullnetin, duke punuar me orë të tëra në lice për një koncert.
E kujtoni ç’ndjesi provuat kur prekët violinën për herë të parë?
Ishte një ndjesi e çuditshme, por që dukej më shumë si lojë. Violina dukej si lodër dhe ishte një kënaqësi e veçantë kur merrje violinën e parë në duar, kur kishe kapakun e parë... Por me kalimin e viteve, kur duhet të kaloje orë të tëra në dhomë për të studiuar, ndërkohë që fëmijët e tjerë luanin, nuk ishte më ndjenja e lojës. Sigurisht që edhe unë doja të isha si gjithë të tjerët, madje ka pasur edhe momente krize, por prindërit e mi, duke parë talent tek unë, më kanë qëndruar gjithnjë mbi kokë, që të mund ta kaloja këtë periudhë të vështirë. Dhe kanë bërë mirë që kanë insistuar.
Po tani, ç’ndjesi ju krijon?
Ashtu si edhe për shumë kolegë të tjerë të mitë, është pa dyshim një pjesë e trupit, nuk mund të bësh më dot pa të. Është një mjet komunikimi, është një pjesë e jotja, pasi të merr shumë-shumë kohë nga jeta. Është pa dyshim një mjet shprehjeje i domosdoshëm.
Ju kujtohet koncerti juaj i parë?
Oh më kujtohet. Kam qenë rreth 7 vjeç, kur kam dalë në skenën e Pallatit të Pionierëve. Shikoja vetëm ca drita të fuqishme para meje. Këmbët më dridheshin dhe doja të ikja me vrap. Nuk e mbaja mend më pjesën, që do të luaja dhe më kujtohet e kam luajtur shumë shpejt dhe jam larguar.
Po tani, ç’ndjesi ju jep përballja me publikun?
Tanimë publiku është pjesa tjetër e komunikimit. Unë ndërkohë realizoj edhe shumë koncerte dhe tashmë është në “modë” që pas koncertit, publiku të takohet me instrumentistët, të pijë një gotë me ta, t’i pyesë për mënyrën se si ata e konceptojnë një pjesë muzikore. Pra, është një komunikim shumë i hapur, ndryshe nga ai që ka qenë në vitet ‘40-‘50, kur kishte distancë mes publikut dhe artistëve dhe këta të fundit dukeshin si shumë seriozë...
Shkurtimisht, cili është rendi i punës suaj në “La Scala”?
Nëse më jepet një opera, atëherë unë duhet të merrem me realizimin e saj nga orkestra, sidomos nga pjesa e harqeve. Duhet të studioj pjesën për orë të tëra, duhet ta di atë përpara kolegëve të mi. Jam një lloj ndërmjetësi mes dirigjentit dhe orkestrës. Nëse dirigjenti ka diçka për t’i komunikuar orkestrës, atëherë këtë e bën përmes meje. Diskutojmë rreth problemeve të ndryshme, më merr mendime se si mund të bëhet më mirë diçka. Gjithashtu jam edhe në drejtimin artistik të “La Scala” dhe më marrin mendime të ndryshme për marrjen e një dirigjenti, kalendarin artistik, për vënin e një pjese... Është një nga pozicionet më të rëndësishme në të gjithë teatrin, kështu që impenjimi duhet të jetë maksimal.
Përgjegjësi shumë e madhe që një shqiptar të jetë në sferat më të larta të “La Scala”...
Është një pjesë e njerëzve që mendon se një shqiptar nuk mund ta luajë, apo ta njohë më mirë një vepër italiane sesa një italian. Por kjo nuk është aspak e vërtetë. Nga eksperienca e di fare mirë se ndodh që Mozartin mund ta luajë më mirë një shqiptar se një gjerman.
Pati nga ata që ju panë me skepticizëm në fillim?
Sigurisht, sidomos nga pjesa më konservatore, (pak më të “moshuarit”), të cilët thoshin nën zë “ç’do të bëjë ky tani!!!”. Por kur njerëzit e shohin se ti ke diçka serioze për të thënë, se je serioz në punën tënde, atëherë komunikimi është më i thjeshtë. Por përgjegjësia është shumë e madhe, sepse duhet të japësh maksimumin tënd. Duhet të qëndrosh gjithnjë në nivelin më të lartë. Nuk të lejohet të zbresësh më poshtë, pasi ka shumë që presin dhe konkurrenca është e madhe. Madje, duhet të japësh gjithnjë edhe më shumë.